Në Kosovë, kundërshtimet për Ligjin e pagave po vazhdojnë edhe pas miratimit të tij në Kuvend. Ndërkohë që Ligji për pagat është dërguar për dekretim te Presidenti Hashim Thaçi, kundër këtij ligji kanë dalë punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) të KOSTT-it dhe punëtorët e kontrollorëve ajrorë në aeroportin “Adem Jashari”.
Sindikata e punëtorëve të KEK-ut ka njoftuar se sot do të protestojnë para Qeverisë së Kosovës, për të kërkuar heqjen e kësaj kompanie nga Ligji për pagat.
“Të nderuar anëtarë të SRKEK-ut, punëmarrës të KEK-ut, sot Kryesia ekzekutive e Sindikatës së Re Korporata Energjetike e Kosovës ka marrë vendim që të protestojmë me gjithë punëtorët e KEK-ut, para Qeverisë së Republikës së Kosovës më 14.02.2019 duke filluar nga ora 11:00”, thuhet në njoftim.
Siç thuhet në këtë njoftim, arsyeja e protestës është që të tërhiqet KEK-u nga Ligji për paga, duke pasur parasysh se punëtorët e KEK-ut marrin paga nga djersa e tyre, nga buxheti që buron nga prodhimi i energjisë elektrike, e jo nga buxheti i shtetit.
E në anën tjetër aeroporti i Prishtinës është në kolaps. Deri tani dy fluturime janë anuluar, ndërsa 6 të tjera janë shtyrë për më vonë për shkak të grevës së kontrollorëve ajrorë në aeroportin “Adem Jashari”.
Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA) njoftoi opinionin publik se me datë 14.02.2019, duke filluar nga ora 08:00 deri më 12:00, për shkak të grevës së paralajmëruar nga ana e Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror (SINKON) lidhur me Ligjin për pagat, kjo agjenci nuk do të mund të ofrojë shërbime të fluturimeve ajrore për fluturimet të cilat kanë qenë në plan të realizohen në këtë interval kohor.
Greva, sipas ASHNA-s, është paralajmëruar se do të vazhdojë dhe përkundër përpjekjeve në takimin që është zhvilluar mes të SINKON-it dhe nga ana tjetër, ministrit të Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil, Eset Berisha, Drejtorit të ASHNA-së, Bahri Nuredini, për arritjen e një Memorandumi Mirëkuptimi, për realizimin e kërkesave të Kontrollorëve të Trafikut Ajror, propozim i cili në fund është refuzuar nga SINKON.
“Lidhur me situatën e krijuar dhe pamundësisë së ofrimit të shërbimit të fluturimit ajror për kohën e paralajmëruar të grevës, Drejtori i ASHNA-s u kërkon ndjesë pasagjerëve të cilët e shfrytëzojnë Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’, për fluturime nga Prishtina dhe anasjelltas”, thuhet në komunikatën e ASHNA-s.
Shoqata Sindikale e Kontrollorëve të Trafikut Ajror, gjatë ditës së djeshme ka mbajtur grevë njëorëshe për shkak të pakënaqësive të përfshirjes së këtij institucioni në ligjin për pagat.
Kurse, sot kjo sindikatë ka paralajmëruar se do të mbajë grevë 4-orëshe, për të vazhduar pastaj për ditën e premte nga ora 8:00 deri në ora 16:00, ditën e shtunë nga ora 8:00 deri në orën 20:00.
Greva do të pezullohet të dielën për shkak të pavarësisë së Kosovës për të vazhduar të hënën me grevë 24-orëshe.
Në fillimi të këtij muaji Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin për Pagat në sektorin publik. Ndryshe, Projektligji për Paga ishte temë debatesh të nxehta dhe grevash të shumta gjatë javëve të fundit.
Në shenjë pakënaqësie me këtë Projektligj, për tri javë rresht kanë qenë në grevë punëtorët e arsimit në të gjitha nivelet e arsimit publik në Kosovë. Në grevë hynë edhe punëtorët shëndetësor, ata të administratës dhe të institucioneve të tjera publike./Fatos Shala për Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.