Shteti i Kosovës dhe ai i Malit të Zi nuk po mjaftohen vetëm me raportet e mira në politikë. Të njëjtin kah po duan t’ia japin edhe sektorit të ekonomisë për t’i eliminuar barrierat tregtare në mes vete, kërkesa këto të adresuara në forumin biznesor Kosovë – Mal i Zi, shkruan sot Gazeta “Zëri”
Kosova e Mali i Zi shumë shpejt pritet t’i largojnë barrierat tregtare mes vete. Raportet e mira politike në mes dy vendeve po shihen si shpresëdhënëse për bashkëpunimin e mëtejmë në fushën e ekonomisë.
Kështu janë shprehur përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës e ata të Malit të Zi.
Kryetari në largim i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, e ka vlerësuar lart bashkëpunimin me shtetin malazez, duke u shprehur se këto raporte të mira duhet të jenë modeli që duhet ndjekur nga institucionet e tjera.
“Sot nënshkruhet një marrëveshje me Ministrinë e Infrastrukturës mes Kosovës dhe Malit të Zi për eliminimin e barrierave kufitare, që ndikon pozitivisht në ekonominë e dy vendeve. Raportet e mira politike të shndërrohen në favore të mira ekonomike”, ka deklaruar Gërxhaliu.
Më tutje ai ka theksuar se bashkëpunimi me këtë vend nuk do të shihet asnjëherë nga aspekti konkurrues.
“Bashkëpunimi ekonomik me Malin e Zi nuk duhet të shikohet si bashkëpunim konkurrues, por së bashku duhet të gjejmë forma të bashkëpunimit që ekonominë tonë ta shtrijmë edhe në vendet e tjera”, ka përfunduar mes të tjerash përfaqësuesi i Odës Ekonomike të Kosovës, shkruan më tutje “Zëri”.
Por, me kërkesa të ngjashme janë drejtuar edhe përfaqësuesit e shtetit të Malit të Zi.
Kosova, partner i rëndësishëm i Malit të Zi
Kosova vazhdon të mbetet partnere e rëndësishme e Malit të Zi në fushën e bashkëpunimeve. Kështu është shprehur nënkryetari i Odës Ekonomike në Malin e Zi, Ivan Saveljic.
Saveljic në fjalën e tij gjatë mbajtjes së forumit Kosovë – Mal i Zi ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e energjisë e të turizmit.
“Duhet t’i identifikojmë sfidat dhe të gjejmë zgjidhje që t’i tejkalojmë. Shtetet tona janë të interesuara për fuqizimin e subjekteve ekonomike. Ne vërtet nuk jemi konkurrentë në rajon, duhet të krijojmë lidhje që ta përmirësojmë ekonominë. Kosova është partner ekonomik i rëndësishëm për Malin e Zi. Ne mund të bashkëpunojmë në energji, në turizëm dhe të tregojmë që të dyja vendet jemi të gatshme për bashkëpunim ekonomik”, ka deklaruar Saveljic.
Rëndësinë e lidhjes ekonomike të vendeve e ka përmendur edhe koordinatori rajonal i Zyrës së Kryeministrit, Gazmend Abrashi.
“Unë e përkrah marrëveshjen që do ta nënshkruajmë ditëve të ardhshme lidhur me policat e sigurimit. Numrat tregojnë që disponimi është i mirë për bashkëpunim”, është shprehur Abrashi.
Ndërsa sekretari shtetëror në Ministrinë e Financave të Malit të Zi, Branislav Todorovic, është shprehur i gatshëm për largimin e barrierave ekonomike.
“Ne kemi tregje të vogla dhe gjeografikisht jemi të drejtuar nga njeri-tjetri. Ne kemi pasur takim me ministrin e Financave dhe kemi shprehur gatishmërinë se duhet t’i heqim barrierat mes dy vendeve”, ka thënë Todorovic.
/ZËRI/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.