Për Konfindustrinë qeveria duhet të shtyjë për një moment më të vonë zbatimin e politikave të Paketës Fiskale. Administratori i Përgjithshëm Gjergj Buxhuku tha se : ” Konfindustria kërkon shtyrjen në kohë, të propozimit të qeverisë në Paketën Fiskale 2016 për përjashtimin e plotë nga tatimet e kategorisë së bizneseve me qarkullim deri 5 milionë lekë/vit si dhe uljen e tatim fitimit në 5% për kategorinë 5-8milionë lekë/vit, derisa të plotësohet me skemën e qartë ligjore, për të parandaluar pasojat e rënda negative, që objektivisht mund të krijohen.
Shkaku kryesor i krijimit të pasojave negative, që duhet parashikuar dhe parandaluar nga fillimi me skema ligjore të plota është, se zbatimi pa skema plotësuese i propozimit të draftit do të prodhojë objektivisht trysni të fortë për copëtimin e bizneseve të mëdha për të kapur pragjet e mësipërme të përfitimeve fiskale, si të ashtuquajtura biznese të “vogla”. Pasojat në këtë rast do të ishin të rënda për ekonominë shqiptare në afatgjatë, sepse: zbatimi do të krijonte konkurrencë të shtuar, të pandershme ndërmjet kategorive të bizneseve të ashtuquajtur “të mëdhenj” dhe “të vegjël” me pasoja deri falimentim për të parët ; në sektorin agroushqimor do ta linte Shqipërinë në nivelin e fermave të vogla dhe të shkëputuara, duke bllokuar krijimin e kompanive të mëdha me cikël të mbyllur nga prodhimi, grumbullimi, përpunimi, tregtimi; do të ishte praktikisht ligjërim i evazionit fiskal të sotëm me pasoja të rënda për buxhetin e shtetit dhe pranim “de jure” i dështimit të luftës së mirëpritur shtetformuese kundër informalitetit të filluar para disa muajsh nga ekzekutivi”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.