Intervistë me Jens Reinke, përfaqësues i përhershëm i FMN-së në Shqipëri
Së fundmi, ka disa prova që tregojnë se kontrabanda dhe evazioni ndikojnë veçanërisht në të ardhurat e grumbulluara nga TVSH-ja dhe akcizat. Qeveria ka ndërmarrë hapa për të bërë përmirësime administrative dhe institucionale
Jens Reinke, përfaqësues i përhershëm i FMN-së në Shqipëri, në një intervistë të posaçme për ‘Monitor’, i pyetur për arsyet e rënies së të ardhurave, ka pohuar troç se, krahas faktorëve të jashtëm, “ka disa prova që tregojnë se kontrabanda dhe evazioni ndikojnë veçanërisht në të ardhurat e grumbulluara nga TVSH-ja dhe akcizat”.
Reinke thotë se FMN i mbështet veprimet e qeverisë për të luftuar evazionin, por këshillon qeverinë “që të ndjekë parimet dhe praktikat më të mira në këtë ndërmarrje”.
Për planin për të dhënë lotarinë tatimore me propozim të pakërkuar, ai i rekomandon qeverisë të ndjekë praktika të mira prokurimi në të gjitha kontraktimet, përfshirë koncesionet.
Reinke është kundër futjes së TVSH-së te bizneset e vogla, ndërsa e këshillon qeverinë të ndalojë së miratuari përjashtime të reja nga taksat dhe të heqë ato ekzistueset.
Si do ta vlerësoni ecurinë e ekonomisë për 8 muajt e 2015-s dhe pjesën e mbetur të vitit, në raport me pritshmëritë?
Parashikimet tona më të fundit për vitin 2015 janë për një rritje rreth 2.5 deri në 3%. Gjithsesi këto parashikime do të rifreskohen pas disa javësh. Kjo do të thotë që ne vazhdojmë të shohim një ringritje të rritjes ekonomike, por ekonomia është ende nën potencial.
Qeveria ka nisur në shtator, një aksion të ashpër kundër informalitetit në vend. Ndërsa veprimet kundër informalitetit janë të mirëpritura, si do t’i vlerësoni hapat konkretë që po ndiqen dhe përqendrimin e aksionit te bizneset e vogla? Sa efektiv e vlerësoni se do të jetë ky aksion dhe sa të ardhura mund të sjellë në buxhet biznesi i vogël në raport me kostot që duhen për të kontrolluar këto biznese?
Ashtu si e kam kuptuar unë fushatën, qëllimi është që të adresohet evazioni fiskal gjerësisht, pavarësisht nga madhësia e biznesit. Qeveria është e ndërgjegjshme që ka evazion fiskal në bizneset e mëdha gjithashtu. Por zbatimi i ligjit, rregullat e lojës dhe klima e biznesit do të përfitonin nëse legjislacioni tatimor zbatohet në mënyrë të drejtë për të gjithë bizneset dhe individët. Ne i mbështesim përpjekjet e qeverisë për të luftuar evazionin fiskal dhe për të zgjeruar bazën e tatueshme dhe ne po e këshillojmë qeverinë që të ndjekë parimet dhe praktikat më të mira në këtë ndërmarrje.
Cilat janë, sipas analizave të ekspertëve tuaj, sektorët ku evazioni është më i lartë dhe cilat janë hapat dhe veprimet që rekomandon FMN-ja për t’u ndjekur në mënyrë që raporti përfitime/kosto të jetë sa më i lartë?
Evazioni fiskal është gjerësisht i përhapur në shumë sektorë dhe rajone në Shqipëri, çka i kushton qeverisë burime të rëndësishme. Ne punojmë me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për të forcuar kapacitetet e tyre. Fushata aktuale është hartuar nga qeveria dhe ne do ta vlerësojmë atë në bazë të suksesit që do të ketë.
Ministria e Financave ka pranuar se po punon me një propozim të pakërkuar për lotarinë tatimore, jashtë operatorëve aktualë të licencuar për kasat fiskale. Si e vlerësoni ju?
Ne këshillojmë qeverinë të ndjekë praktika të mira prokurimi në të gjitha kontraktimet, përfshirë koncesionet.
Ka një plan të Ministrisë së Financave për të hequr pragun e TVSH-së. Si e vlerësoni këtë? Nga të dhënat tuaja, sa efektive ka rezultuar ulja e mëparshme e pragut nga 8 në 5 milionë lekë?
Për momentin, fokusi është në luftën kundër evazionit fiskal dhe jo në ndryshimin e taksave. Praktikat më të mira sugjerojnë se ndërmarrjet më të vogla nuk duhet të jenë subjekte të TVSH-së, por natyra dhe masa e pragut mund të diskutohet vetëm pasi të kemi një pasqyrë më të qartë të bazës së taksueshme.
Të dhënat e Ministrisë së Financave për 8-mujorin tregojnë se ka një mosrealizim prej 18.3 miliardë lekësh nga tatimet e doganat, në raport me planin fillestar. Cilat janë, sipas jush, arsyet e kësaj performance të dobët, sidomos të TVSH, akciza dhe TAP.
Faktorë të jashtëm, si p.sh. rënia e çmimeve të naftës dhe e normave të interesit, luanë një rol të rëndësishëm në shpjegimin e mosrealizimit të të ardhurave. Megjithatë, një analizë më e hollësishme tregoi gjithashtu se bashkëpunimi midis agjencive që grumbullojnë të ardhura dhe Ministrisë së Financave nuk ka qenë aq efektiv sa do të duhej dhe se janë bërë disa gabime të evitueshme në parashikimin e të ardhurave. Së fundmi, ka disa prova që tregojnë se kontrabanda dhe evazioni ndikojnë veçanërisht në të ardhurat e grumbulluara nga TVSH-ja dhe akcizat. Qeveria ka ndërmarrë hapa për të bërë përmirësime administrative dhe institucionale.
Ministria e Financave e ka justifikuar një pjesë të performancës së dobët të të ardhurave nga ndryshimet strukturore të ekonomisë, si dhe nga përjashtimet e TVSH-së për makineritë për investime. Duke qenë se këta faktorë mund të bëhen të qëndrueshëm, ku i shihni ju burimet e rritjes së të ardhurave në të ardhmen. Cilat janë rekomandimet tuaja në drejtim të konsolidimit fiskal, në drejtim të të ardhurave (ka më hapësirë për rritjen e taksave dhe ku), apo shpenzimeve?
Evazioni fiskal dhe një bazë e ngushtë e tatueshme rezultojnë në të ardhura të ulëta. Tashmë, qeveria po e adreson në mënyrë aktive evazionin fiskal. Ne e këshillojmë qeverinë që paralelisht, të ndalojë së miratuari përjashtime të reja nga taksat dhe të heqë ato ekzistueset. Ne gjithashtu shohim mjaft hapësirë për përmirësimin e cilësisë së shpenzimeve publike, përfshirë investimet. Për këtë arsye, qeveria është angazhuar të listojë sipas prioritetit, në mënyrë transparente, projektet e investimeve publike. Po bëhen përpjekje të mëdha për të forcuar kapacitetet e menaxhimit të financave publike për të siguruar që shqiptarët të marrin shërbime cilësore nga paratë publike të shpenzuara.
Një projektligj i tatimit mbi të ardhurat, i hartuar nga ekspertët e FMN-së rekomandonte futjen në skemën e tatimit edhe pagat nën 30 mijë lekë, që nuk u pranua nga qeveria. Cili është komenti juaj?
Ne nuk e kemi diskutuar këtë ide me autoritetet.
Qeveria kishte në plan të emetonte një eurobond të ri për të paguar ekzistuesin, që maturohet në nëntor, por deri tani nuk ka njoftuar për progresin e emetimit. Nëse nuk arrin ta emetojë deri në nëntor, sa problematik e gjykoni pagimin e eurobondit ekzistues, nëse një pjesë e tij do të paguhet duke marrë borxh nga tregu vendas?
Emetimi i Eurobondit është vonuar kryesisht për shkak të faktorëve të tregut, por duhet të ndodhë së shpejti. Megjithatë, qeveria ka burime financiare të mjaftueshme për Eurobondin që maturohet, pa krijuar ndonjë presion shtesë në tregjet vendase.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.