Presioni i korrupsionit (pjesa e popullsisë që raporton se ka hasur presion për korrupsion) ka pësuar një rënie nga 72.8% në vitin 2001, në 61.9% në vitin 2002 dhe në 45.3 % në vitin 2014. I njëjti trend qëndron edhe për përfshirjen në praktikat korruptive, por me një pjesë më të vogël të popullsisë që raportojnë se kanë qenë të përfshirë në raste korruptive.
Të dhënat bëhen të ditura në sondazhin e Qendrës Shqiptarë për Kërkime Ekonomike. Megjithatë, thekson raporti, këto rezultate mund të çojnë në përfundime të gabuara nëse nuk marrim parasysh se në vitin 2014, një pjesë shumë e madhe e qytetarëve krahasuar me vrojtimet e mëparshme, nuk kanë patur fare kontakt me një zyrtar publik. Reduktimi i kontaktit me zyrtarë publik mund të ketë ardhur si rezultat i avancimit dhe përmirësimeve teknologjike gjatë viteve të fundit. Kjo mund të jetë arsyeja pse në përgjithësi pjesa e popullsisë që raporton presion ose është që është përfshirë, është më e ulët.
Gjatë 15 viteve të fundit, më shumë se 2/3 e qytetarëve shqiptarë e shohim korrupsionin si njerën nga barrierat më të mëdha për përshpejtimin e zhvillimit ekonomiko-shoqëror dhe integrimin Europian të vendit. Sfidat e tjera kryesore mbeten papunësia, krimi dhe pamjaftueshmëria e të ardhurave familjare.
Të pyetur për tre problemet më të mëdha në Shqipëri në ditët e sotme, 66% e të intervistuarve, të cilët përbëjnë pjesën më të madhe, kanë përcaktuar korrupsionin,56 % e tyre kanë përcaktuar papunësinë, ndërsa 40 % dhe 38 % kanë përcaktuar krimin dhe të ardhurat e ulëta . Shumica e të anketuarve raportojnë se korrupsioni është problemi më madhor në Shqipëri, duke tejkaluar kështu probleme të tjera më të zakonshme si për shembull papunësinë apo të ardhurat e ulëta, të cilat kanë një ndikim më të drejtpërdrejtë në jetën e të anketuarit dhe për pasojë janë më të matshme dhe më intuitive për të të shkuar mendja.
Gjatë vitit 2014, Qendra Shqiptarë për Kërkime Ekonomike (ACER) në bashkëpunim me House of Europe (HoE) dhe Fondacionin Shqiptar Social-Ekonomik (ASET) ka qenë pjestare e SELDI-it – Lidershipi i Europës Juglindore për Zhvillim dhe Integritet – një nismë e mbështetur nga Bashkimi Europian e fokusuar në problemet e Mirëqeverisjes dhe Anti-Korrupsionit në Evropën Jug-Lindore. Përmes bashkëpunimit me 17 organizata jo-qeveritare partnere nga 9 vende të rajonit dhe Turqia, është synuar nxitja e legjitimitetit e partneritetit në funksion të përmirësimit të transparencës e llogaridhënies së qeverisjes; inkurajimit të aktivizmit qytetar dhe dialogut midis shtetit dhe shoqërisë civile në nivel kombëtar e rajonal, etj.
Një vrojtim kombëtar i kryer në gjysmën e parë 2014 në kuadër të kësaj nisme tregon se një numër i konsiderueshëm i qytetarëve shqiptarë e formojnë vlerësimin e tyre mbi korrupsionin nisur nga publikimet e mas-medias ndjekur nga përvojat personale, në një masë afërsisht të barabartë (1/3);
Sipas indeksit të përfshirjes në korrupsion dhe presionit të korrupsionit, në matjet e kryera më 2001, 2002 dhe 2014 vihet re një ulje e ndjeshme gjatë kësaj periudhe por ende mbetet shumë i lartë numri i qytetarëve që ju është kërkuar ryshfet (45,3%) dhe atyre që kanë paguar ryshfet (38.9%);
Perceptimet e qytetarëve mbi përhapjen e korrupsionit dmth nivelin e përhapjes së praktikave korruptive tek punonjësit e sektorit publik janë mjaft të larta: 74% e qytetarëve te intervistuar;
Sipas indeksit të pranimit dhe indeksit të ndjeshmërisë ndaj korrupsionit vihet re si një dukuri pozitive rënia relative e pranueshmërisë së korrupsionit në krahasim me vitin 2001 (51 %, 2014), ndërsa konstatohet një “lodhje” e qytetarëve e shprehur në mbetjen thuajse të pandryshuar të indeksit të ndjeshmërisë ndaj korrupsionit.
Vrojtimi tregon se ende në një shkallë mjaft të lartë (63%) qytetarët shqiptare vazhdojnë ta shohin korrupsionin si një mjet eficient për zgjidhjen e problemeve të tyre në marrëdheniet me institucionet shtetërore dhe administratën publike. Në 15 vjet, ky tregues është zvogëluar vetëm me 11%.
Në renditjen e institucioneve mbi bazën e perceptimit publik rreth përfshirjes ose jo të tyre në korrupsion, gjyqtarët dhe nëpunësit e doganave konsiderohen si më të korruptuarit (niveli 3,3 në shkallën nga 0 në 4) të ndjekur nga prokurorët, nëpunësit e administratës gjyqësore dhe liderët partiakë. Ndërsa më pak të korruptuar konsiderohen gazetarët dhe mësuesit (niveli 2,2).
“Lodhja” e qytetarëve shqiptarë nga mossuksesi i derisotëm luftës së institucioneve shtetërore dhe mbarë shoqërisë kundër korrupsionit shprehet në rritjen e mosbesimit të tyre mbi kapacitetin potencial të shoqërisë për të përballur këtë fenomen: niveli 6.3 në vitin 2014 krahasuar me 5.5 në matjet e mëparshme. Edhe pesha specifike e qytetarëve që mendojnë se korrupsioni mund të reduktohet ndjeshëm ose të zhduket, ka ardhur në rënie ne krahasim me matjet e kryera në vitet 2001 dhe 2002.