Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit (KKK) njoftoi se në total, për tre qytete Tiranë, Durrës dhe Fier, numri i kontabilistëve që certifikohen për Standardet Kombëtare të Kontabilitetit dhe ato Ndërkombëtare të Raportimit Financiar shkon në 887. E ndërsa numrin e kryeson Tirana, me një total prej 776 personash të trajnuar dhe të certifikuar tashmë, dy qytetet e tjera për të cilët janë bërë të ditur emrat e atyre që kanë kaluar provën, janë Durrësi dhe Fieri.
Vetëm për qytetin e Durrësit janë të pakën 47 persona të cilët do të marrin certifikatën që u njeh atyre zotërimin e standardeve (shih listën në fund). Për këtë grup certifikatat do të shpërndahen nga stafi i KKK-se në datë 12 Maj, ora 11:00 – 13:00, në mjediset e qendrës tregtare Blue Star, në adresën Rr “Liburnika, 17, Durrës 2000, në hollin e katit ku u zhvillua trajnimi.
Ndërkohë për Fierin janë të paktën 64 persona që kanë ndjekur trajnimet dhe që do të certifikohen (shih listën në fund). Për këta të fundit certifikatat do të shpërndahen nga stafi i KKK-së në datë 11 Maj, ora 17:00 – 19:00 në mjediset e hotel “Internacional” (salla e mbledhjeve). Hoteli gjendet afër qendrës së qytetit në adresën Lagjja 1 Maji, Rr “Çamëria” përballë Kishës Ortodokse.
Kushti për marrjen e certifikatës është ndjekja e të paktën 75 për qind të orëve të trajnimit ndërkohë që për tërheqjen e dokumentit ka nevojë për paraqitje të kartës së identitetit. Shpërndarja për Tiranën u bë në ditët e para të majit.
Kontabilistët dhe ekonomistët me të paktën 3 vjet përvojë u bënë pjesë e trajnimeve nga nëntori i vitit të kaluar deri në mars të këtij viti, sipas projektit që zbatoi Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit lidhur me trajnimin në shkallë të gjerë të kontabilistëve për Standardet e Përmirësuara Kombëtare të Kontabilitetit.
Kjo nismë ishte në kuadër të projektit “Forcimi i edukimit në fushën e kontabilitetit dhe auditimit për hartuesit e pasqyrave financiare dhe punonjësit e tatim-taksave, dhe i kapaciteteve teknike në profesionin e kontabilistit dhe audituesit”, në bashkëpunim të ngushtë me Institutin e Kontabilistëve të Miratuar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.