Komisioni i Ekonomisë dhe Financave vijon diskutimet për projektbuxhetin 2018, ku në fokus të seancës së sotme ishin kontrata koncesionare dhe faturat e tyre në 2018.
Ministri i financave Ahmetaj bëri më dije se sipas nenit 19, tavani për vlerën totale të kontratave në përqindje të PBB-së për të gjitha projektet me PPP, ekzistuese dhe ato të kontraktuara rishtazi për 2018, është 40.1% e PBB. Kontabilizimi i tyre bëhet me Standardin ESA 95, deklaroi ministri. Sipas këtij standardi, klasifikohet alokimi i riskut brenda apo jashtë bilanci.”
Ahmetaj mori si shembull Koncesionarin e Rrugës së Arbrit e cila me ESA 95 qëndron jashtë bilanci. Sipas ministrit njihen si detyrime vjetore, pra shpenzime korrente.
Edhe me ESA 2010, përsëri shpenzimet nuk përfshihen në bilanc.
“Kufizimi i pagesave vjetore në vetëm 5 përqind të të ardhurave tatimore faktike do të sjell kontrollin e kontratave me PPP. Shuma totale që kemi alokuar shkon 9.4 mld lekë. “- tha ministri.
Sipas Ahmetaj janë 213 kontrata koncesionare prej te cilave 178 janë lidhur para 2013-s.
Nga të dhënat e publikuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë fatura e koncesioneve në shëndetësi do të kushtojë plot 3.97 miliardë lekë. Ofrimi i shërbimit të kontrollit bazë apo check up-it do të kushtojë në 2018-n 876 milionë lekë. Ofrimi i shërbimit të sterilizimit kushton në 2018-n 1.56 mld lekë; ofrimi i shërbimit të dializës 655 milionë lekë dhe shërbimet laboratorike 886 milionë lekë.
Pesha e faturave e koncesionarëve në shëndetësi në 2018-n është 42 për qind e totalit të faturave koncesionare.
Koncesionet në Infrastrukturë dhe Energji do të kushtojnë 2.8 miliardë lekë apo 28 për qind e totalit të fatura për koncesionet.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë vlerëson dhe miraton paraprakisht të gjitha projektet koncesionare dhe të partneritetit publik privat (PPP), si edhe çdo ndryshim të tyre, nga pikëpamja e implikimeve individuale apo në grup, për shpenzimet buxhetore, deficitin buxhetor, qëndrueshmërinë e borxhit publik dhe detyrimet kontingjente eventuale.
Shuma e përgjithshme e pagesave vjetore neto, që kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme, të cilat rezultojnë nga kontrata koncesionare apo partneriteti publik privat (PPP), si rregull, nuk duhet të tejkalojnë kufirin prej 5 për qind të të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës buxhetor. Në rast tejkalimi të këtij kufiri, Këshilli i Ministrave merr masa korrektuese në krahun e të ardhurave buxhetore, të nevojshme dhe të mjaftueshme, për t’u rikthyer brenda kufirit të lejuar, gjatë dy viteve të ardhshme buxhetore.
Aktualisht, janë në fuqi 8 kontrata koncesionare apo partneriteti publik privat (PPP), të cilat marrin mbështetje buxhetore, si dhe pritet që gjatë vitit 2018 të startojnë dhe 3 kontrata të reja të lidhura nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë/Bashkisë Tiranë (bashkëfinancim) sipas detajeve të dhëna në Tabelën 12 të mëposhtme:
Për sa i përket respektimit të nenit 4/2 të ligjit nr.9936 datë 26.06.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor ku përcaktohet se “…shuma e përgjithshme e pagesave vjetore neto, që kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme, të cilat rezultojnë nga kontrata koncesionare apo partneriteti publik privat (PPP), si rregull, nuk duhet të tejkalojnë kufirin prej 5 për qind të të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës buxhetor.”, rezulton se:
- kufiri i lejuar prej 5% i të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës, pra i vitit 2017, është rreth 20 miliardë lekë.
- referuar Tabelës nr.7, pagesat vjetore neto që parashikohen të kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme për kontratat koncesionare apo PPP, kapin vlerën e 9.4 miliardë lekë për vitin 2018.
Rrjedhimisht, Buxheti 2018 respekton kufizimin ligjor të sipërcituar, pasi vlera e parashikuar prej 9.4 miliardë lekë për pagesat vjetore neto për kontratat koncesionare apo PPP për vitin 2018, përbën rreth 2.4% të totalit të të ardhurave tatimore faktike për vitin 2017.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.