Importi i energjisë mposht prodhimin vendas, HEC-et e vogla përballë falimentit
Rritja në 11%e peshës të totalit të prodhimit të energjisë nga HEC-et e vogla rrezikon të shuhet për shkak të nismës ligjore të qeverisë, për të ulur çmimin e shitjes me 30%. Prodhuesit lëshojnë akuza përsabotim nga grupe të caktuara që fitojnë nga importi i energjisë. Reagimi i qeverisë. Energjia e importuar në Shqipëri, 20% më shumë se mesatarja e rajonit këtë vit. A vlen të zerohen 250 milionë euro investime
Blerina Hoxha
Tani kur ekonomia shqiptare gjendet ende në udhëkryq për të orientuar modelin ekonomik nga ndërtimi dhe shërbimet te prodhimi dhe eksportet, qeveria është vënë në konflikt të hapur me prodhuesit e vegjël të energjisë. Përtej vështirësive të momentit, që janë krijuar nga borxhet e akumuluara në energjetikë, është cenuar rëndë besueshmëria te qeveria, nëse do të nxisë prodhimin vendas apo me zgjidhjet emergjente stimulon pa dashje importin e energjisë, i cili, në dy dekadat e fundit, është parë edhe si një fenomen i madh korrupsioni, të paktën për energjinë. Pa llogaritur parregullsitë që shoqëruan procesin e dhënies së mbi 300 koncesioneve nga qeveria e kaluar, prodhimi nga HEC-et e vogla të ndërtuara vitet e fundit ka kaluar të gjitha parashikimet. Të dhënat e vitit që shkoi tregojnë se, HEC-et prodhuan rreth 11% të totalit të energjisë në vend, sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE). Të ardhurat për këto biznese janë rritur me 200% në tre vitet e fundit dhe e ardhmja shihet premtuese. Mbi 80 HEC-e të vogla janë në prodhim këtë vit dhe dhjetëra të tjerë pritet të vihen në eficencë vitin që vjen. Por këto zhvillime, në vend që të jenë një lajm i mirë për qeverinë kohët e fundit, janë shndërruar në një shqetësim të madh.
Llogaritë e momentit diktojnë se, importi është më i leverdishëm se prodhimi vendas. Korporata e Elektroenergjetike (KESH) ka dështuar të blejë me 9 lekë kilovatin e energjisë nga këto HEC-e, duke akumuluar rreth 51 milionë euro detyrime, sipas deklarimeve nga Ministri i Financave Shkëlqim Cani. Ky borxh,i cili është vetëm një hallkë në kalanë e detyrimeve të krijuara në sistemin elektroenergjetik shqiptar, e ka çuar qeverinë drejt zgjidhjes më të shkurtër. Sipas vendimit të fundit të Këshillit të Ministrave, çmimi i blerjes së energjisë nga KESH ndaj këtyre HEC-eve do të jetë rreth 30% më i ulët vitin që vjen.
Shoqata e Prodhuesve të Vegjël të Energjisë thotë se, me këtë ndryshim, rrezikojnë seriozisht falimentin rreth 60 HEC-e të vogla. Pasi shumica e tyre janë ndërtuar me kredi dhe planet e biznesit janë bazuar për çmimet 9 lekë kilovatin, të paktën për 10 vitet në vijim. Shoqata e akuzon qeverinë se po e stimulon importin në këtë mënyrë, pavarësisht se nuk është me kosto më të lirë. Por a e ka Shqipëria luksin që me një krizë ekonomike që ka mbërthyer vendin, të vërë para falimentit një nga sektorët më të paktë prodhues në vend.
Importi, çmimi 22% më shumë se tregu rajonal
Çmimet me shumicë në bursat e rajonit të Ballkanit këtë vit mesatarisht ishin 37 euro për megavat/orë.Niveli më i lartë i çmimeve është shënuar në muajin prill dhe korrik, me 40 europër megavat, ndërsa nivelin më të ulët e kanë shënuar muajt tetor dhe mars, më pak se 34 euro për megavat/orë.
Shqipëria e ka blerë një megavat me një çmim mesatar për megavat/orë 51 euro ose 22% më shumë se në tregjet ndërkombëtare. Nga mesi i korrikut 2013 deri në qershor 2014, Europa Qendrore e Lindore (CEE) ka mbetur rajoni më dinamik në tregtinë e energjisë në Europë. Kjo për shkak se shitjet me shumicë të energjisë u rritën me më shumë se 22% në baza vjetore. Për këtë arsye, çmimet e shitjes me shumicë në gjashtëmujorin e parë të vitit 2014 ranë 35-37 euro për megavat/orë, sipas të dhënave nga Observatori Europian i Energjisë. Mesatarja e çmimeve më 2013ishte më shumë se 44 euro vitin që shkoi. Të dhënat zyrtare të Observatorit bëjnë me dije se energjia elektrike kushtoi më lirë, nisur nga ulja e konsumit për shkak të temperaturave të favorshme dhe rritjes së prodhimit të nxitur nga një verë e lagësht.
Por Shqipëria duket se nuk ka përfituar nga kjo ulje. Tregu shqiptar, ashtu si dhe për çmimet e naftës, vijon të jetë joelastik edhe për energjinë elektrike. Autoriteti i Konkurrencës vërtetoi dyshimet për një monopol në tenderët e energjisë elektrike, ndaj ka vendosur të kryejë një hetim të thelluar në procedurën e blerjessë energjisë. Kompanitë EFT dhe GSA prej vitesh tregtojnë në favor të OSSHE më shumë se 75% të energjisë së importit. Shqipëria shpenzoi mesatarisht këtë vit 10 milionë euro në muaj për blerjen e energjisë. Për tenderin e dhjetorit u prokuruan 14 milionë euro të ndara në 6 fitues, por më shumë se 70%e sasisë është blerje prej kompanive GSA dhe EFT.
Pjesëmarrja e kufizuar në tregtimin e energjisë në Shqipëri, sipas ekspertëve të sektorit, vjen edhe për shkak të mundësive të limituara në transmetimin e energjisë. Por, nga ana tjetër, tregu nuk po prodhon operatorë të tjerë të fuqishëm në atë masë sa të mund të shmonopolizojnë tregun që tashmë kompania me origjinë serbe ka krijuar në eksportin e energjisë në Shqipëri. Tregtia jo e drejtë e energjisë shihet edhe në çmimet energjisë së eksportuar nga Shqipëria. Në momentin e pikut të prodhimit ose edhe të shlyerjes së borxheve, energjia shqiptare nuk është shitur me një çmimin nga 35-38 euro për megavat gjatë këtij viti, rreth 20% më pak se vlera që jep për import.
Diferenca e madhe ndërmjet çmimit të energjisë që ofrohet në bursat rajonale me atë që shitet në Shqipëri vjen më e dhimbshme, pasi tregtinë e energjisë e kryejnë në një pjesë të madhe kompanitë e shtetit, ndryshe nga nafta që tregtohet nga privatët.
Ministria e Energjisë, pse çmimi është më i lartë
Çmimi i kontraktuar i energjisë elektrike që furnizohet nga importi shpeshherë nuk pasqyron realitetin, për shkak se përfshin pikërisht edhe normën e minimizimit të riskut për mospagesën në kohë të detyrimeve. Ministria e Energjetikës e ka pranuar këtë fakt, duke shpjeguar se referimi në çmimin e energjisë së importuar nuk është konsistent, për shkak se sasia e energjisë që blihet nga importi në Shqipëri i përket përgjithësisht energjisë që blihet nga OSHEE dhe nga KESH dhe shpesh, kjo sasi nuk është e njëjtë por ndryshon në varësi të nivelit të humbjeve, apo kushteve hidrike të vendit.“Sa më pak sasi të kontraktohet, aq më i lartë është çmimi dhe anasjelltas” thanë burimet zyrtare të Ministrisë. Nisur nga vlerësimi i ulët financiar që i bëhet Shqipërisë, vetëm një numër i kufizuar tregtarësh kanë vullnet të operojnë në tregun shqiptar. Ndërkaq, vështirësia financiare në të cilën ndodhen kompanitë publike që bëjnë importin, ndikon që çmimi i importit të jetë më i lartë. Çmimi përcaktohet mbi baza faktike të kërkesë-ofertës së energjisë së kontraktuar nga një numër i konsiderueshëm operatorësh, i cili është përfaqësues për tregun e energjisë në rajon. Në çmimin e importit të energjisë së kontraktuar nga FPSH dhe OSHEE, përfshihen kostot e kapaciteteve përkatëse deri në kufirin shqiptar, të cilat e rrisin çmimin final të shitjes së energjisë elektrike me të paktën 3-4 euro për MWH.
Import apo prodhim
Vitin që shkoi, importi i energjisë kushtoi mesatarisht 6,8 cent, ose 8,4 lekë për kilovat/orë, nivel ky gati i përafërt me çmimet e blerjes ndaj HEC-eve të vogla. Shqipëria ka harxhuar në dekadën e fundit 1,2 miliardë euro për importin e energjisë ose10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Gjatë 10-vjeçarit të fundit, thatësira e gjatë vuri në vështirësi prodhimin e energjisë, nga ana tjetër, nevojat e konsumit po rriteshin në nivele dyshifrore. Në këtë situatë, ish-kryeministri Sali Berisha vendosi të nxiste prodhimin e energjisë me çdo kusht, qoftë edhe me kosto të larta të momentit.
Çështja “energji” ishte kthyer në një rrezik serioz për stabilitetin makroekonomik të vendit. Përpos kësaj, burimet e rritjes së ekonomisë kishin shteruar dhe kapacitetet e pashfrytëzuara të burimeve ujore u panë si mundësia më e mirë për t’i dhënë zhvillimit të ekonomisë një drejtim tjetër. Perspektiva paraqitej e mirë për shkak se, konsumi i energjisë është me rritje kolosale dhe çmimi i energjisë hidro po rritet me ritme të shpejta, edhe për shkaktë kufizimeve që po vihen për prodhimin e energjisë bërthamore dhe llojeve të tjera.
Për t’i dhënë një nxitje prodhimit vendas të energjisë, qeveria e mëparshme fiksoi një nivel çmimi 9 lekë për kilovat/orë ndaj prodhuesve koncesionarë. E parë vetëm nga ky këndvështrim, politika konsiderohet e suksesshme pasi HEC- et vogla deri në 15 mega arritën një nivel të ardhurash prej 30 milionë eurosh më 2013,duke përjashtuar HEC-Ashtën që është një investim i huaj dhe ka një kapacitet më të lartë prodhimi. Tani kur nuk kanë kaluar as tre vite prodhim nga këto HEC-e, qeveriapo ndryshon politikën, duke vënë në dilemë ekzistencën e 260 milionë eurove investime vendase (me gjithë investimete huaja shuma arrin në 400 milionë euro, sipas të dhënave nga Shoqata e Energjisë së Rinovueshme).
Ky vendim po vjen jo për faj të investitorëve, por të paaftësisë së qeverisë për të mbledhur paratë për gati gjysmën e energjisë që hidhet për konsum në tregun vendas. Të 71 miliardë lekët e pambledhura nga OSSHE ndaj konsumatorëve kanë krijuar një borxh zinxhir në të gjitha kompanitë, duke bërë që KESH, si furnizuesi me shumicë i energjisë, të ketë mungesë fondesh për të shlyer energjinë e blerë ndaj HEC-eve të vogla. Por, nga ana tjetër, Shqipëria importon me një çmim gati 20% më të lartë energjinë që i duhet për konsum të brendshëm, të cilën nuk e mbulon dot nga prodhimi vendas. Në bursat ndërkombëtare, një megavat kushton deri 42euro, ndërsa OSSHE e importon energjinë me çmim që variojnë nga 57-58 euro për megavat.
Shoqata e Prodhuesve Vendas të Energjisë kërkon nga qeveriatë ulë kostot në importon e energjisë, në vend që të demotivojë prodhimin shqiptar të energjisë.
Prodhuesit: Të liberalizohet tregu
Një nga prodhuesit më të hershëm të energjisë nëpërmjet formës koncesionare, Dalip Spahiu, ka propozime të tjera që zgjidhin hallin e qeverisë nga borxhet e ndaj HEC-et e vogla, pa e ndryshuar çmimin. Spahiu, menaxher dhe zotërues i HEC-it të Gjançit, me më shumë se 10 vite përvojë në sektor, thotë për Monitor, se ndryshimi i nivelit të çmimit do të çojë tregun privat të prodhimit të energjisë drejt falimentit të sigurt, në një kohë kur ka plot zgjidhje të tjera. Spahiu sheh si alternativë të parë liberalizimin e tregut të energjisë.
Duke i lënë HEC-et e lira të shesin dhe blejnë energji, ndaj të tretëve, tregu i prodhimit të energjisë do të zgjerohej edhe më shumë, ndërkohë që qeveria do të hiqte dorë nga ndërmjetësimi financiar. Sipas tij, tani ka plot kompani në treg që e kërkojnë energjinë si lëndë të parë. Gjithashtu ka mjaftueshëm edhe tregtarë të kualifikuar për ta kryer këtë proces. Kështu, nëse HEC-et do të shisnin mallin e tyre direkt te konsumatorët e shumicës (bizneset) ose edhe tek Operatori i Shpërndarjes, ngërçi do të zgjidhej.
Spahiu shpreson që Enti Rregullator dhe vetë qeveria të reflektojë në qëndrimin esaj për të ulur çmimin e shitjes së energjisë nga HEC-et private, në të kundërt do të ishte kulmi i papërgjegjshmërisë. “Nëse vendimi për uljen e çmimit aplikohet më parë se tregu i energjisë të liberalizohet, kjo tregon se, grupe të caktuara janë të interesuara për importin e energjisë me çmime aspak reale”, – tha Spahiu. Ai akuzon se, grupet që po përfitojnë nga tenderët e importit janë të frikësuar nga rezultatet e rritjes së prodhimit vendas të energjisë. Spahiu i bën thirrje kryeministrit dhe qeverisë që të rishikojnë politikat për prodhimin vendas të energjisë.
Të njëjtin qëndrim ka edhe Shoqata Shqiptare për Energjinë e Rinovueshme, anëtarësia e së cilës përmbledh prodhuesit e pavarur të energjisë elektrike,e cila e cilëson si arbitrar vendimin e qeverisë për ndryshimin e formulës së llogaritjes të çmimit të energjisë elektrike të prodhuar nga burimet e rinovueshme të hidrocentraleve të vegjël. Shoqata vlerëson se ky vendim arbitrar është tërësisht në kundërshtim me legjislacionin shqiptar dhe me çdo kontratë koncesioni. Në formulën e re është marrë për bazë çmimi minimal në bursën e Hungarisë për përllogaritjen e çmimit të energjisë, pa llogaritur kostot e transportit që kjo energji ka deri në destinacionin final. Në këtë bursë shkëmbehet energji e prodhuar nga të gjitha burimet energjetike dhe jo vetëm nga ato të rinovueshme, siç është dhe rasti i HEC-eve vendase.
Vendimi i qeverisë ul rreth 30% çmimin e shitjes nga HEC-et e vogla, duke e bërë edhe më të ulët se sa çmimi i importit të energjisë. Ky veprim, i cili hapur favorizon tregtimin dhe jo prodhimin e energjisë në vend, shpie drejt falimentimit të sigurt të gjitha investimet e realizuara si dhe u mbyll rrugën investimeve të ardhshme. Për vitin 2013, në Investimet e Huaja Direkte, investimet në energji mbajnë peshën kryesore.
Argumentet e qeverisë
Tarifat aktuale të energjisë elektrike të miratuara prej Entit Rregullator të Energjisë marrin parasysh vetëm deri në 280 mijë megavat energji të prodhuar nga HEC-et e vogla. Ministriae Energjisë sqaron se, aktualisht, prodhimi i HEC-eve të vogla ka arritur në 748 mijë megavat për 2014-n dhe pritet rritja e mëtejshme në 920 mijë megavat në vitin 2015.
Në mungesë të ndërhyrjes së qeverisë, barra në kurriz të KESH-it, që indirekt është barrë për buxhetin e shtetit dhe taksapaguesit, do të shtohej në mënyrë të konsiderueshme, duke imponuar rritjen e çmimit fundor të energjisë për qytetarët shqiptarë.
Nga viti 2012 në vitin 2013, si rezultat i sasisë së energjisë së blerë nga HEC-et aktualisht në funksion, kosto totale e KESH, e pareflektuar në çmimin e rregulluar të shitjes prej 2.2 lekësh për kW/h, kap shifrën e 32.6 milionë eurove. Ndërsa për vitin 2014, kjo kosto llogaritet të kapë shifrën 39.7 milionë euro me tendencë rritëse vit pas viti. Kjo kosto e re e pareflektuar dhe borxhet e akumuluara ndër vite janë arsyet se përse Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka aplikuar pranë Entit Rregullator të Energjisë për rritje të tarifës së shitjes së energjisë nga 2.2 lekë për kilovat në 3.4 lekë për kilovat. Ndaj qeveria ka vendosur të ndryshojë formulën e llogaritjes së çmimit të blerjes së energjisë prej prodhuesve të vegjël duke e përafruar atë me çmimet reale të tregut.
Rishikimi i kësaj metodologjie do të sjellë efekte pozitive në kostot e blerjes së energjisë për KESH sh.a., në vlerën rreth 2.3 miliardë lekë (për vitin 2015), gjë e cila do të reflektohet në çmimet e shitjes me pakicë për qytetarët shqiptarë, duke mos shkaktuar një deformim të tregut të brendshëm të energjisë elektrike, argumenton Ministria e Energjetikës.
Në këndvështrimin e qeverisë, ndryshimi i metodologjisë së përllogaritjes së çmimit do të nxisë edhe prodhuesit e vegjël që tashmë të mos qëndrojnë të lidhur me këto kontrata shumëvjeçare të nënshkruara me çmime të rregulluara, por të dalin në treg të hapur, ku mund të negociojnë lirisht çmimet e tyre, sipas marrëveshjeve dy apo shumëpalëshe që mund të bëjnë me operatorë të tjerë të tregut, apo konsumatorët e energjisë elektrike. Kjo përkon edhe me vendimin e qeverisë për të hapur tregun e energjisë elektrike deri në masën 40% brenda vitit 2018.
HEC-et private fillojnë të dalin me fitim
Në kulmin e debatit për dëmet që i kanë ardhur mjedisit dhe financave të KESH nga prodhimi vendas i energjisë, të ardhurat e arkëtuara nga subjektet private të prodhimit të energjisë janë rritur në tre vitet e fundit me ritme galopante.
Nga miliarda lekë që ishin të ardhurat në vitin 2011, ato shënuan 3,7 miliardë lekë në fund të vitit 2013. Erdat Lura, kompania më e madhe private për prodhim energjie, që ka ndërtuar në vitet e fundit me skemën koncesionare, që menaxhon hidrocentralet Lura 1, 2 dhe 3, ka deklaruar në 2013-n, një fitim prej 364 milionë lekësh, duke u renditur e 35, sipas kompanive me fitim më të madh, nga një humbje prej 33 milionë lekësh një vit më parë. Të ardhurat nga shitja e energjisë në 2013-n ishin 577 milionë lekë. Kompania gjeneroi një prodhim prej 53,296 MWh në 2013-n, sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë. Kompania HEC i Tërvolit, një tjetër koncesionar që operon me hidrocentralin me të njëjtin emër, ka dyfishuar fitimet në 230 milionë lekë në 2013-n. GJO-SPA POWER është operatori tjetër në këtë segment, që sërish ka rezultuar me një rezultat pozitiv prej 243 milionë lekësh, duke u renditur në vendin e 59 ndër 100 kompanitë me fitim më të madh në vend.
EURON ENERGY GROUP është një tjetër operator privat energjie, që hyn në listën e 100 më të mëdhenjve sipas fitimeve, me një rezultat financiar para taksave prej 171 milionë lekësh, në vitin e parë që ka shitur energji. Ndonëse kanë rezultuar me fitime në bilance, një pjesë e tyre kanë probleme me arkëtimin e pagesave nga shitja e energjisë, duke hyrë në vorbullën e krizës që po kalon sistemi energjetik në Shqipëri, në të gjitha hallkat e tij, nga prodhimi deri te shpërndarja te konsumatori fundor. Ministria e Energjetikës, ndërkohë, ka deklaruar se do të rishikojë kontratat favorizuese që qeveria e mëparshme kishte nënshkruar me këta operatorë (sipas të cilave KESH ua ble prodhimin 10% më shtrenjtë se çmimi i tregut, pasi kjo po krijon një barrë tjetër për operatorin shtetëror të prodhimit të energjisë.
Gjatë vitit 2013, në Shqipëri, prodhuan energji elektrike 80 centrale hidrike me fuqi të përgjithshme të instaluar prej rreth 240 MW, nga të cilat rreth 44 MW përbëjnë HEC-et që nisën prodhimin po gjatë këtij viti. Sipas të dhënave të ERE-s, prodhimi i përgjithshëm për vitin 2013 nga gjeneruesit privatë/koncesion ishte 759 GWh, duke kontribuar me 11.1% në prodhimin e përgjithshëm neto të energjisë elektrike vendase të vitit 2013. Në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2013, ndodhi edhe shkëputja e HEC-eve Ulëz, Shkopet dhe Bistrica 1, 2 nga prodhuesi publik KESH sh.a. Në gjashtëmujorin e dytë, këto HEC-e u administruan nga Kurum International sh.a. dhe realizuan një prodhim prej 126 GWh nën administrimin e shoqërisë Kurum International. Të dyja kompanitë kanë gjeneruar një fitim prej 573 milionë lekësh. Në fund të vitit 2013, Ulëz, Shkopet dhe Bistrica 1, 2 janë çregjistruar pa likuidim dhe janë përthithur nga mëma, Kurum international, sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.