Kosova kërkon donacione dhe investime të huaja, kurse institucionet e Kosovës kanë rreth 1.9 miliard euro në tregjet financiare ndërkombëtare.
Në rreth 1. 2 miliard euro ka arritur Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK). Këto investime janë të shtrira në 61 shtete të botës apo në afër 2000 emetues botërorë, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Jeton Demi, zyrtar për Marrëdhënie me Publikun në Trustin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, ka thënë se vlera më e madhe e mjeteve janë të investuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Britani të Madhe, Francë, Kosovë, Gjermani, Japoni dhe Kanada.
Kurse, Fondi i mirëbesimit nga privatizimi dhe likuidimi i ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë, sipas të dhënave të kësaj agjencie, ka arritur shumën prej rreth 700 milionë eurosh, të cilat deponohen në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës dhe më pas, investohen në tregjet e jashtme.
Nga ky fond parashihet të kompensohen kredituesit potencialë të ndërmarrjeve shoqërore.
Sidoqoftë, mos futja e mjeteve të Trustit dhe të Fondit të Privatizimit në tregun kosovar, është kritikuar shumë herë nga ekspertë për çështje ekonomike. Ismail Kastrati, njohës i çështjeve ekonomike, vlerëson se mjetet që mbahen të ngrira jashtë territorit të Kosovës duhet të trajtohen në forma të veçanta.
“Trusti i Pensioneve është kursimi i qytetarëve të Kosovës që një pjesë të pagave të tyre e ndajnë për të siguruar një pleqëri të rehatshme. Kurse, Fondi i Privatizimit është diçka krejt tjetër. Prandaj, ky fond nuk mund të shfrytëzohet para se të shpërbëhet AKP-ja apo para se të zgjidhen të gjitha kërkesat pronësore – kredituese apo juridike”, thotë Kastrati, për REL.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.