Këshilli i Ministrave ka miratuar sot krijimin e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit. Lajmi u dha nga Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantina Gjermeni, e cila e cilësoi këtë agjenci të nevojshme për zhvillimin dhe mbrojtjen e zonave të turizmit bregdetar. Në një deklaratë për mediat Gjermeni theksoi se me anë të kësaj agjencie do të krijohen kushtet për tërheqjen e investitorëve.
“Këshilli i Ministrave miratoi krijimin e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit. Kjo i jep një tjetër hov nismave të Ministrisë së Turizmit. Agjencia Kombëtare e Bregdetit do shtrihet në gjithë brezin bregdetar të Shqipërisë. Do të organizohet në nivel qendror dhe katër drejtori rajonale. Do ketë 30 punonjës dhe do financohet nga buxheti i ministrisë. Synimi ynë është mbrojtja e zonës bregdetare, bashkërendimi i programeve lidhur me këtë zonë. Kjo agjenci ndjek dhe respekton rregullat mbi pasurinë e patjetërsueshme. Me krijim e kësaj agjencie do krijohen kushtet për të bashkëpunuar me investitorë për zhvillimin e bregdetit dhe do punojë ngushtësisht me njësitë e qeverisjes vendore”,- deklaroi Gjermeni.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.