Kreditë dhe grantet nga të huajt, 37% shkojnë “për të blerë këshilla”

13/03/2018 12:12 PM 0 komente

Vitet e fundit kanë qenë shumë intensive në sigurimin e kredive dhe granteve pranë institucioneve financiare ndërkombëtare. Por ajo që bie në sy në gjithë këtë lumë milionash është pjesa jo e vogël që shkon për asistencë teknike.

Në vitin 2017, rezulton që të jenë shpenzuar nga financimet e huaja të paktën 33 miliardë lekë, apo rreth 240 milionë euro, sipas bilancit të pagesave jotregtare të qeverisjes së përgjithshme për afatin janar-dhjetor 2017.

Nga këto, të paktën 56 milionë euro janë në formën e granteve, ku qeveri të ndryshme apo organizma ndërkombëtare “i dhurojnë” për projekte të veçanta, duke mos kërkuar kthim të tyre. Ky zë është i ndarë në dy nënzëra të tjerë, pjesa që shkon për investime dhe pjesa tjetër që shkon për asistencë teknike. Nga përllogaritjet rezulton që vetëm për asistencë teknike të ketë shkuar të paktën 37 për qind e totalit, një shifër kjo e konsiderueshme.

Tek shpenzimet nga financimet e huaja bie në sy edhe pjesa e kredive që, sipas të dhënave zyrtare, rezulton të jetë 176 milionë euro. Nga këto të paktën 30 për qind kanë shkuar për asistencë teknike dhe pjesa e mbetur prej 123 milionë euro kanë shkuar për investime.

Në shumicën e rasteve, asistencën teknike preferojnë që ta japin vetë insitucionet financuese dhe jo në pak raste ka pasur edhe zëra kritikë për volumin e lartë që po zë ky lloj shërbimi në financimet totale që jepen. Një debat i tillë është zhvilluar në fillim të mandatit të parë të qeverisë Rama 1 kur u nënshkruan një seri marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar apo Bankën Botërore, marrëveshje që kalonin qindra milionë euro.

Asistenca teknike konsiston në ofrimin e trajnimeve, ekspertizës, standardeve dhe modeleve ndërkombëtare lidhur me reforma të ndryshme që mund të lidhen qoftë me institucionet qendrore, ashtu edhe ato të varësisë apo vendore.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz