Bizneset kanë marrë më pak hua përgjatë muajve të fundit. Kredia për ekonominë është reduktuar sërish në muajin shkurt, duke e bërë më të qëndrueshme tendencën rënëse, pasi ky është muaji I tretë radhazi me tkurrje.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të shkurtit, stoku i huasë arriti në 556.7 miliardë lekë, duke shënuar një tkurrje prej 0.17% në raport me muajin e mëparshëm.
Ka qenë huaja për koorporatat jo financiare publike ajo që ka rënë me 3.2% me bazë mujore. Tkurrja ka qenë më e theksuar në valutë në krahasim me lekun.
Kredia për ekonominë duket se ka hyrë sërish në ngërç, pas gjallërimit që u pa vitin e kaluar. Bankierët pohojnë se mungojnë projektet e mira për t’u kredituar, ndërkohë që bankat tashmë janë bërë tepër të kujdesshme dhe përzgjedhëse për shkak të nivelit të lartë të kredive të këqija, që është në nivelin e 23%.
Me bazë vjetore (shkurt 2015-shkurt 2014) huaja për ekonominë është zgjeruar me 2.9%. Gjithsesi, në raport me fundin e 2014-s, kredia është në tkurrje me 0.8%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.