Pjesa më e madhe e të ardhurave për arkën e buxhetit të shtetit të Kosovës vazhdon të mblidhet nga Doganat, kjo pasi që Kosova vazhdon të importojë mbi 80 për qind të produkteve konsumuese. Por, me rastin e rritjes së nivelit të integrimit të Kosovës në mekanizmat evropianë, këto të ardhurave do të zvogëlohen dhe disa prej tyre, madje edhe do të eliminohen.
Megjithatë, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike dhe atyre doganore, hendeku që do të krijohet sa i përket taksës doganore që është 10 për qind për importin e produkteve nga Bashkimi Evropian, nuk do të ketë efekte të mëdha.
“Sipas disa përllogaritje që janë bërë, janë 25 milionë euro në vit, e ato do të mbulohen përmes investimeve të cilat do t’i bëjë Bashkimi Evropian nëpërmjet instrumenteve të para-anëtarësimit dhe nëpërmjet tyre do të bëhet kompensimi i atyre ‘humbjeve’ që do t’i pësojë arka e buxhetit të shtetit të Kosovës. Ne, si shoqëri dhe si ekonomi, nuk duhet t’u frikësohemi integrimeve evropiane se vetëm ato gjenerojnë zhvillim”, thotë eksperti i çështjeve ekonomike Naim Gashi per REL.
Në anën tjetër, ish-drejtori i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica, thotë se mbledhja e të ardhurave për arkën e shtetit nga Doganat, aktualisht, është mënyra e vetme.
“Realisht, kjo ka qenë zgjidhja e vetme. Në një rrethanë ku 80 për qind e asaj që ne e konsumojmë janë mallra nga importi, nuk ka pasur një zgjidhje tjetër vetëm se të bëhet kjo. Gjithsesi, kjo ka qenë më e lehtë sepse shtrirja apo mbledhja e tatimeve në brendi, është shumë më e komplikuar sesa ajo që bëhet nga autoriteti doganor në kufi”, sqaron Huruglica.
Fuqizimi i Administratës Tatimore të Kosovës, shton ai, është thelbi i një shtrirje më të mirë të kontrollit tatimor.
“Duhet të gjendet një mundësi që përmes masave stimuluese të nxitet zhvillimi ekonomik i vendit, punësimi dhe duke i nxitur këto, gradualisht do të krijohet një bazë më e mirë tatimore në brendi. Po ashtu, duhet të luftohet informaliteti, sepse vlerësohet se ka informalitet në brendi nga shërbimet ose nga veprimtaritë e caktuara, ku nuk paguhen tatimet e mjaftueshme”, thekson Huruglica per REL.
Edhe Gashi thekson faktin se Kosova duhet të investojë në kapacitetet prodhuese dhe shërbyese, që të jetë konkurrente fillimisht me rajonin dhe pastaj me vendet tjera të Bashkimit Evropian.
Buxheti i Kosovës, i cili mbushet nga Doganat dhe Administrata Tatimore e Kosovës për vitin 2015 është 1.5 miliardë euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.