Kosova, ditëve të fundit, është përballur me shumë ngjarje që kanë shkaktuar pakënaqësi te qytetarët.
Greva të minatorëve, protesta ndaj KEDS-it, greva të mundshme nga arsimtarët, protesta nga ish-luftëtarët e UÇK-së, largime të shumta të qytetarëve në drejtim të Evropës; këto janë disa nga to.
Drita në fund të tunelit nuk po shihet askund, shkruan gazeta Zëri. Analistët kosovarë kanë mendime të ndryshime për këtë situatë që po kapërcen vendi.
Halil Matoshi dhe Artan Muhaxhiri vlerësojnë se të gjitha këto pakënaqësi janë një shpërthim qytetar për problemet e tyre, të cilat kanë hasur në vesh të shurdhër tani e 15 vjet pas luftës. Matoshi thotë se qytetarët i ka braktisur shpresa.
“Kosova është po ajo që ka qenë para një, dy apo tre vjetësh. Edhe hallet i ka po ato. Nuk jemi më të varfër sot se dje, por sot, qytetarët i ka braktisur shpresa. Sepse këtë farë e ka mbjellë një lidership skajshmërisht i papërgjegjshëm dhe jokompetent”, ka thënë Matoshi, i cili më pas ka shtuar.
“Pushteti ka qenë dhe vazhdon të jetë personal dhe jo për qytetarët dhe për Republikën. Po ky lidership që po e ndien tërmetin, lëkundjen e madhe, kur shoqëria kosovare po bëhet gati, po mbledh mend, t’ua kthejë shpinën e të mendojë për alternativa, këta po i shfrytëzojnë resurset shtetërore (mekanizmat e kapur të shtetit) dhe spiunazhin ta qesë në lajthitje popullin dhe ta shantazhojë Bashkësinë Ndërkombëtare, se kinse ka potencial për trazira e dhunë, prandaj duhet pasur kujdes, sidomos me Gjykatën Speciale dhe sidomos me luftën kundër korrupsionit”.
Trepça, manipulim i SHIK-ut
Ndërkohë, sa i përket problemit “Trepça”, ai ka thënë se ky është një manipulim i pastër i SHIK-ut dhe se minatorët po manipulohen. “Trepça” tash po del se është manipulim i pastër i SHIK-ut.
“Minatorët nuk po e hetojnë ende se po manipulohen, ngase Qeveria me ankesën e Beogradit dhe me sugjerime të Brukselit u zmbraps, duke u dëshmuar tepër e ligë dhe e papërgjegjshme. Atë Ligj nuk e pata përpiluar unë, por po ajo Qeveri, e cila e lëpiu atë që e kishte pështyrë.
Fokusin kah “Trepça” dhe greva tenton ta zhvendosë vëmendjen e publikut nga vazhdimësia e keqqeverisjes, nga ndërgjegjja e vrarë e LDK-së që ia ka zgjatur jetën kleptokracisë së HTH-së dhe SHIK-ut. Thjesht, trazirat që po shfaqen aktualisht janë nën kontroll të Qeverisë, sepse nuk janë ato që duhet të jenë për ndërprerjen e keqqeverisjes dhe vjedhjes së Republikës. Qeverisja e keqe rëndom mbështetet në prodhimin e krizave artificiale. Sepse për diçka të hairit s’ka as ide dhe as vullnet politik”, ka thënë ai.
Muhaxhiri: “Shenjta e Kiametit”
Në anën tjetër, analisti, Artan Muhaxhiri, ka thënë në formë të shakasë se të gjitha këto janë “Shenjat e Kiametit”. “Të gjitha këto protesta dhe ky akumulim i pakënaqësive është pasojë e mosadresimit të problemeve kryesore tani e 15 vjet pas luftës.
Nga viti 1999 Kosova nuk ka pasur asnjë strategji realiste për luftimin e papunësisë, korrupsionit dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve. Prandaj, është për çudi se si nuk kemi ende më shumë protesta, duke pasur parasysh gjendjen e cila mbretëron në vend”, ka thënë Muhaxhiri. Ai edhe pse mendon se këto protesta janë sporadike, megjithatë, sheh mundësi për eskalimin e tyre.
“Realisht mendoj se këto janë sporadike, mirëpo nëse vazhdohet në këtë mënyrë, atëherë mund të ketë eskalime të tyre. Ato do të mundë të manifestoheshin me sulme ndaj institucioneve të Qeverisë dhe në përgjithësi ndaj institucioneve shtetërore, pasi që ato konsiderohen fajtore për gjithë këtë krizë”, ka shtuar Muhaxhiri.
Nëse kjo ndodh atëherë Muhaxhiri thotë se do të jetë situatë e vështirë, pasi që Kosova nuk ka asnjë personalitet moral, i cili do të mundë të qetësonte situatën. “Besueshmëria ka humbur plotësisht në figurat e rëndësishme kosovare dhe nuk ka asnjë autoritet moral, i cili do të mundë t’i ndalte protestat”, ka përfunduar ai.
Matoshi:Trazirat do t’ia hanë kryet kësaj klase politike
Ndërkohë, Halil Matoshi ka thënë se kjo situatë nuk mund të vazhdojë gjatë. Por, në të njëjtën kohë ka shtuar se mund të krijohen trazira të vërteta, të cilat, sipas tij, do t’ia “hanë kryet kësaj klase politike”. “Gjykata Speciale do të sqarojë shumëçka. “Trepça” do të harrohet. Po ashtu edhe Jabllanoviqi, i cili megjithatë dëshmoi një minimum etike kur kërkoi falje publike për nënat e Gjakovës.
Harrohet edhe OVL-UÇK-ja dhe mësymja e tyre për hise e pushtet mbi UP “Hasan Prishtina” siç u shpreh rektori Zejnullahu. Vetëm paperspektiva, papunësia e madhe, korrupsioni galopan dhe të ndenjurit këmbëkryq mbi ligjin e njerëzve të fuqishëm nuk harrohen. Këto janë arsyet për trazira të vërteta që herë do kurdo do t’ia hanë kryet kësaj klase politike, kësaj oligarkie të pangopshme dhe injorante”, ka thënë ai. Ai është shprehur optimist se ky është viti i shpresës.
“Kosova nuk po shkon askund. Po vendnumëron. Porse ky do të jetë vit i kthesës. Sepse kur e pranojmë që jemi në krizë të thellë morale e të vlerave, në krizë ekonomike dhe politike do të hapen dritaret e reja, mendësia e re, alternativat e reja. Kosova nuk është projekt i përkohshëm, sa të pasurohet një kastë banditësh, për ta ndarë në mes të Shqipërisë e Serbisë si një plaçkë lufte. Kosova do të ngrihet e rimëkëmbet nga kosovarët, jo me dhunë e përmbysje, por me ide të reja e punë, me idealitet e realitet të ri. Kosovacentristët do të lidhen ndërkohë në një trup e do ta rimëkëmbin Republikën”, ka përfunduar ai./Gazeta Zëri/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.