Ministri në detyrë i Financave Besim Beqaj, priti në takim sekretarin e Ministrisë për Punë dhe Çështje Sociale në Republikën Federale të Gjermanisë, Jörg Asmussen i shoqëruar edhe nga Ambasadorja gjermane në Prishtinë, Angelika Viets, nga të cilët ka kërkuar përkrahje për sistemin pensional në Kosovë.
Në një njoftim për media të kësaj ministrie, thuhet se ministri Beqaj kërkoi mbështetjen e shtetit gjerman në modernizim të sistemit pensional, për të reflektuar planifikim më të mirë dhe shpenzim racional të parasë publike.
Pos kësaj, në njoftim thuhet se ministri Beqaj, ka folur për gjendjen makroekonomike në vend dhe politikat qeveritare në politikën fiskale, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të reformave në politikën fiskale për të ruajtur stabilitetin fiskal të vendit dhe gjithashtu, ka folur edhe për përmbylljen e suksesshme të programit me FMN, shkruan Zëri.
Beqaj është siguruar se gjermania do ta ndihmojë Kosovën, në shtyllën e parë të sistemit pensional.
Asmussen thuhet të jetë interesuar edhe për qëndrueshmërinë e borxhit të Republikës së Kosovës dhe theksoi rëndësinë e mbajtjes së rregullës fiskale.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.