Konkurrenca, pse Serbia është vërtet një yll në ngjitje në industrinë automotive

26/02/2019 4:07 PM 0 komente

Serbia është ndoshta vendi që shihet më pozitivisht nga kompanitë europiane dhe globale lidhur me stabilitetin e politikave të saj, pozicionin shumë të mirë gjeografik dhe kushtet e eksportit. Janë këto arsyet se pse sidomos kompanitë gjermane, por jo vetëm, po orientohen gjithmonë e më shumë drejt këtij vendi.

Por cilët janë në fakt emrat që mbizotërojnë. Një nga investitorët më të mëdhenj në sektorin automotiv serb është FIAT që përfaqësohet nga “Fiat Chrysler Automobile”. Sipas shifrave të bëra publike, kompania prodhon 100 mijë mjete në vit dhe eksporton në tregjet europiane dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nga viti 2005 e në vazhdim, Serbia ka parë vetëm rritje të interesit nga investitorë të këtij sektori, ndërkohë që proceset e punës janë bërë më komplekse, duke krijuar edhe kthim më të lartë. Sot kompanitë prodhojnë pjesë të motorit të makinave, bateri dhe disqet e frenave. Procesi nuk është më te pajisjet kabllore, që është ndoshta A-ja e këtij sektori. Që Serbia ka këtë lloj zhvillimi, sigurisht që po e ndihmojnë dy kushte shumë të favorshme.

Kushti i parë, marrëdhënia që ka me tregun rus si dhe ajo me Bashkimin Europian. Serbia ka mundësi që në BE të hyjë pa doganë apo tarifa, kurse në pjesën e ish-Jugosllavisë dhe Rusisë, shifrat zyrtare tregojnë se 31% e eksporteve shkojnë pikërisht në këto destinacione. Gjysma e kompanive në sektorin automotiv në Serbi janë të mëdha, kurse ato të mesme zënë 38% të totalit dhe vetëm 14% e prodhimit kryhet nga biznesi i vogël. Dy të tretat e kompanive kanë aksionerë lokalë apo vendas. Mes gjithë investitorëve ndërkombëtarë, financialobserver.eu raporton se sllovenët janë më aktivë, të ndjekur nga Gjermania dhe Franca.

Avantazh tjetër, që duket se ka favorizuar Serbinë, është e kaluara e saj historike, e lidhur me industrinë automotive që nis në vitet 1930, kur kishte një interes lokal për të zhvilluar këtë sektor dhe Zastava, një prodhues lokal i motorëve prodhoi automobilin e parë nën licencën e marrë nga FIAT. Më pas, Serbia u bë një destinacion për “Mercedes”, “Ford”, “Opel” dhe prodhues të tjerë. Gjithsesi, situata politike në vitet 1990 dhe ndarja e ish-Jugosllavisë uli prodhimin dhe kapitalin e huaj. Gjërat gjithsesi ndryshuan nga vitet 2000 dhe deri në 2009, industria automotive konsistonte në gjashtë kompani që prodhonin motoçikleta dhe rreth 70 furnizues të pjesëve.

Serbia, ndërkohë, nuk ka njohur qëndrim statik apo rënie. Ajo ka vazhduar vit pas viti rritjen e saj, duke rritur paralelisht edhe aftësitë prodhuese, zhvillimin e strategjive dhe mundësive në sektor, në veçanti përmes bashkëpunimit me vende të tjera.
Gjermania e para? Gjermania është tregtari kryesor i huaj me Serbinë dhe kompanitë gjermane kanë plane për të ndërtuar dy njësi prodhimi në vend. Kompania gjermane ZF, një lider ndërkombëtar në boshte, shasi dhe teknologjinë e sigurisë, do të hapë një fabrikë në zonën industriale të Pancevo, duke punësuar 1 mijë persona. “Vorwerk Autotec” gjithashtu do të ndërtojë një fabrikë në Serbi në Cacak.

Prodhuesi i kabllove dhe fijeve elektrike “Leoni”, që ka investuar tashmë 75 milionë euro në Serbi, ka vendosur që të hapë një fabrikë të katërt, po si njësi prodhimi në Nish, me një forcë punëtore 1250 punonjës, duke u bërë punëdhënësi më i madh në vend. Edhe Britania e Madhe pritet të bëjë investimin e saj të tretë të madh në Serbi, nga krijimi i një fabrike të re në Ruma përmes prodhuesit të pajisjeve për motorë nga Albon.

Prodhuesi francez i pjesëve të makinave “Le Belier” hapi një njësi të re të derdhjes së aluminit në Kikinda, në veri të Serbisë, në qershor, duke investuar 7.5 milionë euro në këtë projekt. Kjo fabrikë e re i shtohet asaj ekzistuese në Kikinda, që është në operim që nga viti 2003. Ndërkohë, kompania italiane “Plastikcam East” ka hapur një fabrikë të përpunimit të termoplastikës në Subotica, ndjekur nga një investim tjetër në zhvillim, me një vlerë prej 3 milionë eurosh.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of