Kompania rrezikon gjobë deri në 10% të xhiros, apo deri në 13 milionë euro…
Shitja e mbi 80% të aksioneve të kompanisë së rafinerisë së naftës ARMO tek Heaney Assets Coorporation, transaksion i realizuar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR) në datën 8 gusht, ka anashkaluar konkurrencen, për shkak se në bazë të ligjit për konkurrencën duhet të ishte bërë paraprakisht njoftimi i përqendrimit të këtij transaksioni, bëhet e ditur nga burime pranë këtij institucioni.
Sipas nenit 14 të ligjit për konkurrencën, pika 1 germa a, përqendrimet nuk realizohen përpara njoftimit tek Autoriteti i Konkurrencës dhe për më tepër nuk duhet të bëhet ndryshimi i aksionerëve në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, pa u shqyrtuar përqendrimi nga Autoriteti.
Sipas ligjit kompania rrezikon gjobë, si për mosnjoftim ashtu dhe për realizim të ndryshimeve të panjoftuar.
Për mosnjoftim, në bazë të nenit 73pika 1, rrezikojnë gjoba deri në 1 % të xhiros.
Për realizim të transaksionit në QKR pa njoftuar gjoba është më e rëndë, ajo shkon deri në 10% të xhiros, sipas nenit 74 pika 1 germa d. Duke pasur parasysh që xhiro e deklaruar e ARMO-s ishte rreth 130 milionë euro në 2012-n, atëherë kompania rrezikon një gjobë prej deri në 13 milionë euro.
Mbi 80% e aksioneve të ARMO, në pronësi të grupit Taçi Oil, iu shitën azerëve të Heaney Assets Coorporation në datën 8 gusht, një transaksion ky që ka ngjallur shumë debate dhe interes.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.