Kryetarja e Konkurrencës Lindita Milo raporton në Kuvend, rriten ankesat e biznesit, hapen procedurat hetimore për tregun e telefonisë celulare dhe tregun e vezëve…
Prokurimet, telefonia celulare dhe karburantete kanë qenë tregjet më problematike sa i përket konkurrencës. Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës znj. Lindita Milo (Lati) ka paraqitur raportin vjetor të Autoritetit të Konkurrencës. Sipas Milos, ceprimtaria është fokusuar kryesisht në evidentimin dhe hetimin e praktikave antikonkurruese: si marrëveshjeve të ndaluara dhe abuzimin me pozitën dominuese, vlerësimin ex-post të të drejtave ekskluzive, kontrollin e procesit të përqëndrimit të strukturave të tregut si dhe vlerësimin e akteve ligjorë dhe nënligjorë që kanë impakt mbi konkurrencën në tregje.
Gjatë vitit 2014 ka vazhduar trajtimi i rasteve të mbartura nga viti 2013 në tregje të tilla si: tregu i sigurimeve të detyrueshme të mjeteve motorrike. tregu i telefonisë celulare me pakicë, tregu i prodhimit, importit dhe shitja me shumicë e karburanteve.
Gjithashtu, bazuar kryesisht në ankesat nga operatoret e tregut janë realizuar proçedurat e hetimit në tregje si: tregu i transportit ndërkombëtar detar të udhëtarëve dhe të automjeteve; tregu i prokurimeve publike i shërbimit të ruajtjes fizike në qarkun e Dibrës; importi dhe tregtimi me shumicë i duhanit të paketuar; tregu i prokurimit publik për ndërtimin e rrugës së Unazës së Jashtme Tiranë; tregu i blerjes së energjisë elektrike për të mbuluar humbjet nga OSHEE-ja si dhe tregu i telefonisë celulare me pakicë (në proçes).
Inspektimet e befasishme
Sipas kreut të Konkurrencës “në të gjitha rastet e hetuara për marrëveshje të ndaluar, Sekretariati i Autoritetit ka kryer inspektime në formën e daën raids në të njëjtën kohë në të gjitha ndërmarrjet, si dhe ka realizuar investigimin e dokumenteve në forme elektronike, për të cilën janë trajnuar dy inspektorë duke përmirësuar cilësinë e evidencave të administruara”.
Në përmbledhjn e rasteve gjatë vitit 2014 Komisioni i Konkurrencës janë marrë 42 vendime nga të cilat 2 vendime me gjobë, 1 vendim me kushte dhe detyrime, 3 raste është hetuar për abuzim me pozitën dominuese; për marrëveshje të ndaluara është hetuar në 7 raste; 8 vendime janë autorizim për përqëndrime, 4 vendime për rekomandime ndaj institucioneve publike për aktet ligjore, si dhe 1 vendim për përjashtim të marrëveshje nga ndalimi.
Rriten ankesat
Sipas Autoritetit të Konkurrencës është rritur me më shumë se 2 herë numri i ankesave drejtuar Autoritetit të Konkurrencës gjatë vitit 2014 (33 në total) përbën një zhvillim të rëndësishëm në drejtim të rritjes së kulturës dhe avokatisë së konkurrencës. Praktikat e vendeve të zhvilluara dhe anëtare të Bashkimit Europian sugjerojnë se shumica e procedurave hetimore (mbi 90 %) fillojnë në bazë të ankesave dhe aplikimit për lehtësim nga gjobat nga ana e ndërmarrjeve. Ndërgjegjësimi i komunitetit të biznesit, për përdorimin e programit të lehtësimit nga gjobat, përbën një nga sfidat më kryesore të instituconit të konkurrencës, pasi ky instrument përdoret kryesisht për zbulimin e karteleve dhe marrëveshjeve të ndaluara midis ndërmarrjeve.
Bilanci proceseve gjyqësore
Gjatë vitit 2014, Autoriteti i Konkurrencës ka pasur për shqyrtim në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë, 8 çështje, nga të cilat 5 janë shqyrtuar (fituar 3) dhe mbeten 3 për t’u shqyrtuar në 2015. Në Gjykatën Administrative të Apelit kanë qenë për shqyrtim 8 çështje, nga të cilat 4 janë gjykuar (fituar 1) dhe mbeten 4 për t’u shqyrtuar në 2015. Në Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë gjatë 2014 kanë qenë 11 çështje për gjykim, nga të cilat vetëm 1 është vendosur mospranim i Rekursit të paraqitur një nga ndërmarrjet e penaliziuara, duke konfirmuar përfundimisht vendimin e Komisionit të Konkurrencës dhe për 1 (një) çështje është vendosur kthimi për rigjykim në Gjykatën e Apelit, kurse 9 çështje janë për shqyrtim për 2015.
Hetimet e 2015, nga celularët, energjia dhe vezët
Autoriteti i Konkurrencës ka filluar punën për vitin 2015 me një axhendë të qartë të sektorëve prioritarë për ndërhyrjen me qëllim rivendosjen e konkurrencës së lirë dhe efektive në treg. Ndërkohë pritet që tendenca e ankesave të vazhdojë të paktën me të njëjtin ritëm, për të na mundësuar ndërhyrjen dhe marrjen e masave ndëshkuese dhe rregulluese në ato tregje apo sektorë të ekonomisë ku sjellja e një ose disa operatorëve ka cenuar konkurrencën në treg.
Ndër sektorët kryesorë, janë sektori i komunikimeve elektronike, energjia dhe gazi, bujqësia, sektori bankar, etj., ndërkohë që pritet që një sërë procedurash hetimore të hapen dhe bazohen në ankesat e ndërmarrjeve në tregje dhe sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
Për vitin 2015 është realizuar monitorimi në tregun e prodhimit dhe shitjes së vezëve, për të cilin është vendosur hapja e procedurës së hetimit paraprak. Gjithashtu, monitorimi i tregut të importit dhe shitjes me shumicë të gazit do të vazhdojë për shkak të dominancës individuale që ka një shoqëri në këtë treg.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.