Koncesioni i bllokuar i pompave të karburanteve ka përfunduar në gjykatë. “Noa Control”, kompania që ka bërë propozimin e pakërkuar për këtë koncesion, ka paditur Komisionin e Prokurimit Publik në Gjykatën Administrative, duke i kërkuar të zhbllokojë procesin.
Pas ankesës, Komisioni i Prokurimit u detyrua ta pezullojë tenderin, duke i kërkuar Ministrisë së Financave të vërë në dispozicion informacione shtesë, për të gjitha pretendimet e ngritura nga kompania zvicerane.
Që nga pezullimi i tenderit, projekti i qeverisë për të dhënë me koncesion kontrollin e pompave ka qenë i bllokuar. Por, tani “Noa Control”, kompania favorite për të fituar këtë koncesion, i ka kërkuar gjykatës që të detyrojë Komisionin e Prokurimeve t’i përgjigjet zyrtarisht ankesës së kompanisë zvicerane, për të zhbllokuar procesin.
Aktualisht, kontrolli i pompave në stacionet e karburanteve kryhet nga Drejtoria e Metrologjisë. Për këtë, kompanitë e karburanteve paguajnë rreth 100 euro në vit, për çdo pompë që kanë në stacionet e tyre.
Koncesioni ia kalon këtë shërbim në kushte monopol një kompanie private, e cila pritet që në 20 vitet e koncesionit të fitojë mbi 60 milionë euro nga kjo kontratë, e të kryejë vetëm 500 mijë euro investime.
Top Channel
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.