Në një studim të posaçëm për kontratat e punimeve në Europë dhe Azi, Banka Botërore e renditi Shqipërinë të tretën pas Kazakistanit dhe Azerbajxhanit, për rritje të kostos së punimeve në rrugët pasi ishin lidhur kontratat.
Në Kazakistan, të gjitha kontratat e rishikuara të punëve rrugore të nënshkruara në vitin 2000 u rritën me gati gjysmën e vlerës (me 47%); Azerbajxhani rriti kostot me 31%, Shqipëria me 23%, ndërsa Armenia, Estonia, Gjeorgjia dhe Serbia i tejkaluan mesatarisht kostot me 15%, prag i lejueshëm nga rregullat e Bankës Botërore. Nga viti 2000-2010, kosto e rrugëve nga momenti i vlerësimit deri në ndërtim janë rritur me 23%, nga të cilat 12% janë kosto të rritura gjatë zbatimit të projektit.
Banka shpjegon se vlerësimi me flamur të kuq është dhënë ndaj vendeve kryesisht për kostot e fryra të rrugëve për një kilometër. Në analizën që i bëri strukturës së kostove për ndërtimin e një kilometri autostrade, banka vlerësoi se një km autostradë në Shqipëri kushton pak më shumë se 900 mijë euro.
Eksperti Selami Xhepa thotë se herët apo vonë, buxheti do të rrezikohej seriozisht nga paketa e investimeve me PPP. Banka Botërore, në një analizë për koncesionet PPP në të gjithë botën, të cilësuar “Benchmarking Public-Private Partnerships Procurement 2017”, cilëson se Shqipëria nuk po i jep koncesionet PPP, konform nevojave që ka vendi për investime publike. Gjithashtu, Banka Botërore vë në dukje se Shqipëria nuk ka zhvilluar ndonjë metodologji specifike për përballueshmërinë fiskale të këtyre projekteve dhe nuk ka asnjë metodologji për vlerësimin e rreziqeve që mbartin këto projekte.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.