Kosova duhet t’i përgjigjet me reciprocitet Shqipërisë e cila po bllokon depërtimin e produkteve medicinale ‘Made in Kosova’ në tregun shqiptar. Kështu tha kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu në një konferencë për media, në të cilën pohoi se raportet tregtare në mes të Kosovës dhe Shqipërisë mbeten shqetësuese, raportojnë mediat nga Kosova.
“65 produkte farmaceutike të Shqipërisë janë të pranishme në tregun tonë, ndërsa produktet ‘Made in Kosova’ nuk mund të jenë të pranishme në tregun e Shqipërisë. Andaj i bëjmë apel Ministrisë së Shëndetësisë të përdorë masa reciprociteti për produktet e Shqipërisë”, tha Gërxhaliu.
Arian Zeka, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, po ashtu kërkoj që urgjentisht të zgjidhet problemi, duke shtuar se përveç deklaratave politike, shfaqjeve teatrale të dyanshme, duhet të krijohen kushte reale për zhbllokimin e produkteve farmaceutike të Kosovës. “Këto barriera të vendosura nga Shqipëria janë shkelje e rregullave të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe CEFTA-së”, tha Zeka.
Drejtori ekzekutiv i Trepharm, Mërgim Prishtina, theksoi se produktet e kësaj ndërmarrje janë tashme që katër vite të prezantuara suksesshëm në tregun e Kosovës, ndërkohë që refuzimi nga Shqipëria vazhdon nga qeveria Berisha dhe qeveria e re. Refuzimi i fundit, sipas tij, është i pakuptimtë, i pajustifikueshëm dhe joligjorë.
“Autoritetet shqiptare nuk i njohin çertifikatat e institucioneve të Kosovës, edhe pse produktet e Trepharm i plotësojnë të gjitha kushtet dhe standardet evropiane të cilësisë”, theksoi Prishtina
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.