Ulja e çmimeve për shërbimin roaming mes shteteve të Ballkanit, e inicuar nga Agjencia për Komunikime Elektronike nuk do të vlejë për Kosovën.
Zyrtarët e Telekomit në Kosovë thanë për “Radio Kosova” se në mungesë të kodit shtetëror telefonik, vendi nuk do të mund të aplikojë tarifa të njëjta mes vendeve anëtare të BE-së, sa i përket shërbimit roaming.
Kosova nuk është pjesë e marrëveshjes për uljen e çmimeve roaming.Zyrtarë të Telekomit të Kosovës madje nuk kanë qenë në asnjë takim të këtij karakteri apo ku është diskutuar kjo iniciativë. Lajmin e ka konfirmuar për Radio Kosovën, Arsim Bilalli menaxher për informim në departamentin për relacione me publikun në PTK.
“Siç dihet në mungesë të kodit shtetëror, Kosova mjerisht nuk do të mund të aplikojë tarifa të njëjta mes vendeve anëtare të BE-së , sa i përket tarifave fikse në roming. Por, pavarësisht nga kjo, në mungesë të kodit shtetëror, PTK në vazhdimësi ka ulur çmimet e romingut për konsumatorët e saj, duke zbritur marshën e fitimit në vlera minimale vetëm e vetëm që konsumatorët të jenë ata të cilët përfitojnë tarifa më të ulëta,” u shpreh Bilalli.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.