Autoriteti i Konkurrencës i ka rekomanduar qeverisë që të rishikojë pagesat e shërbimeve të aeroportit të Rinasit çdo tre vjet si një pikë që e sanksionon kontrata e lidhur mes shtetit shqiptar dhe koncesionarit. Në një dokument të bërë publik së fundmi Autoriteti thekson se ka vendosur t’i rekomandojë Këshillit të Ministrave që t’i kërkojë Organit Shtetëror të Autorizuar që “në zbatim të pikës 19. 2, germa (a), të Kontratës se Koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar në cilësinë e Organit Shtetëror të Autorizuar dhe në bashkëpunim me shoqërinë koncensionare të rishikojnë Pagesat për Shërbimet e Aeroportit siç parashikohet çdo tre vjet.
Për shkak të pozicionit të kompanisë koncensionari si i vetmi ofrues i shërbimeve ndërkombëtare të transportit të pasagjerëve, OSHA të hartojë dhe aprovojë një metodologji/rregullore për vendosjen e tarifave të aeroportit, si edhe tarifat të jenë të orientuara drejt kostos” thuhet në dokumentin e Konkurrencës. Ky rekomandim ka ardhur pas analizimit të një seri zhvillimesh në tregun e shërbimit të transportit ajror në vend që ka në themel së pari ndryshimin e pjesës së ekskluzivitit që koncesionari kishte mbi hapësirën ajrore shqiptare.
Falë një periudhe negocimi të gjatë, ky ekskulzivitet u hoq por në të vërtetë Shqipëria nuk është se ka përfituar shumë deri tani duke qenë se në themel të kësaj përpjekeje ishte aktivizimi i një aeroporti të dytë siç ishte ai i Kukësit që nuk ka ndodhur.
Konkretisht marrveshja nga e cila ka përfituar vetëm koncesinari u amendua kështu :Koncesioni jepet për një afat kohor prej 22 (njëzet e dy) vitesh, duke filluar nga data e fillimit (Afati i koncesionit). Në rast se ndonjë aeroport apo aeroporte, përveç Aeroportit të Kukësit, fillon operimin (për fluturime tregtare (që për këtë qëllim do të thotë data në të cilën kryhet fluturimi i parë tregtar) në Republikën e Shqipërisë përpara datës 23 prill 2025 (operimi i një aeroporti të ri tregtar), afati i koncesionit do të zgjatet dhe zgjatja e afatit të koncesionit nuk do të tejkalojë limitin maksimal prej 4.5 (katër pikë pesë) vite në total).
Konkurrenca gjithashtu ka konstatuar se tarifat e shërbimit të TIA-s janë më të larta se tarifat që ofrojnë aeroportet rajonalë dhe është pikërisht kjo arsyeja pse duhet parë me kujdes plani i rishikimit çdo tre vjet. Por më shumë sesa një këmbëngulje e TIA-s kjo duket se një neglizhencë insiucionale.
Konkurrenca pranon se nga të dhënat që ka mbledhur TIA ka konfirmuar se nuk ka ndryshuar asnjëherë pagesat që nga koha e nisjes së koncesionit por kjo duhet të ishte bërë nga kërkesa e organit shtetëror të Autorizuar. Nga sa më sipër, konstatohet se OSHA dhe Koncesionari nuk kanë zbatuar detyrimin ligjor të parashikuar në pikës 19. 2, germa (a), të Kontrates sec Koncesionit, si dhe nuk kanë marrë në konsideratë rekomandimet e dhëna ng aAutoriteti i Konkurrencës lidhur me rishikimin e pagesave për shërbimet e Aeroportit, siç parashikohet çdo tre vjet, si dhe hartimin dhe aprovimin e metodologjive/rregulloreve për vendosjen e tarifave të aeroportit, të cilat duhet të jenë të orientuara drejt kostos duke kufizuar konkurrencën në zbatim të ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, (i ndryshuar) në këtë treg” vlerëson Konkurrenca.
I njëjti institucion ka kërkuar që në këtë rekomandim të mbështetet nga Komisioni i Ekonomisë dhe Financave dhe Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin në Kuvendit të Republikës së Shqipërisë në mënyrë që të bëhet i mundur zbatimi, përfundon njoftimi i Konkurrencës.
Biletat e shtrenjta
Çmimet e biletave ajtore në Tiranë mbeten më të shtrenjtat në rajon, ndërsa në Shkup, Podgoricë e Kosovë janë mesatarisht 50% më të lira sesa tek ne. Në sezonin e verës, çmimet e biletave janë shtrenjtuar ndjeshëm nga të gjitha destinacionet kryesore të shqiptarëve, si nga Italia, Londra, Gjermania etj, duke rritur kostot sidomos për emigrantët që duan të vijnë në Shqipëri, duke rezultuar mbi 200 euro për vetëm një drejtim. http://www.monitor.al/cmimet-e-cmendura-te-biletave-te-avioneve-kete-vere-mbi-200-euro-per-nje-drejtim-per-emigrantet/
Monopoli i fluturimeve në Rinas është një nga faktorët kryesorë që mban çmime të shtrenjta, për shkak të taksave të larta aeroportuale. Tirana International Airport, që menaxhon me koncesion aeroportin e vetëm në vend, deklaroi për vitin 2017 fitime prej rreth 21 milionë eurosh, me një normë fitimi prej 47%, duke e renditur atë ndër kompanitë më fitimprurëse në vend.
Nisur nga fitimet e larta, qeveria ka hapur së fundmi një tender për të audituar ecurinë e koncesionit për më shumë se një dekadë, saktësisht nga 2004 deri në vitin 2017. Auditimi synon të skanojë ecurinë e zbatimit të kontratës së nënshkruar mes shtetit shqiptar dhe koncesionarit duke pasur parasysh treguesit kyçë si investimet, detyrimet, normën e fititmit dhe rikthimit të kapitalit si dhe dhe sa është espektuar përqindja e dakordësuar në planin fillestar të biznesit. Të gjithë bilancet vit pas viti do të shihen me kujdes dhe nëse kompania ka realizuar me korrektesë të gjithë parametrat. Nëse gjithçka rezulton në rregull ky pritet të jetë veç një kontroll rutinë mbi një koncesion ndërkohë që nëse të dhënat kanë devijime duket se insitucionet shqiptare duan që ta përdorin si “presion” mbi kompaninë për t’i imponuar asaj ulje të tarifave që e bëjnë atë një nga aeroportet më të shtrenjta jo vetëm në rajon.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.