NE PERDITESIM/ Në forumin e organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë me drejtoreshën rajonale të Tatimpagueve të Medhenj është vendosur theksi te edukimi fiskal dhe një informim më i detajuar i tatimpaguesve të vegjël, përmes atyre të mëdhenjve. Sa i përket punësimit, kontrollet s’do të jenë më për sigurimin, por për nivelin e pagës.
Sakaq, për tatimpaguesit e mëdhenj është menduar që aksioni të zhvillohet tre muaj në terren, më pas nga zyra duke u bazuar në analizë risku.
Mark Crawford nga DHAT ka deklaruar në takim se bizneset janë dakord për uljen e informalitetit dhe se nevojitet më tepër informacion që të kuptohet analiza e riskut.
Kreu i DTM, Enkelejda Pipa ka treguar se Tatimet kanë një situatë të qartë për secilin tatimpagues.
“Arsyeja e këtij takimi lidhet ngushtësisht me planin e veprimit kundër informalitetit. Informaliteti është shqetësim i përbashkët, por ne nuk e bëjmë dot vetëm. Kemi bashkëpunim më zyrat e tatimpaguesve. Duhet të jemi kundër informalitetit, për një konkurrencë te ndershme. “- deklaroi znj. Pipa në takim.
Më tej, ajo ka shpjeguar se si është organizuar puna në terren.
“Aksioni sapo ka filluar, kjo është një fazë e parë tre mujore. Me pas do vijojë më e moderuar. Janë 800 biznese në DTM. Për këtë aksion, kemi vend për të përmirësuar. Plani i veprimit kundër informalitetit është menduar të jetë e kujdesshme kjo fazë. Tani informaliteti është disi më i moderuar, por ka vend për t’u përmirësuar. Tatimpaguesit janë duhet të përmbushin ligjin dhe të jeni bashkëpunues. “- ka thënë më tej kreu i Tatimeve.
Nga ana tjetër, ajo ka bërë thirrje për një edukim fiskal dhe një informim më i detajuar i tatimpaguesve të vegjël, përmes atyre të mëdhenjve.
Kreu i DTM ka theksuar edhe sektorët ku do të jetë e fokusuar kontrolli. “Kontrolli do të fokusohet në këto 4 sektorë: tregtia, prodhimi, shërbimet dhe ndërtimi. Përmirësoni situatën tuaj dhe vizitat e inspektoreve do të jenë më të pakta.”- tha znj. Pipa.
Kreu i DTM ka bërë të ditur gjatë forumit edhe rëndësinë e zinxhirit i transaksioneve, qe nga dokumentet e blerjes, aplikimi i çmimeve reference, aplikimi i çmimeve me shumicë. “ Zinxhiri i transaksioneve do të verifikohet në drejtorë rajonale për të parë me detaje çmimet e transaksioneve, inventarët dhe çmimet e sektorit për tregtinë e prodhimin”- ka deklaruar znj. Pipa.
Nga ana tjetër, nuk ka lënë pa përmendur edhe situatën në ndërtim. Enkelejda Pipa tha në takim që ka një mospërputhje mes situacionimit dhe fazës së ndërtimit.
DHAT: Inspektorët më të trajnuar, lajmëroni bizneset përpara
Përfaqësuese e DHAT, Alketa Oruçi deklaroi se në fillim, rezultatet nuk ishin ato që priste qeveria.
“Nuk mund të mos them se ishim në të njëjtat pozita, ku rezultatet nuk ishin ato qe priste qeveria. Do të doja që kontrollet të ishin konstante dhe jo luftë. Do të doja që inspektorët të ishin më të trajnuar. Shohim inspektorë që nuk dinë çfarë kërkojnë. Harxhohet koha nga të dyja palet. Kontrolli duhet të jetë më i fokusuar.”- deklaroi znj. Oruçi. Ajo shton se kontrolli nga zyra, duhet të përcaktohet më mirë dhe t’i bëhet i njohur Tatimpaguesve më parë. “Kjo do të shkurtonte procedurat burokratike, duhet të na lajmëroni më parë. Edhe kërkesat më e-mail nga Administrata Tatimore bëhen të bezdisura, nuk duhet të vijnë njëkohësisht të gjitha”- këshilloi në fund përfaqësuese e Dhomës Amerikane të Tregtisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.