Krimi i organizuar, por edhe korrupsioni, vazhdojnë ta pengojnë zhvillimin e Kosovës, vlerësojnë deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe njohës të çështjeve të sigurisë. Sipas tyre, ky lloji kriminaliteti ka depërtuar edhe në institucionet e vendit.
Anëtarët e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Kuvendin e Kosovës, thonë se krimi i organizuar vazhdon të jetë një shqetësim për vendin. Fatmir Xhelili, anëtar i këtij komisioni nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se për ta zvogëluar dukurinë e krimit të organizuar në Kosovë, duhet që institucionet të investojnë në zbatimin e ligjeve dhe forcimin e sistemit të drejtësisë.
“Duhet vullnet politik dhe këmbëngulësi e instrumenteve të shtetit për ta luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Gjyqësia ka ngecur prapa në drejtim të zbatimit dhe ndëshkimin e atyre personave që kanë thyer ligjin në këtë drejtim. Besoj se edhe Prokuroria duhet të jetë më këmbëngulëse në këtë fushë”, thotë Xhelili.
Ai konsideron se dhënia e dënimeve të merituara për ata persona që merren me krimin e organizuar, do të ishte mesazhi më i mirë që kjo dukuri të mos jetë shumë e përhapur.
Deputeti Xhelili, po ashtu, mendon se edhe politika është e përzier me individë, të cilët merren me këto dukuri.
Siç thotë ai, interesi i madh dhe përfitimet e mëdha nga krimi i organizuar kanë arritur të depërtojnë deri te vijat politike.
“Dyshimet ekzistojnë se këto grupe të interesit apo grupe të organizuara kriminale, e kanë në një farë mënyre, në lidhje indirekte apo direkte, mbështetjen e politikës, përndryshe nuk kishin mundur të funksionojnë”, thekson Xhelili.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.