Agjencia e Trajtimit të Pronave ka nisur vlerësimin ekonomik për vendimet e dhëna pas vitit ’94. Sipas drejtoreshës së këtij institucioni, Sonila Qato, ky proces synohet që të përmbyllet brenda tri viteve, sikundër është parashikuar edhe në ligjin e ri. “Vlerësimi ekonomik i të gjithë vendimmarrjes 23-vjeçare ka nisur dhe nuk do të ndalojë deri në përfundimin e vlerësimit të vendimit të fundit në kohë. Në ligj, afati i përcaktuar për përfundimin e këtij procesi është 3 vjet nga hyrja në fuqi e ligjit. Ne shpresojmë dhe jemi të bindur, se pavarësisht vështirësive objektive që hasim përditë në punën tonë, këtë proces do ta mbyllim brenda afatit 3-vjeçar të përcaktuar në ligj”.
Janë 26 mijë dosje, të cilat do të rivlerësohen financiarisht. Deri më tani ka dalë fatura për 3750 pronarë, për të cilët janë çelur edhe procedurat e aplikimit nga fondi 24 milionë dollarë që është vënë në dispozicion këtë vit. Qato pohon se është drejt finalizimit projekti për dixhitalizimin e fondit të agjencisë. Vënia në funksion e sistemit Web-Gis me të dhëna edhe për pozicionimin hartografik të çdo prone do të lehtësojë punën për rillogaritjen e masës së përfitimit bazuar në skemën e re dhe nga ana tjetër, do të shmangë një prej problemeve më famëkeqe, sikundër e ka cilësuar Qato atë të mbivendosjes së titujve.
DOSJET PA VENDIM
Me zyrtarizimin e ligjit të ri ka nisur edhe shqyrtimi i të gjitha dosjeve pa vendim, që qëndrojnë prej vitesh në sirtarët e agjencisë. Deri më tani ka përfunduar procesi për 1 mijë familje, për të cilat është gati vendimmarrja.
Drejtoresha e ATP-së shpreh nevojën e bashkëpunimit institucional në mënyrë që të përshpejtohen edhe ritmet e operimit. “Aktualisht janë bërë konfirmime pranë institucioneve të treta për rreth 1000 dosjet e para dhe jemi në pritje të përgjigjes dhe verifikimit të mëtejshëm të tyre, për të konkluduar me vendimmarrjen përkatëse.
Në këtë rast vë theksin në nevojën e rritjes së bashkëveprimit ndërinstitucional midis ATP-së dhe të gjitha institucioneve që Agjencia kërkon informacion teknik dhe ligjor për të përmbushur në kohë e me cilësi vendimmarrjen e duhur për çdo dosje në shqyrtim. Duhet thënë se edhe procesi i shqyrtimit është një proces i pandalshëm për këto 3 vite në vijim, i cili do të përfundojë me shqyrtimin dhe vendimmarrjen për çdo aplikim që ndodhet pranë zyrave të ATP-së”, shprehet Qato.
APLIKIMET
Prej 5 muajsh janë hapur aplikimet për pronarët me vendime ’93 dhe ’94. Por deri më tani janë regjistruar vetëm 300 kërkesa për kompensim. Kjo për shkak edhe të vështirësive të hasura në grumbullimin e dokumentacionit të nevojshëm. Për këtë në fillim të muajit tetor, Qeveria ndryshoi formularin e aplikimit dhe listën e dokumenteve që duhet të depozitohen.
“Me ndryshimin që u bë në listën e dokumentacionit që u kërkohet subjekteve, shmanget shumë burokracia që qytetarët të mos u drejtohen sporteleve të gjykatave, një- sive administrative dhe këshillave të qarkut për të marrë vërtetimet përkatëse. Këto ndryshime erdhën si rrjedhojë e vetë kërkesës së qytetarëve, si dhe e rekomandimit të bërë që nga Vendimi pilot i GJEDNJ ‘Manushaqe Puto e të tjerë kundër shtetit shqiptar’, ku është kërkuar apo rekomanduar lehtësimi sa më shumë të jetë e mundur i procedurave për ekzekutimin e vendimeve përfundimtare për kompensim, duke deburokratizuar në maksimum këtë proces”, pohon Qato.
Më herët, gjatë një interviste dhënë për gazetën, drejtoresha e ATP-së e lidhi mospërfaqësimin e trashëgimtarëve ligjorë me zgjerimin e rrethit të trashëgimtarëve dhe me faktin që një pjesë prej tyre jetojnë jashtë vendit dhe nuk janë të interesuar për ndjekjen e procedurave. Disa ditë më parë u publikua edhe lista e parë e pronarëve që përfituan kompensimin financiar mbështetur në skemën e re. Janë 34 familje për të cilat u bë kalimi i parave në bankë.
Masa e përfitimit për secilën familje është llogaritur mbi bazën e zërit kadastral që prona ka pasur në momentin e konfiskimit. Ndërsa çmimet për metër katror janë ato të miratuara një vit më parë.
Afat deri në nëntor për dosjet e para ‘94, si do llogaritet përfitimi
Janë rreth 1600 pronarë me vendime të viteve ’93 dhe ‘94, që kanë mangësi në dokumentacion. Por deri më tani, vetëm 250 prej tyre janë treguar të gatshëm për të bërë plotësimin e dosjes. Nga Agjencia e Pronave është njoftuar se afati përfundimtar është fundmuaji nëntor.
“Aktualisht ATP-ja pret subjektet dhe administron çdo dokumentacion që sjellin subjektet për të plotësuar mangësitë e evidentuara dhe sipas rastit, bën korrigjime në rast të plotësimit të tyre. Deri më tani janë evidentuar dhe bërë rreth 250 plotësime në regjistrin e publikuar dhe me publikimin e vlerësimeve të vendimeve të kompensimit”, bëri me dije Qato. Sipas saj, dy janë problematikat e vërejtura në këtë proces. Së pari, shumë prej dosjeve bazë të vendimeve që kanë njohur të drejtën e kompensimit që ndodhen pranë arkivit të ATP-së kanë vetëm një apo dy dokumente. Kjo për shkak se në këto vite komisionet mjaftoheshin edhe vetëm me një vërtetim fakti juridik për të njohur, kthyer dhe kompensuar pronën.
Për këtë arsye, shumë vendime të këtyre viteve është e pamundur nga ana e ATP-së për të përcaktuar zërin kadastral të origjinës. Problematikë tjetër është se një pjesë e madhe e këtyre vendimeve që nuk u është përcaktuar vlera, përveçse i mungon dokumentacioni ligjor, i mungon edhe dokumentacioni hartografik përkatës për të bërë vlerësimin financiar në bazë të zërit kadastral të origjinës. E pyetur se çfarë do të ndodhë me këto vendime pas tejkalimit të afatit, drejtoresha thotë se ato nuk do të skualifikohen. I vetmi penalitet është fakti që vlerësimi i pronës do të bëhet me çmim minimal. Kjo pritet të reflektohet në masën e përfitimit, e cila do të jetë më e reduktuar.
“Me kalimin e këtij afati, ligji përcakton se vendimi i kompensimit vlerësohet financiarisht me çmimin minimal të përcaktuar në hartën e vlerës për atë njësi administrative dhe për atë kategori prone, çka do të thotë se ATP-ja në bazë të atij dokumentacioni që disponohet në dosje, nëpërmjet verifikimit të dosjeve bazë të këtyre vendimeve, do të përcaktojë vlerën të përcaktuar në hartën e vlerës për atë njësi administrative për pronën që do të kompensohet. Ndaj ftojmë të gjitha subjektet apo përfaqësuesit ligjorë të tyre të plotësojnë mangësitë e bëra publike në këtë regjistër, duke na ofruar dokumentacion të aftë për të përcaktuar vlerësimin ekonomik sipas skemës së ligjit të ri”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.