Në programin qeverisës për periudhën 2015 – 2018, parashikohet edhe vendosja e kodit telefonik shtetërorë, të cilin Kosova akoma nuk e posedon.
Por ajo që thuhet në raport, shkruan gazeta Zëri, është një prezantim i gjendjes aktuale dhe nuk tregohet se kur kjo qeveri parashikon që Kosova të bëhet me kodin e saj.
Aty thuhet se aktualisht Kosova vazhdon të ketë tre kode për shërbime telefonike (+377, +386 për shërbime të telefonisë mobile dhe +381 për shërbime te telefonisë fikse), gjë që zvogëlon atraktivitetin për investime në sektorin e telekomunikacionit, humbje financiare dhe vështirësitë e mëdha për të menaxhuar sistemin e numeracionit nga ana e rregullatorit dhe operatorëve që ofrojnë shërbime telekomunikuese në Kosovë.
“Kjo është adresuar në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja ku edhe është arritur marrëveshja ndërmjet palëve që Kosovës t’i ndahet kodi 3 –shifror thirrës telefonik nga ITU (International Telecommunication Union)”, thuhet ndër të tjera në raport, duke shtuar se ky kod ofron një mundësi reale për zgjidhjen e problemeve madhore të telekomit.
Për momentin operatori ‘Vala’ e shfrytëzon kodin e Monakos (+377), ndërsa “Ipko” kodin slloven (+386). Pas marrjes së kodit, të gjithë operatorët e telefonisë mobile dhe fikse në Kosovë do të jenë të detyruar që të përdorin kodin e ri unik.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.