Konferenca e BSH, Sejko: Sfidat që has politika monetare; Ahmetaj: Bankat nuk po i përgjigjen ekonomisë

01/11/2018 10:20 AM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Vitet e fundit ka një theks të vazhdueshëm te politika monetare, ku Banka e Shqipërisë, përmes lehtësimit të normës së interesit, ka kërkuar nxitjen e aktivitetit ekonomik nëpërmjet investimeve dhe konsumit.

Por zhvillimet ekonomike dhe sfidat që has sot rritja në tërësi duket se kanë krijuar një normale të re, ku politika monetare duhet të pasurohet edhe me elemente të tjera për të mbështetur arritjen e objektivave. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në fjalën e tij në hapjen e Konferencën Vjetore të Bankës së Shqipërisë e vuri theksin te sfidat që has sot politika monetare.

“Në një këndvështrim më specifik, realiteti i sotëm ekonomik, monetar e financiar, paraqitet veçanërisht sfidues për politikën monetare. Ky realitet emërtohet dhe si “normalja” e re e politikës monetare. Më lejoni të identifikoj disa prej këtyre sfidave.

Normat natyrore të interesit paraqiten në rënie, potencialisht si pasojë e një kombinimi faktorësh: ngadalësimi i produktivitetit dhe i ritmit të inovacionit; trendet e pafavorshme demografike në vendet e zhvilluara; apo dhe riciklimi i kursimeve nga vendet në zhvillim drejt atyre të zhvilluara. Kjo rënie sjell reduktimin e hapësirave për politika monetare stimuluese konvencionale në të ardhmen.

Lidhja midis kërkesës agregate dhe normës së inflacionit është zbehur në horizontin afatshkurtër e afatmesëm, si pasojë e zhvillimeve në tregjet e punës dhe e integrimit në rritje të ekonomisë botërore. Ky fenomen rrit koston e veprimit të politikës monetare.

Po ashtu, inovacioni financiar dhe ndërgjegjësimi në rritje i ndërlidhjes midis stabilitetit ekonomik e monetar nga njëra anë dhe stabilitetit të sistemit financiar nga ana tjetër, kanë reduktuar hapësirat e veprimit të instrumenteve konvencionale të politikës monetare” – tha Sejko.

Ai nënvizoi se konsensusi mbi fizionominë e “normales” së re të politikës monetare duhet të ruajë tre elemente esenciale të saj.

Së pari, shmangia e objektivave të shumëfishtë, apo të paqartë e jotransparentë, mbi politikën monetare. Ky parim do të ruante besueshmërinë e politikës monetare, si një parakusht i rritjes së efektivitetit dhe i reduktimit të efekteve anësore të ndërhyrjes së saj.

Së dyti, njohja e limiteve që ka politika monetare, si në horizontin afatshkurtër e afatmesëm, ashtu dhe në atë afatgjatë.

Së treti, dizenjimi i gamës së instrumenteve në përdorim të politikës monetare duhet të kujdeset për shmangien e rrezikut në bilancin e bankës qendrore, çka do të ndikonte negativisht pavarësinë e tyre.

Ahmetaj: Bankat nuk po luajnë rolin e tyre në ekonomi

Në Konferencën Vjetore të Bankës së Shqipërisë ishte i pranishëm edhe ministri për Financat dhe Ekonominë, Arben Ahmetaj, i cili u ndal në fjalën e tij tek mënyra sesi ka menaxhuar qeveria plotësimin e kërkesës së saj për borxh, duke e ilustruar këtë me eurobondin. Sipas tij, ky hap ishte për t’i lënë hapësirë tregut të brendshëm.

“Një arsye pse dolëm me eurobond ishte dhe krijimi i hapësirës së nevojshme të tregut të brendshëm. Por duhet thënë se sistemi bankar akoma nuk po i përgjigjet sfidës dhe rritjes së ekonomisë. Po tregohem i moderuar në fjalë dhe i kujdesshëm, nuk po luan rolin që ka në ekonomi. Është koha që ky sektor të luajë rolin që i takon. Duhet patjetër që të gjithë aktorët të punojnë së bashku. Nuk e kemi luksin që të ndalojmë ritmin e reformave në vend. Ka ardhur koha e valës së dytë të reformave” – tha Ahmetaj.

Deklaratat u bënë gjatë konferencës vjetore të Bankës së Shqipërisë, e cila këtë vit organizohet në bashkëpunim me London School of Economics.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of