Në Konferencën Ndërkombëtare “Menaxhimi i Sezonalitetit në Turizëm”, organizuar nga Ministria e Zhvillimit Urban e Turizmit dhe Organizata Botërore e Turizmit e Kombeve të Bashkuara (UNWTO) diskutohet sot për rëndësinë e turizmit në vendit tonë, panel i cili ka në përbërjen e tij figura të njohura shqiptare dhe jo vetëm. Gjatë fjalës së saj, ministrja e Turizmit, Gjermeni deklaroi se turizmi ka ndikim me rëndësi të madhe në rritjen ekonomike dhe zhvillimin e vendit tonë. Sipas saj, turizmi duhet zhvilluar përgjatë gjithë vitit dhe jo me sezone. Konsiderohet si një urë lidhëze mes vendeve dhe kjo e bën tepër të rëndësishme për Shqipërinë.
“Turizmi në vendin tonë, sipas fjalës së Gjermenit, ka elemente kyç për zhvillim, ne jemi vend i pasur, por duhet rigjallëruar tradita dhe duhet vënë fokusi edhe në turizmin kulturor.”
“Ndër prioritetet e qeverisë është rigjallërimi i traditës dhe shtimi i investimeve, turizmi prioritet i qeverisë por dhe kërkesë e biznesit, ndërkaq ai nuk mund të zhvillohet vetëm nga fondet publike dhe investimet private”, tha Gjermeni.
“Shqipëria, ka potenciale të pafundme për të ofruar produkte turistike, veç turizmit të diellit dhe të rërës si: turizmi kulturor, natyror, rural, veprimtari sportive, modele këto të cilat shërbejnë për të minimizuar efektet e sezonalitetit dhe për të rritur numrin e turistëve dhe kohëqendrimin e tyre në vend. Autenciteti i produkteve tona, bukuria e deteve Jon dhe Adriatik që lagin brigjet e Shqipërisë, trashëgimia kulturore, kostumografia, vlerat dhe traditat, që ne prej shekujsh mbartin, e mbi të gjitha bashkëjetesa fetare, një vlerë kaq unike, të gjitha këto janë pikat tona më të forta për promovimin e Shqipërisë si një destinacion turistik në Ballkan.
Turizmi, si një industri ndër – sektoriale, sa dinamik dhe i ndërlikuar paraqet sfidat e veta, një prej të cilave është dhe menaxhimi i sezonalitetit.
Synimi ynë është krijimi i kushteve të favorshme për minimizimin e efekteve të sezonalitetit dhe kthimit të vendit në një destinacion turistik gjithëvjetor.”, përfundoi fjalën e saj ministrja.
Sakaq, Taleb Rifai, sekretar i përgjithshëm pranë UNWTO u shpreh se Shqipëria ka bërë ndryshime pozitive por vendasit nuk e shohin këtë gjë. Sipas tij, ndryshimet në turizëm po ndikojnë në ekonomi dhe zhvillim. “Shqipëria po zhvillohet dhe e ardhmja e vendit është shumë premtuese. Politikat mbështetëse për të zgjatur sezonin turistik janë themelore për të ruajtur operacione të sukseshme biznesi, duke garantuar që komunitetet pritëse të jenë të angazhuara plotësisht, për të përfituar nga dobitë e mëdha të ofruara nga turizmi”- u shpreh Z. Rifai.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.