Huaja për ekonominë duket se po shfaq sinjale të qëndrueshme gjallërimi. Statistikat e publikuara sot nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në korrik, kredia për biznese e individë u rrit për të tretin muaj radhazi, periudha më e gjatë gjeruese, që nga fillimi i vitit 2012.
Totali i huasë për ekonominë në korrik 2014 arriti në 550.6 miliardë lekë, duke u rritur me 0.4% në raport me muajin e mëparshëm.
Në raport me fundin e vitit 2013, kreditimi për bizneset dhe individët është zgjeruar me 2.7 miliardë lekë, apo 0.5%, duke përshpejtuar rritjen për periudhën përkatëse krahasuese, që u konstatua për herë të parë në qershor.
Me bazë vjetore (korrik 2014/korrik 2013), kredia për ekonominë shënoi për herë rritje vjetore prej 0.5%, teksa deri në qershor tendenca vjetore qenë negative, -1.6%.
Një gjallërim i huasë për ekonominë ishte i pritshëm, pasi raporti i fundit i standardeve të kredisë së tremujorit të dytë 2014, tregonte se bankat po i lehtësonin kriteret si për biznesin ashtu dhe për individët, ndërsa dhe nga kahu tjetër kërkesa po rritej.
Ka qenë huaja në lekë ajo që ka ndikuar në rritjen e huasë për ekonominë. Kredia në monedhën vendase u zgjerua me 4.4% me bazë vjetore në korrik, ndërsa ajo në valutë ra me 2% për të njëjtën periudhë.