Gjatë konferencës së investitorëve të huaj kryeministri Sali Berisha, në fjalën e tij nënvizoi faktin se modeli i suksesshëm ekonomik i Shqipërisë i rezistoi krizës globale, pasi është i bazuar tërësisht në lirinë ekonomike, duke sjellë rritje të ekonomisë.
“Ky model ekonomik që ka bërë që Shqipëria t’i rezistojë krizës më të ashpër që Europa ka njohur këto vitet e fundit. Ka qenë ky model ekonomik i bazuar në liritë ekonomike, që ka bërë të mundur që Shqipëria të ketë rritje ekonomike 4 herë më të madhe sesa mesatarja e rajonit. Ka qenë ky model që ka bërë të mundur që Shqipëria në 2009-2011 të dyfishojë eksportet. Ka qenë ky model që Shqipëria të rrisë në periudhën 2007-2011 me 316 për qind investimet e huaja” tha kryeministri.
Duke shprehur mirënjohjen për investitorët austriakë në vend, shefi i qeverisë tha se Shqipëria është një superfuqi e rinovueshme në rajon dhe investimet e huaja janë çështje besimi. Ai tha se janë krijuar lehtësira të barrës burokratike për biznesin dhe i ftoi ata të investojnë në Shqipëri.
“Ne jemi një Norvegji e vogël në Ballkan. Ne kemi firmosur 120 kontrata për ndërtimin e 320 HEC-ve. Ne do të inaugurojmë veprën më të bukur energjetike, HEC-in e Ashtës, një kryevepër të mbrojtjes të mjedisit. Energjia është prioriteti më madhor dhe unë ju garantoj që investitorët kanë vlerësim më të madh nga qeveria ime”- tha kryeministri, duke garantuar që do të bëjë gjithçka që projektet të jenë një histori suksesi dhe duke nxitur më tej iniciativën e lirë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.