Autoriteti I Konkurrencës njofton se ka shqyrtuar “autorizimin e përqendrimit të realizuar nëpërmjet përftimit të 100% të kapitalit aksionar të Landeslease Sh.a nga Union Bank Sh.a ”. Konkurrenca e ka miratuar këtë përqendrim, pasi nga analiza e tregut ka rezultuar se ky përqendrim nuk shfaq shenja të kufizimit të konkurrencës në treg ose në një pjesë të tij në veçanti, si rezultat i krijimit ose forcimit të pozitës dominuese.
Transaksioni dhe përqendrimi
Përqendrimi realizohet në bazë të “Kontratave së shitblerjes së aksioneve të Landeslease Sh.a” lidhur më datë 25 Shtator 2014, ndërmjet aksionarëve të Landelsease Sh.a dhe Union Bank Sh.a, me objekt transferimin e 100% të aksioneve të Landeslease Sh.a tek ndërmarrja Union Bank Sh.a. Marrëveshjet janë nënshkruar në të njëjtën datë dhe do te hyjnë në fuqi në ditën e mbylljes pasi të jenë plotësuar kushtet e përmbylljes sipas nenit 4.1 të kontratës së shitblerjes së aksioneve, ndër të cilat është dhe autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.
Transaksioni i transferimit të xxx% të aksioneve nga Landeselase tek Union Bank realizohet ndërmjet dy kontratave të veçanta me të njëjtin objekt ‘transferimi i aksoneve të Landeslease‘ . Nëpërmjet kontratës së parë aksioneri maxhoritar Emerging Europe Leasing and Finance (EELF) B.V do të transferojë të gjithë zotërimin e tij prej 71% të kapitalit aksionar në Landeslease Sh.a tek Union Bank Sh.a dhe me anë të kontratës së dytë aksionerët e minorancës do të transferojnë zotërimet e tyre prej xx, xx% dhe xx% tek ndërmarrja Union Bank.
Ky transaksion është në përputhje të plotë me nenin 10.1.b) të Ligjit dhe për pasojë përbën një përqendrim në kuptim të tij.
2. Palët në transaksion Union Bank Sh.a, në cilësinë e blerësit , është një shoqëri e cila është themeluar dhe funksionon në bazë të legjislacionit të Shqipërisë me seli në adresën: Blv. Zogu Parë, Tiranë. Shoqëria ushtron veprimtarinë si më poshtë: (i) të pranojë dhe të grumbullojë depozita bankare, te japë kredi; (ii) të marrë hua mjete financiare dhe të blejë ose të shesë për llogari të saj apo për llogari të klientëve; (iii) instrumente të tregut të parave, letra me vlerë të borxhit, kontrata të së ardhmes dhe kontrata të së ardhmes dhe kontrata me kusht; (iv) të ofrojë shërbimin e pagesave dhe të arkëtimeve; (v) të emetojë, të pranojë dhe të administrojë mjete të pagesave; (vi) të ndërmjetësoje për transaksione monetare; (vii) të ushtrojë qira financiare.
Union Bank është regjistruar si institucion financiar/bankë tregtare më 28 Dhjetor 2005 dhe funksionon në përputhje të plotë më Liçencën dhe me Ligjin nr. 9662, datë 18 Dhjetor 2006 “Për bankat në Republikën e Shqipërisë” si dhe me të gjitha rregullat dhe rregulloret e aprovuara nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë. Landeslease Sh.a, në cilësinë e ndërmarrjes target, është një shoqëri e cila funksionon në bazë të legjislacionit të Shqipërisë, me seli në adresën: Rruga Themistokli Germenji, Ndertesa Sefbi, nr.10, Tiranë. Objekti1 i shoqërisë është veprimtaria e qerase financiare ne përputhje me ligjin për qiranë financiare.
Vlerësimi i konkurrencës pas përqendrimit
Tregu i qirasë financiare është një treg shumë i përqendruar. Ai nuk paraqet pengesa domethënëse në hyrje për subjektet e reja të cilat duan të ushtrojnë aktivitetin e tyre ekonomik në të.
Ky transaksion nuk sjell asnjë ndryshim sa i takon pjesës së tregut që do të zërë Landeslease pas realizimit të transaksionit, pasi Union Bank nuk është prezente në këtë treg.
Si pasojë niveli i përqendrimit të tregut, struktura e tregut dhe fuqia e Landeslease në treg pas transaksionit ngelet e pandryshuar pas realizimit të transaksionit.
Sa më sipër, ky përqendrim nuk shfaq shenja të kufizimit të konkurrencës në treg ose në një pjesë të tij në veçanti, si rezultat i krijimit ose forcimit të pozitës dominuese dhe për këto arsye duhet të autorizohet në përputhje me nenin 56/1 të Ligjit nr 9121, datë 28.7.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, i ndryshuar, përfundon njoftimi zyrtar i Autoritetit të Konkurrencës.