Autoriteti i Konkurrencës në një vendim që mban datën 25 mars 2003 ka vendosur “hapjen e hetimit të thelluar ndaj ndërmarrjes Vodafone Albania në tregun e telefonisë celulare me pakicë”.
Vendimi u mor pasi në mbledhjen e datës 18 mars u shqyrtua raporti i hetimit paraprak në tregun e telefonisë celulare me pakicë me parapagesë.
Ky vendim, sipas Autoritetit, u mor për të parë nëse ka apo jo shenja të kufizimit të konkurrencës në një treg ku veprojnë katër operatorë, Vodafone, AMC, Eagle, Plus.
Një nga kriteret kryesore që përcaktojnë pozitën dominuese në treg është pjesa e tregut që zënë ndërmarrjet në tregun përkatës. Sipas Autoritetit, përvoja e vendeve të Bashkimit Europian udhëzon që pozita dominuese nuk është e mundur nëse pjesa e tregut përpaktës të ndërmarrjes është më e vogël se 40%.
Ndërkohë Autoriteti ka konstatuar se pozita në treg e tre konkurrentëve (AMC, Eagle, Plus) të marrë së bashku, është më e vogël se e konkurrentit kryesor, Vodafone. Konkretisht, Vodafone ka 54% të tregut për ndaj të ardhurat dhe e ka rritur këtë peshë me rreth 3 pikë përqindjeje.
Sipas Autoritetit, Vodafone e ka rritur shumë shkallën e përqendrimit në treg. Në këtë shkallë të lartë përqendrimi nuk ndihet shumë fuqia e dy operatorëve me të vegjël, Eagle dhe Plus.
Tregu shqiptare dominohet nga përdoruesit me parapagesë, që zënë mbi 90% të totalit të përdoruesve.
Pasi ka analizuar pjesët përkatëse të tregut në të gjithë treguesit Autoriteti i Konkurrencës ka arritur në përfundimin se Vodafone Albania ka një pozitë dominuese në tregun e telefonisë celulare me pakicë me parapagesë.
Sipas Autoritetit, “Rrjedha e fluksit të trafikut drejt thirrjeve Brenda rrjetit (on-net), -ku Vodafone 95% të thirrjeve i ka Brenda rrjetit- është rezultat i zbatimit të diferencimit të tarifave midis praktikave për thirrjet on-net dhe off-net (jashtë rrjetit). Rrjedha e fluksit të trafikut on-net (Vodafone zotëron 51% të thirrjeve në on-net/totalin e thirrjeve on-net të të gjithë operatorëve) ka prirje për të zvogëluar pjesët e tregut të operatorëve më të vegjël”.
Për këto arsye, Autoriteti vendosi hapjen e hetimit të thelluar në tregun e telefonisë celulare me pakicë me parapagesë, ku do të hetohet periudha 2011-2012. Hetimi duhet të përfundojë për 6 muaj nga data e marrjes së këtij vendimi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.