Në tremujorin e tretë të vitit 2018, indeksi i çmimeve të prodhimit arriti 104,0, duke u rritur me 2,8 %, në krahasim me tremujorin e tretë 2017.
Sipas INSTAT, rritjen më të madhe vjetore e kanë shënuar çmimet e prodhimit në seksionin “Industri nxjerrëse” me 20,2 %. Brenda kësaj industrie vihet re rritja e çmimeve të prodhimit të produkteve në nxjerrjen e naftës bruto dhe gazit natyror me 33,8 %.
Në tremujorin e tretë 2018, çmimet e prodhimit në aktivitetet e “Industrisë përpunuese” kanë shënuar ulje me 1,0 %, krahasuar me tremujorin e tretë 2017. Ndikimin kryesor në këtë ulje e kanë dhënë çmimet e prodhimit të produkteve në aktivitetin “Prodhimi i produkteve minerale jo metalike” me 0,6 %, “Përpunimi i produkteve ushqimore” me 2,9 %, “Metalurgjia” me 0,9 % dhe “Konfeksionimi i veshjeve” me 1,2 %.
Indeksi i çmimeve të prodhimit për produktet vendase arriti 101,3, duke u rritur me 1,9 %, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2017.
Indeksi i çmimeve të eksportit arriti 108,9, duke u rritur me 4,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.
Ndryshimi tremujor i indeksit të çmimeve të prodhimit Indeksi i çmimeve të prodhimit, në tremujorin e tretë 2018, shënoi rritje me 0,4 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2018.
Çmimet e prodhimit, në seksionin “Industri Nxjerrëse” shënuan rritje me 2,5 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2018. Çmimet e prodhimit në aktivitetin “Nxjerrja e naftës bruto dhe gazit natyror” janë rritur me 2,4 %.
Çmimet e prodhimit në seksionin “Industri përpunuese” kanë shënuar ulje me 0,1 %, krahasuar me tremujorin e mëparshëm.
Ndikimin kryesor në këtë ulje e kanë dhënë çmimet e prodhimit të produkteve në aktivitetin “Përpunimi i produkteve ushqimore” me 1,0 % dhe “Prodhimi i produkteve metalikë të fabrikuar, përveç makinerive dhe pajisjeve” me 0,7 % dhe “Prodhimi i lëkurës dhe produkteve prej lëkure” me 1,6 %.
Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2018, indeksi i çmimeve të prodhimit për produktet vendase ka shënuar rritje me 0,4 %.
Në këtë rritje ndikim kryesor e kanë dhënë çmimet e prodhimit të produkteve në seksionin “Energjia elektrike, gaz, avull dhe ajër i kondicionuar” dhe ”Industri Nxjerrëse”. Çmimet e prodhimit të produkteve për eksport kanë shënuar rritje me 0,5 %, krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Ndikimin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë çmimet e prodhimit të produkteve në seksionin “Industri Nxjerrëse” me 2,4 %.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.