Ndërkohë që oferta me banesa luksi pritet të shtohet ndjeshëm në kryeqytet, një pjesë e konsiderueshme e popullsisë në nevojë presin për banesa sociale apo me kosto të ulët. Ligji i ri, i cili hyri në fuqi vitin e shkuar, ka sjellë disa ndryshime për këto kategori, nëpërmjet 6 programeve të reja sociale. Sipas drejtorit të përgjithshëm të Entit Kombëtar të Banesave, në periudhën 1993-2018, nga programet sociale kanë përfituar 16.067 familje në Shqipëri. Çfarë pritet në 2019…?
Nga Deada Hyka
Strehimi i përballueshëm nuk është një reklamë. Është domosdoshmëri. Për vite, klasa e mesme është ‘ndrydhur’, kur të pasurit bëhen më të pasur dhe të varfrit bëhen më të varfër. Në të njëjtën kohë, kostoja për të marrë me qira ose për të blerë banesa është bërë më pak e përballueshme për shumë në Shqipëri.
Për shembull, të rinjtë apo familjet e reja po përballen me një situatë të vështirë. Në pamundësi për të gjetur punë pas diplomimit, shumë duhet të jetojnë me prindërit dhe të varen prej tyre, në vend që të jenë të pavarur dhe taksapagues të veçantë. Edhe të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuar, me të ardhura fikse, po përpiqen të gjejnë strehim të përballueshëm. Edhe viktimat e trafikimit, të dhunës, etj., e kanë të vështirë të sigurojnë strehim për veten, sidomos në Tiranë, ku dhe është përqendruar aktiviteti kryesor ekonomik. Edhe të varfrit shpesh nuk kanë ku të shkojnë, të gjendur pa strehë apo pa mundësi për të paguar një të tillë.
Prej vitesh, në Shqipëri, ka munguar kuadri i plotë për strehimin dhe ligji i ri në këtë sektor, i cili ka hyrë në zbatim para pak kohësh, po përpiqet nëpërmjet 6 programesh të reja, të zgjerojë sa më shumë grupin e përfituesve të strehimit social.
Në një intervistë për “Monitor”, drejtori i përgjithshëm i Entit Kombëtar të Banesave, Stefan Çipa, shpjegoi risitë që po zbatohen për herë të parë në këtë fushë që nga 2018.
“Kuadri ekzistues ligjor ka si qëllim kryesor krijimin e mundësive për strehim të përshtatshëm dhe të përballueshëm, duke u mbështetur në aftësitë paguese të familjeve që kanë nevojë për strehim dhe në ndihmën e institucioneve shtetërore përgjegjëse. Për këtë, janë menduar 6 programe strehimi, që do të garantojnë zgjerimin e grupit të përfituesve të strehimit social”, – thotë z. Çipa.
Kreu i EKB thotë se nga viti 1993 deri më 2018 kanë përfituar strehim nëpërmjet EKB-së rreth 16.067 familje të kategorizuara sipas programeve të ndryshme, numri i të cilave pritet që të shtohet në 2019-n, që është viti i dytë i zbatimit të ligjit të ri.
“Sot, Enti Kombëtar i Banesave operon në fushën e ndërtimit të banesave me kosto të ulët në ato njësi të vetëqeverisjes vendore ku ofrohen sheshe të lira ndërtimi dhe ku kostoja e ndërtimit është më e ulët se kostoja e blerjes në treg në lirë. Familjet përfituese që trajtohen me strehim në këto banesa miratohen me Vendim të Këshillit Bashkiak përkatës”, – tha z. Çipa.
Flet Stefan Çipa, drejtor i përgjithshëm i Entit Kombëtar të Banesave
“Zgjerohet grupi i përfituesve të strehimit social. Si mund të blihen këto banesa?”
Cilat janë programet sociale të strehimit të parashikuara me ligjin e ri?
Duke ju falënderuar për interesimin e shfaqur mbi zhvillimin e kësaj interviste, si fillim dëshiroj t’iu bëj të ditur se Enti Kombëtar i Banesave është themeluar me VKM-në nr. 198, datë 04.05.1993 “Për krijimin e Entit Kombëtar të Banesave”, i ndryshuar, dhe objekti i tij është: Financimi, ndërtimi dhe shitja e banesave në kushtet e konkurrencës së lirë, për sigurimin e të ardhurave të mjaftueshme për vazhdimin e veprimtarisë, për mbështetjen e politikave sociale të strehimit dhe për sigurimin e banesave me kosto të ulët.
Në këtë kuadër, EKB ka qenë një faktor zbutës i nevojave për strehim të shtresave të ndryshme sociale, brenda kompetencave të kornizës ligjore. Ligji i ri nr. 22/2018 “Për Strehimin Social”, ka si objekt përcaktimin e rregullave dhe procedurave administrative për mënyrat e planifikimit, sigurimit, administrimit dhe të shpërndarjes së programeve sociale për strehimin, me qëllim krijimin e mundësive për strehim të përshtatshëm dhe të përballueshëm, duke u mbështetur në aftësitë paguese të familjeve që kanë nevojë për strehim dhe në ndihmën e institucioneve shtetërore përgjegjëse. Ligji i ri ka shtuar në 6 numrin e programeve sociale të strehimit nga 3 që parashikonte ligji i vjetër.
Konkretisht, programet sociale të strehimit janë: a) programi i banesave sociale me qira, në vijim BSQ; b) programi për përmirësimin e kushteve të banesave ekzistuese, deri në një ndërtim të ri; c) programi i banesave me kosto të ulët, në vijim BKU; ç) programi për zhvillimin e zonës me qëllim strehimi; d) programi për krijimin e banesave të përkohshme; dh) programi i banesave të specializuara.
Sa përfitojnë realisht të pastrehët dhe si do të ndihmohen grupe të tjera, si çifte të reja apo familje me aftësi të ulëta pagese?
Përzgjedhja dhe miratimi i familjeve përfituese, në një nga programet e strehimit social, është një funksion dhe atribut i organeve të vetëqeverisjes vendore. Konkretisht, bashkitë ngarkohen që sipas sistemit të pikëzimit të përzgjedhin familjet që aplikojnë për t’u trajtuar me strehim sipas programeve përkatëse, të cilat miratohen me Vendime të Këshillit Bashkiak. Njësitë e vetëqeverisjes vendore kujdesen që familjet dhe individët, të cilët nuk kualifikohen si përfitues në njërin program, të kenë mundësi për të kaluar dhe për të përfituar në një program tjetër strehimi social, kur plotësojnë kushtet ligjore. Kriteret e përzgjedhjes së familjeve përfituese bazohen në kushtet familjare, sociale, të strehimit dhe ekonomike, ku për secilën nga këto nënndarje, nga ana e legjislacionit, janë përcaktuar kategoritë prioritare.
Ligji i ri ka si qëllim kryesor adresimin e nevojave të ndryshme për strehim dhe në këtë linjë, është zgjeruar dhe shtuar grup targeti i përfituesve nga programet sociale, ku përparësi do t’i jepet edhe kategorisë së viktimave të trafikimit/viktimat e mundshme të trafikimit; anëtarëve të komunitetit rom e egjiptian; të miturve në konflikt me ligjin sipas parashikimeve të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur, pas ekzekutimit të dënimit; vajzave nëna, etj.
Në këtë kuadër, dëshiroj të përmend se nga viti 1993 deri më 2018 kanë përfituar strehim nëpërmjet EKB-së rreth 16.067 familje të kategorizuara sipas programeve të ndryshme. Sot, Enti Kombëtar i Banesave operon në fushën e ndërtimit të banesave me kosto të ulët, në ato njësi të vetëqeverisjes vendore ku ofrohen sheshe të lira ndërtimi dhe ku kostoja e ndërtimit është më e ulët se kostoja e blerjes në treg të lirë. Familjet përfituese që trajtohen me strehim në këto banesa miratohen me Vendim të Këshillit Bashkiak përkatës.
Cilat janë projektvendimet e hartuara që do të ndihmojnë në zbatimin e ligjit?
Siç theksova edhe në fillim të intervistës, Enti Kombëtar i Banesave është një institucion ligjzbatues i politikave sociale të strehimit. Pra, në këtë kuadër, EKB u ftua që të merrte pjesë në sesionin e parë të takimit konsultativ mbi projekt-aktet në zbatim të Ligjit nr.22/2018. Projektvendimet janë hartuar si drafte nga grupi i punës, i ngritur pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, me mbështetjen e Zyrës së PNUD Albania, nëpërmjet projektit “Leave no one behind”, të OKB-së, si dhe asistencën e projektit “ROMACTED” të Këshillit të Europës.
Parashikohet që, në zbatim të ligjit të ri, të nxirren 26 akte të reja nënligjore. Ndërkohë që po vijojnë diskutimet dhe puna për trajtimin dhe zgjidhjen e mënyrës sesi do të zbatohen nga ana procedurale, ligjore dhe sociale risitë që sjellin programet sociale të strehimit, referuar dhe në zbatim të parimeve dhe kuadrit ligjor të Ligjit nr. 22/2018. Gjithashtu, dua të përmend se me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, në nenin 77 “Dispozita kalimtare”, është parashikuar miratimi i disa akteve nënligjore, të cilat zgjidhin njëherë e mirë problemet e mbartura ndër vite të EKB-së.
Si do të funksionojë blerja e banesave sociale në treg?
Ligji nr.22/2018 ofron si mundësi blerjen e banesave sociale në treg në rastin kur ndërtimi i banesave të reja kushton më shumë sesa vlera e banesave në treg. Banesa sociale mund të blihet nga tregu, përjashtimisht, kur vlera e banesës në treg është më e lartë se kostoja e ndërtimit, vetëm kur: vërtetohen kushte emergjente për strehim; njësia e vetëqeverisjes vendore nuk disponon truall për ndërtim banesash të reja.
Në këtë kuadër, një alternativë e re që parashikon ligji i ri është edhe neni 23 “Pronari Social”, çka do të thotë se çdo subjekt privat apo publik, që investon në banesa sociale apo disponon banesa për t’i dhënë me qira për familjet në nevojë, regjistrohet pranë njësive të vetëqeverisjes vendore.
Por jemi ende në pritje të përfundimit dhe miratimit të VKM-së përkatëse, e cila do të përcaktojë procedurat dhe mënyrat e zbatimit të këtij programi. Referuar pyetjes suaj do të ndalem pak edhe te roli i Entit Kombëtar të Banesave, për adresimin e nevojave për një strehim të përshtatshëm dhe të përballueshëm për familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme financiare, nëpërmjet realizimit të investimeve në ndërtimin e banesave me kosto të ulët.
Nisma e EKB-së për bashkëveprim institucional me bashkitë ishte një risi që në një hark kohor 5-vjeçar mundësoi nënshkrimin e 8 marrëveshjeve të bashkëpunimit me Bashkitë Gramsh, Berat, Lushnjë, Fier, Librazhd, Korçë, Pukë, Durrës për ndërtimin me fondet e vetë Entit të 351 të apartamenteve të reja. Njëkohësisht, po planifikojmë mundësinë e realizimit të investimeve të reja në Vlorë dhe Kuçovë.
Në qytetin e Korçës ka përfunduar ndërtimi i dy objekteve të banimit me kosto të ulët dhe eficiencë energjie. Çfarë vëmendje do të kenë në vijim banesat ekologjike?
Konstruksioni i banesave me teknologjinë e eficiencës së energjisë (veshja kapot e godinës dhe sistemi dopio vetratë) është aplikuar në të gjitha objektet e reja të ndërtuara nga viti 2014 e në vijim. Lidhur me interesimin tuaj për investimin e EKB-së në Korçë, dua të ndalem pak te historiku i saj, e cila ishte një nismë e ndërmarrë në bashkëpunim me PNUD për financimin e një projekti pilot dhe organizimin e një konkursi projektimi.
Aktualisht, ka përfunduar ndërtimi i dy godinave të banimit, konkretisht godina nr. 1 me 18 apartamente dhe godina nr. 2 me 56 apartamente. Qëllimi i këtij lloj konstruksioni është: Përmirësimi i performancës energjetike të banesave ndikon: në përmirësimin e kushteve të jetesës së banorëve; në reduktimin e harxhimit të energjisë për ngrohje e ftohje; një jetëgjatësi më të madhe të ndërtesës; në kosto më të ulët të mirëmbajtjeje; në reduktimin e emetimeve të gazit karbonik (CO2).
-Programi i banesave sociale me qira (BSQ)
-Programi për përmirësimin e kushteve të banesave ekzistuese ose të përmirësimit të kushteve, deri në një ndërtim të ri
-Programi i banesave me kosto të ulët (BKU)
-Programi për zhvillimin e zonës, me qëllim strehimi
-Programi për krijimin e strehëve të përkohshme
-Programi i banesave të specializuara.
Qiraja
Vlera e subvencionit të qirasë në tregun e lirë mbulon deri në 100% të qirasë mesatare në tregun e lirë. Dhënia e subvencionit të qirasë duke u financuar, edhe nga pushteti qendror në rastet kur njësitë e vetëqeverisjes vendore, nuk kanë mundësi financimi të subvencionit apo kur familjet janë pa të ardhura ose me të ardhura të ulëta dhe nuk përballojnë dot qiranë, sjell në këtë mënyrë një risi për trajtimin e këtij instrumenti të programit të banesave sociale me qira.
Banesa ekologjike
Konstruksioni i banesave me teknologjinë e eficiencës së energjisë (veshja kapot e godinës dhe sistemi dopio vetratë) është aplikuar në të gjitha objektet e reja të ndërtuara nga viti 2014 e në vijim. Qëllimi i këtij lloj konstruksioni është: Përmirësimi i performancës energjetike të banesave ndikon: në përmirësimin e kushteve të jetesës së banorëve; në reduktimin e harxhimit të energjisë për ngrohje e ftohje; një jetëgjatësi më e madhe të ndërtesës; në kosto më të ulët të mirëmbajtjeje; në reduktimin e emetimeve të gazit karbonik (CO2).
Dy modele
Modeli i parë është “pronari social”, që mund të jetë çdo subjekt privat, që kërkon të investojë në banesa sociale me qira ose që disponon banesa për t’i dhënë me qira për familjet në nevojë për strehim, duke u regjistruar pranë bashkisë me këtë status.
Modeli i dytë është ai i pjesëmarrjes së subjekteve private në krijimin e fondit publik të banesave sociale. Ky fond do të jetë në pronësi të bashkive dhe do të krijohet nga ndërtimet e reja, blerjet e banesave në treg të lirë ose ankand, blerjet ose ndërtimet e banesave përmes të ardhurave të siguruara nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, të mbledhur nga njësitë e qeverisjes vendore.
Pronësia
Rregullat e reja përcaktojnë edhe çështjen e pronësisë nga familja. Kur familja shlyen vlerën e banesës, duke u bërë pronare e saj, enti lidh kontratën përfundimtare me kushtet e përcaktuara në ligjin nr. 9232, datë 13.5.2004. 6/2. Në rastet kur familja përfituese ka lidhur kontratë me entin, para daljes së udhëzimit nr. 19, veprohet si më poshtë:
a) Në rastet e pamundësisë financiare për shlyerjen e kësteve, sipas kontratës, enti bazuar në dokumentacionin e nivelit së të ardhurave familjare të paraqitura nga kjo familje dhe verifikimin në vend, bën rillogaritjen e këstit që do të paguhet, sipas kushteve të përcaktuara në pikën 6 të këtij udhëzimi, duke zgjatur afatin e shlyerjes deri në 35 vjet, i cili fillon nga momenti i lidhjes së kontratës së mëparshme. Në momentin e lidhjes së kontratës së re, qytetari duhet të shlyejë kamatëvonesat e prapambetura, brenda një viti kalendarik. Llogaritja e këstit mujor të bëhet mbi bazën e vlerës së mbetur të apartamentit, ku do të përfshihen edhe këstet e papaguara deri në momentin e rilidhjes së kontratës.
b) Kur vlera e apartamentit nuk është shlyer brenda afateve të përcaktuara në kontratë, lidhet një kontratë shtesë për shlyerjen e detyrimit të mbetur, me afat 5–10 vjet, në varësi të nivelit të të ardhurave familjare, me interes 2% në vit, me këst mujor jo më të vogël se 2.500 lekë. Afati i shlyerjes fillon me nënshkrimin e kontratës shtesë. 6/3. Në të gjitha rastet, nëse pas rillogaritjes, rezulton se kësti është më i lartë se 35% e të ardhurave mujore, familja kalon në kontratë qiraje sociale. Nga ana tjetër, është përcaktuar edhe vlera e apartamentit, ajo llogaritet nga Enti Kombëtar i Banesave dhe shlyhet nga familja me këste nga 25 deri në 35 vjet, me normë interesi prej 2.0% në vit, në bazë të nivelit të të ardhurave familjare, me kusht që kësti mujor të mos jetë më i madh se 35% e të ardhurave mujore. “EKB-ja harton planin e amortizimit për çdo familje përfituese, i cili do të jetë pjesë përbërëse e kontratës.”- përcaktohet në udhëzimin e ri të Ministrisë.
Qiratë mujore
Për familjet që nuk kanë mundësi financiare për të shlyer qiranë mujore, Strukturat e Zhvillimit Urban planifikojnë fonde nga buxheti i shtetit për subvencionimin e qirasë sociale, në masën që përcaktohet nga EKB për mbulimin e shpenzimeve për menaxhimin e mirëmbajtjes.
Shtëpitë e dyta, për banesa sociale
Nëse keni një shtëpi të dytë apo të tretë dhe doni ta jepni me qira të sigurt për të paktën 3 vjet, përveç mundësive të tregut, një alternativë është edhe ajo që ofron ligji “Për strehimin social”, i miratuar së fundmi në Parlament. Konkretisht, në nenin 23 të këtij ligji, lakohet termi i “pronarit social” një status që mund ta përfitojë çdo subjekt publik apo privat që vë në dispozicion banesa për t’i dhënë me qira te familjet në nevojë.
Por cila është në fakt procedura për të regjistruar banesën tuaj në fondin e atyre që përdoret për këtë kontingjent. Referuar ligjit, njësitë e qeverisjes vendore kanë detyrimin që brenda muajit janar të çdo viti të shpallin një thirrje për çdo subjekt të interesuar, i cili kërkon të regjistrohet si pronar social.
Thirrja për aplikim përmban, veç të tjerave, kushtet për përfitimin e statusit “pronar social” dhe lehtësitë fiskale që miratohen nga këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore. Brenda këtyre njësive ka një strukturë të veçantë, e cila do të bëjë verifikimin e kushteve që kanë banesat për të cilat është aplikuar, që të jenë në grupin e atyre që jepen me qira te familjet në nevojë. Ky grup sheh kushtet e banesës, përshtatshmërinë e saj për jetesë, normat e strehimit dhe në bazë të konstatimit, nxjerr edhe një raport duke i kthyer përgjigje aplikantit për miratim ose refuzim.
Subjekteve publike ose private mund t’ju jepet statusi pronar social, nëse plotësojnë disa kushte ku së pari është plotësimi i normave teknike dhe normave të strehimit në fuqi referuar raportit të strukturës së njësisë së vetëqeverisjes vendore. Së dyti, vlerësohet qiraja me të cilën ofrohet banesa e cila nuk është më e lartë sesa qiraja mesatare në tregun e lirë. Së treti nënshkruan një kontratë me njësinë e vetëqeverisjes vendore, ku bien dakord për mënyrën e menaxhimit të banesës së tij dhe së katërti nënshkruan deklaratën se nuk do të refuzojë qiramarrësin për arsye që përbëjnë diskriminim.
Ligji përcakton në nenin 24, detajet që përfshin marrëveshja mes pronarit social dhe njësisë së vetëqeverisjes vendore. Ndër të tjera, kjo marrëveshje parashikon afatin që nuk mund të jetë më pak se tre vjet, masën e qirasë dhe mënyrën e shlyerjes së saj si dhe mënyrën e administrimit të pronës dhe marrëdhënien me qiramarrësin. Pronari social mbështetet për subvencionimin e qirasë për familjet përfituese. Sipas ligjit, familjet që trajtohen me banesa sociale me qira, paguajnë një pjesë të saj të vetme, sipas të ardhurave që kanë, ndërsa pjesën tjetër e plotëson njësia vendore në kuadër të politikave të strehimit social.
Deri në 2025
Sfida kryesore është njohja e qartë e ofertës dhe kërkesës për strehim social. Parashikohet të ngrihet një sistem, i cili do të mundësojë grumbullimin dhe më tej analizimin e të dhënave në mënyrë periodike në secilën njësi vendore. Një tjetër sfidë është sigurimi i të dhënave në disa nivele – të dhëna që fokusohen në nevojën për strehim social, situatën e strehimit të grupeve të përjashtuara, si dhe asetet që zotërojnë njësitë vendore dhe mund të mobilizojnë me qëllim ofrimin e strehimit social. Kjo do të kërkojë krijimin e infrastrukturës së nevojshme për grumbullimin e të dhënave dhe më tej, forcimin e kapaciteteve vendore mbi mënyrën si të grumbullojnë, analizojnë, dhe më tej përdorin të dhënat. Këto hapa do t’i shërbejnë hartimit të politikave dhe programeve të mbështetura në evidencë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.