Kreditë me probleme rriten sërish në tetor

05/12/2018 11:08 AM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Huatë që nuk kthehen prej më shumë se tre muajsh në banka, kanë shënuar rritje në tetor, pas dy muajsh kur tendenca e tyre kishte qenë në rënie.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, niveli i kredisë me probleme arriti në 13.02% të totalit të huasë në vend.

Në raport me muajin e mëparshëm, ky tregues është rritur lehtë, teksa kishte qenë stabël në 12.89% në gusht dhe shtator.

Megjithatë në krahasim me janarin, kur huatë me probleme ishin 13.45% e totalit, treguesi është në rënie.

Rënia e kredisë është një nga arsyet që ndikoi në përkeqësimin e portofolit të huasë me probleme (pasi ai matet në raport me totalin e huasë).

Sipas të dhënave të mëparshme të Bankës së Shqipërisë, stoku i huasë dhënë për ekonominë zbriti në 532 miliardë lekë në tetor, me një rënie prej 2.5 miliardë lekësh në raport me muajin e mëparshëm.

Në raport me janarin 2018, stoku i huasë është reduktuar me 18 miliardë lekë, duke treguar për një stanjacion të huadhënies në ekonomi, që vjen si nga shtrëngimi i kritereve të bankave, sidomos nga bizneset, ashtu dhe nga mungesa e kërkesës nga biznesi nga njëra anë dhe të projekteve të paraqitura në bankë nga sipërmarrjet.

Në vlerë absolute, huaja e pakthyer në afat në banka ishte 69 miliardë lekë, ose rreth 550 mln euro në tetor.

Në janar, shuma e pakthyer në afat ishte 74 mld lekë, ose 580 mln euro.

Rënia me rreth 30 mln euro e huave me probleme në raport me fillimin e vitit ka ardhur si nga ristrukturimet e kredive, ashtu dhe nga fshirja e atyre që kanë më shumë se 10 vjet që nuk kthehen.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of