Çmimet e referencës, respektimi i procedurave të rivlerësimit doganor apo kontrabanda në vlera të vogla janë disa nga shqetësimet që ka ngritur biznesi i Dhomës Amerikane të Tregtisë në një takim me Drejtoreshën e Përgjithshme të Doganave Belinda Ikonomi. Lidhur me çështjen e parë që është ajo e referencave biznesi u shpreh se pavarësisht akteve nënligjore të miratuara po edhe Kodit Doganor që hyri në fuqi në 1 qershor 2017 ngërçi ka të bëjë me zbatimin e gabuar në praktikë dhe jo me plotësinë e kuadrit. Biznesi theksoi se brenda sistemit rregullator përcaktohet qartë se kur përdoret nga dogana vlera e transaksionit dhe kushtet në të cilat kalohet për rivlerësim të cilat zbatohen sipas radhës.
Në udhëzimin e fundit të Ministrit të Financave përcaktohet se kur ekziston një ndryshim i dukshëm midis vlerës së deklaruar dhe çmimeve të Database Kombetar apo të dhënave te disponueshme nga bursat, ky përbën një indikator risku dhe rrjedhimisht në praktike do të kemi një rivlerësim të vlerës së transaksionit. Ky parashikim lë vend për interpretim se kush do të konsiderohet ndryshim i dukshëm.
Rivlersimi doganor dhe kontrabanda
Një tjetër shqetësim për të cilën biznesi u ankua është mungesa e akteve te arsyetuara për rivlerësimet doganore nga ana e administratës të cilat pengojnë operatorin të ndjekë procedurat e apelimit (pasi mungon akti administrativ i cili duhet të apelohet). Argumentimi i doganës për rivlerësimin doganor sipas biznesit është në shumë raste i ceket dhe i pabazuar në ligj. Po kështu, shumë kërkesa te subjekteve për korrigjim të deklaratës doganore mbeten pa përgjigje dhe veprim nga administrata.
Mes gjithë ankesave ishte edhe një që lidhej me kontrabandën në vlera të vogla që kryhet në pikat doganore kufitare. Kjo sipas biznesit të Dhomës Amerikane është kthyer në një shqetësim dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave duhet të marrë masa.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.