Konflikti tronditi lindjen e Ukrainës nje ditë më parë se qeveria e saj të fillonte bisedimet tre-palëshe me zyrtarë rusë dhe të Bashkimit Evropian në Bruksel, për të negociuar se kur do të rifillojnë furnizimet me gaz natyror të cilat u ndërprenë në qershor.
Armëpushimi në rajonet lindore të Ukrainës, që u arrit në 5 shtator, u thye disa herë gjatë orëve të fundit, me dy ushtarë dhe 14 rebelë të vrarë, referoi ushtria pardje. Kompania energjetike shtetërore e Ukrainës, NAK Naftogaz Ukrainy tha se qeveria në Kiev dhe KE arritën një ‘konsensus’ përpara bisedimeve të djeshme. Kancelarja gjermane Anxhela Merkel tha se ajo dëshiron arritjen e marrëveshjes së gazit dhe se për ti dhënë fund këtij konflikti ka të ngjarë të nevojitet akordimi i një kredie afat-shkurtër për Ukrainën.
Ngërci mes dy ish-republikave sovjetike po rezulton në luftë katër muaj pasi Rusia ndali dorëzimet per shkak te mosmarrëveshjes se çmimit dhe borxhit teksa në Ukrainën lindore shpërtheu kryengritja separatiste. BE-ja, e cila varet përreth 15 përqind të nevojave të saj nga karburanti rus që kalon përmes Ukrainës, ka kërkuar të ndërmjetësojë një marrëveshje për të shmangur përsëritjen e reduktimeve të furnizimit me të cilat u përball në vitin 2006 dhe 2009.
Kërcënimi russ?
Energjia është kthyer në fokus të vështirësive ekonomike të Ukrainës. Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë javën e kaluar se furnizimet në Evropë do të reduktohen në qoftë se qeveria e Ukrainës ka ‘futur duart’ në karburant për nevojat e veta. Ukraina ka thënë se nuk do të përfitojë aspak nga gazi i destinuar për Europën dhe se është një vend i besueshëm tranzit.
Ukraina do të ketë gaz për dimër pas të dakordojë të paguajë 385 dollarë për mijë metra kub gaz nga Rusia deri më 31 mars, tha presidenti Petro Poroshenko. Qeveria mund të përdorë kreditë nga FMN ose organizata të tjera financiare për të paguar blerjen, shtoi ai.
Putin deklaroi javën e kaluar se Evropa duhet të ndihmojë Ukrainën të paguajë paradhënie për gazin natyror në mënyrë që të garantojë furnizim të qëndrueshëm gjatë dimrit.
Naftogaz deklaroi se negociatat pritet të prodhojnë një marrëveshje të përkohshme për këtë dimër, duke siguruar furnizimin me gaz rus të Ukrainës dhe transport të qëndrueshëm tranzit drejt BE-së.