“Monitor” zbardh se cilat janë kompanitë që kanë realizuar punë publike, të cilave qeveria u ka borxhet më të mëdha.
Rreth 98% e tyre i përkasin infrastrukturës, ku dominojnë firma të mëdha si Alb-Star, Victoria Invest Internacional, Gjoka Konstruksion, A.N.K., Triss Ndërtim, Gener 2, etj.
Borxhi më i vjetër daton 6 vjet më parë, ndërkohë që për shumë kompani tejkalon edhe shifrën prej 10 milionë eurosh
Nga Laura Çela
Fillon shlyerja, kthehen 2.7 miliardë lekë
Burime nga Ministria e Financave pohojnë se që nga fillimi i marsit bizneseve u janë kthyer rreth 2.7 miliardë lekë, nga të cilat mbi 80% kanë qenë fatura TVSH-je.
Qeveria ka pranuar se borxhet që shteti ka ndaj bizneseve për punët e papaguara apo për detyrimet tatimore është i lartë. Ministria e Financave ka bërë publike shifrën prej 24.6 miliardë lekësh për detyrime të prapambetura, ndërkohë që një shifër e përafërt është dhe në detyrimet tatimore (kryesisht rimbursimi i TVSH).
Ministria ka detajuar faturat, punët dhe kompanitë që do të nisin të paguhen që prej këtij muaji.
Në punët publike, lista e faturave shënon mbi 840 të tilla, ndërsa për rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar arrin në 290 të tilla.
Borxhet e papaguara për punët publike, në bazë të listës paraprake të Financave, arrijnë në rreth 15 miliardë lekë, rreth 45% e totalit të borxhit që pritet të paguhet këtë vit. Burime zyrtare nga ky institucion konfirmojnë për “Monitor” se lista do të rishikohet për të përfshirë në të edhe firma apo të reja.
Sipas tabelës, figuron se 247 subjekte që kanë kryer punë publike do të rimbursohen këtë vit. Punët e tyre datojnë që prej gjashtë vitesh më parë, në mars të vitit 2007, dhe shumë prej tyre ende nuk janë paguar.
DETYRIMET
Subjekte Kontrata Vlera (lekë)
247 842 14,679,871,480
Burimi: Ministria e Financave
Nga një analizë e të dhënave rezulton se 98% e detyrimeve i përket pikërisht objekteve të infrastrukturës, ndërsa pjesa e mbetur është përdorur për blerjen e pajisjeve dhe mjeteve për institucione të ndryshme shtetërore apo publike.
Pjesa më e madhe e detyrimeve u përket akseve të reja rrugore të nisura nga qeveria “Berisha” në fundin e mandatit të saj të dytë.
Janë pikërisht aksi Tiranë-Elbasan dhe Rruga e Arbrit, dy projektet publike që kanë “zhytur” më shumë në borxhe firmat.
Aktualisht Tiranë-Elbasan me një gjatësi prej 30 kilometrash nuk ka përfunduar ende dhe punimet u ndërprenë për shkak të moslikuidimit të kompanive (kanë nisur sërish në muajin mars). Në Rrugën e Arbrit me gjatësi 72 kilometra, është ndërtuar vetëm një segment i saj dhe punimet janë ndërprerë për shkak të mungesës së financimit.
Por në listën e projekteve “të pashlyera” nuk mungojnë as akse të nisura prej vitesh të tilla si Plepa-Rrogozhinë, Boshti i Jugut, etj., për të cilat firmat nuk janë likuiduar, duke çuar në pezullimin e punimeve.
Cilat janë kompanitë
Rreth 50% e borxhit ndahet nga vetëm 6 kompani: Alb-Star, Victoria Invest Internacional, Gjoka Konstruksion, A.N.K., Triss Ndërtim, Gener 2, të cilat me shumë gjasa do të jenë ato që do të “gëzohen” më shumë nga nisja e disbursimit të detyrimeve të qeverisë.
Kompania, e cila do të marrë shumën më të madhe të parave, është Alb-Star, një nga firmat më të mëdha të ndërtimit në vend, e cila ka punuar në shumë akse rrugore. Sipas Financave, kjo kompani rezulton me një detyrim të papaguar prej 10.2 milionë eurosh, rreth 10% të totalit të borxhit të përllogaritur deri më tani.
Firma numëron 12 kontrata të papaguara, për të cilat ka dorëzuar faturat në “shtet”.
Alb-Star është kompania nënkontraktore e firmës greke Aktor për ndërtimin e autostradës së re Tiranë-Elbasan dhe pikërisht në këtë aks, që ka nisur punimet më shumë se një vit më parë, ka edhe shumat më të mëdha të faturave të papaguara.
E dyta në listë renditet shoqëria e ndërtimit Victoria Invest Internacional, një degë e huaj me përfaqësi në qytetin e Elbasanit. Borxhi ndaj kësaj kompanie arrin në afro 10 milionë euro dhe zë 9% të totalit të detyrimeve që qeveria ka përcaktuar për punët publike. Kjo firmë është kontraktuar nga qeveria për të ndërtuar aksin Kuçovë-Cërrik dhe rrugën që lidh Librazhdin me Pogradecin, akse këto edhe pranë zonës ku kompania ka qendrën e saj në Shqipëri.
Gjoka Konstruksion është një tjetër shoqëri ndërtimi që do të arkëtojë një shumë të konsiderueshme parash gjatë muajve në vijim. Ajo ka ndërtuar pjesë të Rrugës së Arbrit dhe pjesë të aksit Fushë-Krujë -Milot.
Shteti ka një detyrim prej 9.5 milionë eurosh ndaj kësaj firme, e cila zë 9% të totalit të detyrimeve.
Kompania A.N.K, që ka ndërtuar gjithashtu një pjesë të aksit Tiranë-Elbasan dhe disa rrugë të tjera të tilla si Fushë-Krujë – Sarisalltik, Korçë-Ersekë renditet e katërta në listën e debitorëve për shumat e papaguara. Kjo shoqëri do të arkëtojë këtë vit rreth 7.3 milionë euro borxhe.
Triss Ndërtim është gjithashtu nënkontraktore e Aktor, kompanisë për të ndërtuar pjesë të autostradës Tiranë-Elbasan. Firma e njohur për ndërtimin e urave figuron të ketë një vlerë borxhi prej 7.2 milionë eurosh. Kjo kompani ka gjithashtu fatura të pashlyera nga punimet që ka realizuar në aksin e Boshtit Qendror-Jugor.
Gener 2, një firmë e njohur ndërtimi në vend, që ka ndërtuar pjesë të rrugës nacionale, Rruga e Arbrit, si dhe aksit Plepa-Rrogozhinë përllogaritet të përfitojë rreth 7 milionë euro borxhe të papaguara nga qeveria e mëparshme, duke zënë 7% të totalit të detyrimeve për punët publike të realizuara.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.