Prodhime shqiptare të markës “Kraco”, kanë hyrë në fazën e përpjekjeve dhe sfidave për t’u zgjeruar në tregjet europiane. Mungojnë incentivat nga qeveria dhe krahu i kualifikuar i punës.
Eksportuesit shqiptarë, në përpjekje për të zgjeruar tregjet në Europën Perëndimore, janë duke u përballur me imazhin jo të mirë të vendit, mungesën e fuqisë së kualifikuar të punës dhe incentivave mbështetëse nga qeveria
Kur je i vogël tregu shqiptar të duket i madh, por kur rritesh ai nuk të mjafton. Dhe eksporti është zgjedhja e natyrshme, kur ke një produkt që plotëson standardet europiane. Prej dy vitesh, Sokol Kraja, CEO i kompanisë “Capital Resources”, që prodhon produktet e markës “Kraco” është mjaft aktiv në gjetjen e tregjeve jashtë Shqipërisë, duke filluar nga rajoni, me prezencë më të madhe në Kosovë dhe së fundmi në shtetet e BE-së.
Kompania është zgjeruar me hapa të shpejtë, duke dyfishuar xhiron dy vitet e fundit, por më shumë se madhësia e biznesit, “Capital Ressources” ka arritur disa standarde teknologjike dhe të menaxhimit, që i kërkon koha, dhe gjithashtu ka krijuar një model novator në biznesit e eksportit. Kompania gjen vetë lëndën e parë nga distributorët me emër gjerman, bën paketimin me standardet e fundit të teknologjisë dhe i gjen vetë tregjet. Ky lloj modeli krijon një vlerë më lartë fitimesh në ekonominë e brendshme në krahasim me kompanitë që eksportojnë nga lëndët e para të burimeve natyrore, shpjegon Kraja.
I gjithë procesi i punës është i automatizuar me makineritë e kohës ndërsa funksion sistemi i gjurmueshmërisë, çka do të thotë se për çdo pakënaqësi të klientëve do të mund të identifikohet arsyeja dhe fajtori shumë shpejt. Përmbushja e këtij standardi është vula që një mall duhet të ketë për eksport në vendet e BE. Organizimi i lëndës së parë dhe renditja e prodhimit në paleta bëhet me kodet dhe sipas porositësit. Makineritë e paketimit janë të programuara dhe i gjithë procesi i punës në tërësi shmang tërësisht gabimet njerëzore.
Kraja pohon, teksa na tregon fabrikën dhe shpjegon proceset e punës, se aktualisht kompania është në diskutime me rrjetin e madh të supermarketeve në Spanjë, “Mercadona”, për t’i shitur këtij rrjeti produktet e çajrave shqiptare. Nuk është aspak e lehtë të arrish të mbyllësh një kontratë me këtë zinxhir të madh supermarketesh. Një përfaqësuese e kompanisë spanjolle ishte së fundmi në Tiranë, ku ka inspektuar me hollësi të gjitha proceset e punës dhe ka verifikuar në vend se sa zbatohen standardet e cilësisë.
Pasi degustuesit spanjollë kanë provuar në të gjithë botën çarja, e kanë kualifikuar “Kracon” shqiptare si një nga tre kompanitë që mund të nënshkruajnë kontratë. Por përzgjedhja kalon në një mori provash e procedurash, ku në themel janë çmimi dhe cilësia. Tashmë ka mbetur vetëm procesi final, ku tre degustues në Spanjë do të provojnë me sy mbyllur çajet e tre kompanive dhe do të përzgjedhin subjektin final me të cilin do të lidhin kontratën për të furnizuar rrjetin e supermarketeve të Mercadona, që vetëm për vitin 2016 deklaroi 21.6 miliardë euro të ardhura (shumë që është e barabartë me dyfishin e asaj që prodhon ekonomia shqiptare në një vit).
Panairet, si një mjet për të zgjeruar tregun
Deri tani kompania i ka arritur standardet e prodhimit si modeli i BE po zgjerimi kërkon mbështetje nga politikat qeveritare, pasi pengesat nisin që në hapat e parë. Panairet që për shumëkënd mund të jenë një vend për blerje me leverdi, për kompanitë e eksportit janë mjeti i parë drejt suksesit. Për një eksportues që kërkon të tregjet huaja, panairet janë porta e suksesit, por teksa zhvillohen në kryeqendrat e Europës si Gjermani dhe Itali, ato janë gati të paarritshme. Kraja thotë se, pjesëmarrja në panair i kushton së paku 50 mijë euro.
Duke marrë në konsideratë se në një vit zhvillohen së paku tre panaire të rëndësishme, kostot e pjesëmarrjes janë të papërballueshme. Për këtë arsye, shumica e shteteve i subvencionojnë kompanitë e eksportit që të marrin pjesë në këto ekspozime.
Shtete të tilla si Franca dhe Gjermania subvencionojnë me mijëra kompani eksporti në panaire, ndërkohë nuk mbeten pas edhe vendet e tjera të rajonit. Panairi është mundësia më e mirë për një kompani për të gjetur blerës, sidomos për ata që e kanë prodhimin markë të tyre dhe nuk punojnë me porosi.
Duke marrë në konsideratë mundësitë e kufizuara të qeverisë shqiptare, Kraja sugjeron që së paku shpenzimet e panaireve të njihen si shpenzime në bilance me vlerë të trefishtë, në mënyrë që bizneset e eksportit “Made in Albania” të lehtësohen nga tatimi mbi fitimin.
Biznesi i vështirë i eksportit
Kompanitë shqiptare të prodhimit, sidomos në industrinë agroushqimore, shohin si treg të parë për eksport Kosovën. Mirëpo dy shtetet e të njëjtit komb aplikojnë procedura të vështira. Për të çuar një kamion me mall në Kosovë duhen 7 dokumente dhe certifikata shoqëruese, ndërsa koha e kryerjes së proceduarës zgjat më shumë se me çdo shtet tjetër europian, – thotë Kraja. Ai u kërkon qeverive të dy shteteve që të aplikojnë sistemin e tregtisë si në BE, në mënyrë që tregjet të përfitojnë nga njëra-tjetra.
Nëse në linjat e tjera të biznesit, sidomos në fushën e tregtisë, ndërtimit dhe prodhimit, modeli është më i thjeshtë, biznesi i eksportit ka disa specifika të veçanta që lidhen me nivelin më të lartë të njohurive që kërkohen. Kraja thotë se, nëse synon një treg të huaj për të shitur mallrat që ti prodhon, kërkohen aftësi shtesë. Së paku duhet zotëruar gjuha e huaj dhe më tej duhet të njohësh të gjitha rregullat ligjore, politikat fiskale, por edhe mentalitetin e vendit ku ti po shet. Sipas tij, ky lloj organizimi kërkon veç mjeteve monetare, edhe burime njerëzore të afta. Aktualisht në Shqipëri janë në bizneset e eksportit, shfrytëzuesit e burimeve natyrore, si nafta dhe mineralet dhe fasoni.
Eksporti i burimeve natyrore në Shqipëri ka funksionuar më shumë si një dhuratë që qeveritë iu kanë bërë bizneseve. Produkti që ato shesin është pasuri e të gjithëve, ndaj në vendet e zhvilluara, këto biznese detyrohen që të kthejnë një pjesë të fitimeve të tyre në dispozicion të komunitetit duke ndërtuar shkolla, rrugë dhe parqe. Në vendin tonë, biznesi i eksportit të burimeve natyrore, jo vetëm që nuk e ka kryer detyrimin, por në të shumtën e rasteve ka krijuar dëme të mëdha në mjedisin e zonës ku vepron. Gjithashtu, eksporti i fasonit, vetëm sa shfrytëzon krahun e lirë të punës dhe vlera që mbetet në Shqipëri është e ulët dhe sjell shumë pak përfitime. Po të ndërtosh dhe dizajnosh një produkt “Made in Albania” është një proces me shumë kosto e sakrifica, por jo i parealizueshëm, thotë Kraja.
Mungon forca e kualifikuar e punës
Kraco ka të punësuar rreth 150 punonjës, nga të cilët 10 janë inxhinierë. Makineritë e paketimit të çajeve sa të bëjnë punë edhe të hapin punë. Çdo turn prodhimi ka inxhinierët përkatës, por gjetja dhe përgatitja e tyre ka kosto.
“Në universitetet shqiptare vetëm sa orientohesh për gjetjen e personave, por gati 90% të përgatitjes së tyre e bëjmë vetë”, thotë Kraja. Ai ka një vëmendje të veçantë për burimet njerëzore. Për inxhinierët, kompania e ka kryer gati të gjithë përgatitjen e tyre, duke i specializuar jashtë. Po biznesmeni pohon se çdo ditë po bëhet më e vështirë për të gjetur burime të afta njerëzore që për bizneset e eksportit, ndryshe nga të tjerët, duhen më shumë aftësi.
Kraco, synimi i “Made in Albania”
Aktualisht, kompania Kraco e eksporton 10% të prodhimit të saj në rajon, Kosovë, Maqedoni e Malin e Zi dhe në Itali duke synuar më tej në Europën Perëndimore. Kraja thotë se, synon që të diversifikojë shitjen e prodhimit 50% në tregun e brendshëm dhe 50% në eksport. Momentalisht është në tentativa për të zgjeruar tregun në Spanjë.
Të ardhurat e kompanisë ishin 573.5 milionë lekë sipas bilancit të dorëzuar Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Vitet e fundit xhiroja e kompanisë ka pësuar rritje dyshifrore, teksa të ardhurat nga shitja janë dyfishuar në krahasim me vitin 2012. Teksa shitja e çajrave dhe produkteve të tjera bazë po ecën me ritme të kënaqshme, kompania po tenton te zgjerohet me një objekt të ri që do të ketë në themel të saj bluarjen dhe paketimin e kafesë. Ky proces kryhet edhe tani për një pjesë të distributorëve vendas, por fabrika e re do të krijohet në standardin më të fundit teknologjik me synim edhe eksportin.
Aktiviteti zhvillohet në një standard të rreptë të higjienës dhe kontrollit. Kontraktorët e huaj kur vizitojnë ambientet fabrikës vendosin të lidhin kontrata edhe prej ambienteve ku bëhet prodhimi dhe mënyrën se si organizohet puna. Modeli novator në sektorin e prodhimit vjen si i tillë edhe në procedurën e shitjeve. Kompania ka një aplikacion të posaçëm që në çdo moment CEO i saj është në dijeni për shitjet brenda vendit me detaje si vendi ora e shitjes dhe sasia e shitjeve. Kraco e ka krijuar një model të biznesit, si në përzgjedhjen e burimeve njerëzore, modelin e menaxhimit me bazë teknologjinë dhe ambientet e punës njësoj si kompanitë në perëndim.
Kraco është kompani prodhuese në prodhimin e përgatitjeve për pije të ngrohta, përgatitjeve për pije të ftohta, si dhe përgatitjeve për ëmbëlsira.
E ka filluar aktivitetin në vitin 1997, si një nga kompanitë e para në industrinë e prodhimit të produkteve ushqimore. Produkti i parë i ofruar fillimisht nga kompania ishte sheqeri i paketuar.
Kompania Kraco, vit pas viti, ka shtuar gamën e produkteve dhe aktualisht ofron: kapuçino, çokollatë të ngrohtë, çaj në filtër dhe të tretshëm me mbi 13 shije të ndryshme, salep, kakao, kafe ekspres në filtër, sheqer të paketuar, pure patate, budingë, krem karamel, përgatitje për ëmbëlsira të ndryshme, etj. Kompania prodhon 77 artikuj ushqimorë, të cilët përdoren gjerësisht në të gjitha kanalet e shitjes: Horeca, Retail, B2B. Kraco është prodhues i vetëm në tregun shqiptar dhe rajon i një portofoli të tillë produktesh.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
pershendetje dua te di pustina e cajit kamomilit pervec kamomilit ka ndonje gje tjeter faleminderit