Stephen Hawking nuk besonte se Zoti e krijoi botën, fati nuk ishte pjesë e besimit të tij. Edhe fakti që ai lindi në të njëjtën datë (300 vite më vonë) në të cilin vdiq Galileo Galilei, ishte thjesht një rastësi. Përveç faktit që të dy ishin fizikanë të shquar, ata ngjanin me njëri-tjetrin edhe për vuajtjen që kishin kaluar, shkruan The Economist.
Por nëse vuajtja e Galileo Galilei u shkaktua nga politikanët të cilët parapëlqenin bindjen fetare ndaj kërkimit të lirë, vuajtja e dr. Hawking u shkaktua nga sëmundja e rrallë, e cila e preku në moshë të re. Ai u diagnostikua nga skleroza amiotrofike laterale, e njohur ndryshe edhe si ALS, që është edhe termi që përdoret për të përshkruar sëmundjet neurone motorike. Një motor neuron është një qelizë nervore që bën lëvizjen e vullnetshme të muskujve.
Ndërsa tek të gjithë personat që vuajnë nga kjo sëmundje, qeliza nuk funksionon si duhet dhe ndikon në aftësinë e tyre për të lëvizur, për të ngrënë, për të ecur apo edhe për të folur, por nuk i pengon të ndiejnë dhe të mendojnë njësoj si gjithë të tjerët. Prandaj dr. Hawking iu desh që të luftonte gjatë gjithë jetës që fjala dhe mendimet e tij të dëgjoheshin.
Gjatë rinisë, atij asnjëherë nuk i ka munguar besimi, madje njëherë gjatë kohës së universitetit, ai ndërpreu në mes të leksionit profesorin e njohur të astrofizikës, Fred Hoyle, duke e korrigjuar për masat e grimcave. Por në momentin që ai e kishte të pamundur që t’i shkruante ekuacionet e tij, atëherë ai i përkthente ato në forma gjeometrike në mendjen e tij. Pasi ai iu nënshtrua një trakeotomie në vitin 1985, situata u vështirësua sepse ai tashmë e kishte thuajse të pamundur për të folur. Prandaj edhe teoria e tij e famshme mbi universin, mbi gjithçka, e njohur ndryshe si
“Teoria e Gjithçkaje” edhe pse iu prezantua botës me anë të një zëri robotik, përçoi tek të gjithë të pranishmit emocione të mëdha.
Librat e tij ngjallën interes edhe te njerëzit e thjeshtë. Libri “Një histori e shkurtër e kohës”, i publikuar në vitin 1988, edhe pse shiti miliona kopje, filloi të lihej në tavolina të ndryshme kafenesh, sepse një numër i madh njerëzish nuk arritën ta kuptonin plotësisht. Libri i botuar në 2005, “Një histori më e shkurtër” kishte të njëjtin subjekt me të parin, por në këtë botim, dr. Hawking ishte përpjekur që ta shprehte teorinë në mënyrën më të qartë të mundshme, sepse kjo ishte dhe është një prej gjërave më të rëndësishme për një shkencëtar, “që ata të arrijnë të shpjegojnë se çfarë po bëjnë”.
Dega e tij e shkencës, kozmologjia, tani po pretendonte t’u përgjigjej pyetjeve që dikur kërkonin përgjigje vetëm te feja. Tek të dy librat e mësipërm, por edhe tek të tjerë, ai deklaroi se ligjet e shkencës shpjegonin gjithçka, pa pasur asnjë nevojë për të sjellë në këtë mes, “Perëndinë” dhe shpjegimet që bëheshin nëpërmjet saj. Në punën e tij të përditshme, si profesor i matematikës në Universitetin e Kembrixhit, ai u mor kryesisht me teorinë e “vrimave të zeza”, deri në vitin 2009, kur doli në pension.
Vrimat e zeza, të cilat u zbuluan nga matematicienët përpara se të zbuloheshin në natyrë, janë singularitete-pika, ku ligjet e fizikës nuk ekzistojnë dhe të cilat janë të rrethuara me sipërfaqe të njohura si horizonte ngjarjeje. Çdo gjë që kalon këtë prag, pra horizontin e ngjarjeve, përthithet përgjithmonë prej tyre. Pikërisht këtu ka një problem. Ligji i dytë i termodinamikës, më strikti i kufizimeve të natyrës, thotë se entropia, një formë e çrregullimit, duhet të jetë gjithmonë në rritje. Por nëse sistemet e larta të entropisë mund të përthitheshin nga vrimat e zeza, atëherë ky cikël nuk do të ekzistonte. Dr. Hawking e zgjidhi këtë problem duke treguar se vetë vrimat e zeza kishin entropi dhe se sa më shumë që ato thithnin, aq më të mëdha bëheshin.
Nga ana tjetër, kjo gjë nënkuptonte se vrimat e zeza kishin një temperaturë të caktuar dhe lëshonin edhe rrezatime. Ai e pagëzoi këtë dukuri me emrin e tij, por “Rrezatimi Hawking” ishte për të po aq befasues sa edhe për këdo tjetër. Madje, njëherë ai u shpreh në formë ironike se nuk arrinte ta kuptonte se përse ishte marrë me një teori të tillë, e cila vetëm sa e kishte acaruar. (Menjëherë pas kësaj deklarate, ai shtypi butonin e tij për shakatë, e cila iu përçua publikut nëpërmjet makinerisë së tij zë-sintetizuese).
Fatkeqësisht frekuencat e rrezatimeve nuk u panë kurrë për aq kohë sa ai ishte gjallë, arsye kjo për shkak të së cilës atij edhe iu mohua Çmimi Nobel. Por lidhja që ajo mundësoi midis Teorisë së Relativitetit, Mekanikës Kuantike dhe Termodinamikës ishte një burim i pashtershëm për imagjinatën e fizikanëve.
Kohë e përcaktuar, hapësirë e pafundme
Interesi i tij ndaj singulariteteve nuk u kufizua vetëm në vrimat e zeza. Vetë universi mund të shihet si një singularitet më vete (si diçka unike), edhe pse këtu qeniet njerëzore janë brenda tij dhe jo në hapësirën e jashtme. Ai ishte gjithashtu i interesuar edhe për origjinën e tij, bashkë me atë të kohës. Për ta shpjeguar këtë koncept, dhe që përpara Big Bang-ut nuk ekzistonte as koha dhe as hapësira, ai u mundua ta sillte atë në një formë krahasimore duke bërë pyetjen se “Çfarë shtrihet në jug të Polit të Jugut”?
Ai gjente një kënaqësi të pamasë në bërjen e këtyre pyetjeve të cilat rezultuan padyshim, pa asnjë përgjigje, sepse askush nuk e kishte një të tillë. Kur gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua, ai përhumbej me orë të tëra në këtë pyetje, duke ndier të njëjtën kënaqësi që provoi edhe kur ia bërë shkencëtarëve të tjerë. Puna e tij përfshiu edhe kozmologjinë e madhe N, Yang-Mills, matricën S, hapësirën anti de Sitter, nyjen kuantike, teoritë e gravitetit Brans-Dicke dhe Hoyle-Narlikar dhe teorinë e gravitetit kuantik euklidian. Kontributi i tij për revistat shkencore vazhdoi edhe kur të gjithë mendonin se ai do të shkëputej si pasojë e gjendjes së rënduar shëndetësore.
Hendeku i madh midis realitetit shkencor dhe logjikës (për shembull, Dielli që rrotullohet rreth Tokës) nuk kërcënon institucionet politike, aq sa kërcënon psikikën njerëzore, po aq sa edhe në ditët e Galileit. Matematika e dr. Hawking tregoi se universi, ndonëse i kufizuar në kohë, mund të jetë i pafundmë në hapësirë. Asnjë filozofi që e vendos njerëzimin diku afër qendrës së gjërave mund t’i pranojë fakte si këto. E vetmja gjë që mbetet është që të qëndrojmë të bashkuar përballë kësaj peshe të rëndë të realitetit.
Megjithatë, pamja e një njeriu të lidhur me një karrige me rrota, vazhdimisht duke hetuar, me guxim dhe madje edhe duke demonstruar horizontin e pafundmë të mendjes njerëzore, u dha njerëzve gjithsesi pak shpresë, atë për të cilën edhe ai ka shpresuar gjithmonë.