Kredia për ekonominë është zgjeruar në qershor 2014, në raport me majin e po këtij viti, duke shënuar rritjen e dytë radhazi mujore dhe duke dhënë sinjalet se huaja po gjallërohet në vend, pas gati dy vjet stanjacioni.
Sipas statistikave monetare mujore, të publikuara nga Banka e Shqipërisë, stoku i kredisë për ekonominë arriti në 548.3 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 2.85 miliardë lekë, apo 0.5% në raport me muajin e mëparshëm.
Përmirësimi në qershor ka ardhur pothuajse tërësisht nga shtimi i huasë për korporatat e tjera jo financiare (bizneset) në lekë.
Në raport me fundin e vitit 2013, huaja për ekonominë ka ndaluar rënien, duke u rritur lehtë me 407 milionë lekë.
Megjithatë, me bazë vjetore (qershor 2014/qershor 2013) huaja për ekonominë vijon të jetë negative, ndonëse ritmet e rënies po ngadalësohen. Stoku i kredisë ka rënë me 1.6% në qershor 2014, në krahasim me qershorin 2013. Në maj, tkurrja vjetore ishte 1.7%.
Një vit më parë, ndryshimi përkatës vjetor ishte 0.8%.
Sipas rezultateve të vrojtimit të aktivitetit kreditues në tremujorin e dytë 2013, publikuar pak ditë më parë nga Banka e Shqipërisë bankat u shprehën se i kanë lehtësuar standardet e kredisë dhënë korporatave të mëdha, bizneseve të vogla dhe të mesme, për financimin e kapitalit qarkullues dhe për investime. Lehtësimi i standardeve të kredisë dhënë bizneseve në total, për herë të parë që prej tremujorit të parë të vitit 2011, përbën një kthesë pozitive drejt lehtësimit të politikës kredidhënëse të bankave. Për kredinë dhënë individëve, bankat vijuan t’i lehtësojnë standardet, për të tretin tremujor rresht, si për blerje banese ashtu edhe për financim të konsumit. (http://www.monitor.al/t-ii-2014-rritet-optimizmi-te-bankat-lehtesohen-kushtet-e-dhenies-se-kredise)