Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, gjatë një vizite në zonën e Porto Romanos në Durrës, tregoi interesin e tij mbivecurinë e treguesve në tregun e importit të hidrokarbureve, për problemet e hasura nga trupa e Shërbimit Doganor Shqiptar që vepron në këtë depozitë bregdetare, si dhe për procedurat e kontrollit ligjor, të parashikuara edhe në Kodin Doganor Shqiptar.
Ministri vizitoi disa nga kompanitë që ushtrojnë veprimtari biznesi në fushën e importit të karburanteve, të prodhimit të biokarburanteve dhe të markimit dhe monitorimit të tyre. Z. Cani u interesua më pas dhe u takua edhe me grupin e kontrollit të përbashkët të Ministrisë së Financave, asaj të Energjisë, të Ekonomisë dhe të Rendit, të cilët prej disa ditësh vijojnë të ushtrojnë funksionet e përcaktuara në një udhëzim të përbashkët të ministrive të mësipërme.
“Ju jeni mësuar ta takoni Ministrin e Financave në zyrë, apo në konferenca shtypi. Sot jemi në këtë inspektimi në terren, në kuadër të operacionit për kontrollin fiskal, cilësor dhe sasior të tregut të hidrokarbureve”, -tha Cani, gjatë deklaratës për media, duke shtuar se: “edhe ky inspektim apo vizitë në depozitat bregdetare të Durrësit është pjesë e asaj strategjie që përcaktuam së bashku me kryeministrin dhe qeverinë për të siguruar standardet europiane në këtë treg, për t’i ofruar konsumatorit shqiptar cilësi dhe sasi, sipas pagesës që ai bën”.
Ministri i Financave tha se njësitë e ngarkuara po kontrollojnë rreptësisht edhe cilësinë e produkteve hidrokarbure, nga anija deri në këto depozita e pastaj deri në pikat e tregtimit me pakicë.
Duke folur për markimin dhe monitorimin e karburanteve nga një kompani koncensionale, shefi i Financave Shqiptare nënvizoi se nëse vitin e kaluar ishte një numër i konsiderueshëm kompanish që refuzonin kontrollin e markimit nga kjo kompani, në muajin që kaloi numri i tyre ishte zero. Ministri iu shpjegoi gazetarëve se “në rast se nga monitorimi (kontrolli i subjekteve që janë të detyruar të kryejnë markimin) në tregun e shitjes më pas konstatohet karburant me përqindje më të ulët të shenjuesit nga ajo e injektuar në procesin fillestar, kjo do të thotë se ai është përzier me karburant tjetër të pashenjuar, pra të futur në mënyrë të paligjshme në treg, duke bërë evazion fiskal”.
Ministri Cani iu referuar raportit të kompanisë koncensionare të markimit dhe monitorimit të karburanteve dhe të dhënave të fundit të Shërbimit Doganor Shqiptar, sipas të cilave për periudhën 23 Qershor 2014 – 30 Prill 2015, numri i njësive të kontrolluara është 2438, nga ku 2169 ose 89 % kanë rezultuar në rregull dhe 269 ose 11% kanë rezultuar me shkelje.
“Gjatë tre mujorit të parë të vitit 2015, numri i rasteve me shkelje (me përzierje karburantesh) ka tendencë rënie, ndërsa rastet e refuzimeve janë zeruar”, theksoi z. Cani.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.