Në prag të Black Friday është koha të bëjmë wishlist (listën e dëshirave) për Krishtlindjet. Atë të klientëve luksozë, sipas një kërkimi të bërë nga Ynap e cila përfshin kryesisht përvoja dhe objekte ekskluzive. Frymëzimi për blerjen e dhuratave vjen nga Instagram në 60 – 70% të rasteve, me pikun që arrin në 80% në rastin e Millennials.
Studimi i kryer në një kampion prej 2600 klientësh ndërkombëtarë të luksit në katër kontinente, tregon se 40% e klientëve të luksit kërkon produkte unike dhe të rralla. “Në sezonin e festave, klientët tanë dëshirojnë të zbulojnë diçka të re – një markë të re apo një stil të ri”, shpjegon Elizabeth von der Goltz, Global Buying Director, në Net-a-porter.
Edhe një herë, shpenzuesit më të mëdhenj, sipas studimit – janë Millennials. Personat e lindur pas vitit 1980 janë të orientuar drejt blerjes së dhuratave ekskluzive (52%), ndoshta fryt i bashkëpunimeve (Yoox, për shembull, ka rritur numrin e artikujve) apo në seri të limituar, ose përvoja unike (54%) për t’i dhuruar me rastin e festave. Por mbi të gjitha, në 70% të rasteve, janë të prirë për t’i bërë dhurata vetes.
“Cyber Weekend shënon fillimin e blerjeve të dhuratave për Krishtlindjet për shumë njerëz, por në të njëjtën kohë është momenti ideal për konsumatorët e luksit që duan të shpërblejnë veten me diçka të veçantë” – komenton Alison Loehnis, presidente e Net-a-porter dhe Mr. Porter.
Blerja e dhuratave për veten është një zakon gjithnjë e më i përhapur: 70% e meshkujve thonë se i blejnë vetes një orë luksoze, por mbi të gjitha 60% e femrave pohon se nuk pret që dikush t’u dhurojë atyre një bizhuteri të shtrenjtë. Jo rastësisht, një femër në katër, mendon t’i dhurojë vetes një bizhuteri për Krishtlindje.
Megjithatë për t’i bërë vetes një dhuratë të shtrenjtë nuk duhet domosdoshmërisht një rast i rëndësishëm – mjafton të keni para dhe një smartphone. Orët dhe bizhuteritë, në fakt, janë gjithnjë e më shumë të pranishme në platformat e-commerce
“Kur flitet për orë dhe bizhuteri, konsumatorët nuk kursejnë. Një fashë çmimesh veçanërisht e njohur shkon nga 1000 deri në 5000 sterlina (nga 1200 deri në 5600 euro) – vijon më tej Elizabeth von der Goltz – por bizhuteria më e shtrenjtë që kemi shituar ndonjëherë është një orë Cartier, 113 mijë sterlina (rreth 127 mijë euro).
Përtej listës së dëshirave, një e treta e klientëve do të nisë të bëjë blerje me rastin e festave të fundvitit pikërisht gjatë Cyber Weekend, nga data 23 nëntor (Black Friday) deri të hënën, më datë 26 nëntor, i ashtuquajturi Cyber Monday, duke përfituar nga ofertat.
Burimi: Il Sole 24 Ore