Nga krahasimi i çmimeve të pullave fiskale para dhe pas dhënies së koncensionit rezulton se për cigaret dhe alkoolin çmimet e pullave janë rritur rreth 4 herë duke përbërë kosto të shtuar për biznesin…
Autoriteti i Konkurrencës, bazuar në shqetësimet e komunitetit të biznesit të bëra prezent në mënyrë të vazhdueshme nëpërmjet mediave, realizoi procesin e vlerësimit të marrëveshjes koncesionare për ofrimin e sherbimit publik të pullave fiskale, sipas një njoftimi zyrtar për shtyp të autoritetit.
Marrëveshja e koncesionit ndërmjet Ministrisë së Financave dhe shoqërisë SICPA Holding SA është nënshkruar në 30 nëntor 2012. Shoqëria koncensionare SICPA HOLDING SA është një shoqëri anonime e regjistruar sipas kuadrit ligjor të Zvicrës.
Nga krahasimi i çmimeve të pullave fiskale para dhe pas dhënies së koncensionit rezulton se për cigaret dhe alkoolin çmimet e pullave janë rritur rreth 4 herë duke përbërë kosto të shtuar për biznesin. Çmimi i shitjes së pullave fiskale para marrëveshjes koncensionare ka qënë:Pullat fiskale te cigareve 0.49992 leke / copa me tvsh dhe pullat fiskale te pijeve 1.20 (nje.dy) leke / copa me tvsh. Pas dhënies së koncensionit çmimi i pullës fiskale ka ndryshuar si vijon: për duhanin 2.7 lekë, 4.4 lekë për alkoolin, 3 lekë për birrën dhe 2.9 lekë për ilaçet.
Nga vlerësimi i marrëveshjes koncensionare rezulton se para lidhjes së marrëveshjes së koncesionit nuk janë respektuar dispozitat e Ligjit 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” i ndryshuar, dhe konkretisht nuk është respektuar neni 69 i Ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës” sipas të cilit duhet të ishte marrë vlerësimi i Autoritetit.
Autoriteti i Konkurrencës ka detyrimin ligjor për vlerësimin e të drejtave ekskluzive dhe të veçanta të dhëna në territorin e Republikës së Shqipërisë referuar nenit 2 pika c e Ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”, rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë, si dhe detyrimeve në kuadër të respektimit të marrëveshjes së Stabilizim Associmit (AK është lider dhe koordinator i kapitullit 8 dhe ka detyrimin për të raportuar mbi të drejtat e veçanta dhe ekskluzive në territorin e Shqipërisë).
Nga ana e Komisionit të Konkurrencës është kërkuar vlerësimi i Ministrisë së Financave mbi arsyetimin dhe justifikimin ekonomik të koncensionit në kuptimin që dhënia e një të drejte eksluzive për një operator privat që është pasuar me rritjen e kostos së biznesit për pullat fiskale nëse ka patur apo jo efekt në qëllimin për të cilin është dhënë koncensioni, rritjen e të ardhurave fiskale dhe luftën ndaj evazionit dhe kontrabandës së produkteve të akcizës. Ministria e Financave në shkresën nr 372/2, datë 06.10.2014, shprehet se nuk ka nje vleresim ekonomik për koncensionin e dhënë as në fazën paraprake(ex-ante) dhe as në fazën aktuale(ex-post).
Gjithashtu i eshte kerkuar koncensionarit informacion i detajuar mbi koston, investimet dhe informacionin perkates qe lidhej me procesin e marrjes se koncesionit. Koncesionari me anë të shkresës 372/3, datë 8.10.2014, ka dërguar kontratën koncensionare dhe pasqyrat financiare, por jo argumenta dhe analizën shoqeruese mbi justifikimin ekonomik të marrëveshjes koncensionare.
Zbatimi i koncensionit për prodhimin e pullave fiskale per barnat nuk është realizuar deri më sot. Vendosja e nje tarife 2.3 leke/cope me e larte e pulles fiskale për çdo medikament do të ishte një kosto e lartë për produktet farmaceutike, të cilat kanë ndjeshmeri shume te larte tek konsumatori.
Për këto arsye Komisioni i Konkurrencës vendosi t’i rekomandojë Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes të kryejnë vlerësimin ekonomik dhe teknik mbi zbatueshmërinë e kushteve të kontratës koncensionare dhe analizën e justifikimit ekonomik të koncensionit, i cili është pasuar me rritjen e kostos së biznesit për pullat fiskale. Në këtë vleresim te identifikohet permbushja e qellimit për të cilin është dhënë koncensioni, si rritjen e të ardhurave fiskale dhe luftën ndaj evazionit dhe kontrabandës së produkteve të akcizës.
Komisioni i Konkurrencës ka rekomanduar rishikimin e kontratës koncensionare, për pjesën e pullave fiskale për barnat pasi konstatohet se nuk ka filluar prodhimi i tyre, si dhe sjell kosto të lartë për produktet farmaceutike të cilat kanë një ndjeshmëri shumë të lartë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.