Ilia Kristo, profesor në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, thotë se duhet të përcaktohen faktorët që po ndikojnë kursin e këmbimit nga Banka e Shqipërisë në bazë të studimeve të thelluara. Ai shprehet se adoptimi i euros si monedhë kombëtare të shihet si një mundësi
Cilat vlerësoni si arsyet kryesore të rënies së euros dy vitet e fundit, sidomos në 5-mujorin e parë 2018?
Prirja e një rënie të Euros në dy vitet e fundit në përgjithësi edhe në raport me lekun, janë multifaktoriale. Po të gjitha përmblidhen në faktorët që ndikojnë “çmimin”, pra kursin e këmbimit të euros me monedhat e tjera të rëndësishme në glob, në kushtet e zgjerimit të integrimit rajonal e globalizimit, përfshirë edhe kursin Euro/Lekë.
Kursi këmbimit përcaktohet nga raporti kërkesë-ofertë për monedhën përkatëse, të cilat ndikohen, nga prirja gjeografike e import-eksporteve të çdo vendi apo rajoni, që e përdorin monedhën përkatëse, që nënkupton dinamikën e kërkesës dhe ofertës për monedhën përkatëse, që ndikon edhe kursin.
Por oferta gjykoj që lidhet edhe me faktorë të tjerë, ndër të cilët edhe politikat financiare të vendeve të veçanta e blloqeve të integruara, si dhe prirjet për një kontroll më rigoroz të efekteve të parajsave apo sistemit të pastrimit të parave, çka duket që në muajt e fundit ka një dinamikë në rritje lokale, rajonale dhe të institucioneve globale financiare.
Çfarë masash duhen marrë, në mënyrë që të reduktohet ekspozimi në ekonomi i luhatjeve të forta të kursit?
Masa e parë është të përcaktohen faktorët e mësipërm e në bazë të studimeve të thelluara, institucionet, duke filluar nga Banka e Shqipërisë dhe të tjerat publike të evidentojnë ndërhyrjet, që do të vlerësonin lekun kundrejt euros të përmendura më sipër, por me studime të thelluara, jo opinione të përgjithshme televizive të eksperteve.
Si do ta vlerësonit idenë për të përshtatur euron si një monedhë kombëtare (në mënyrë të njëanshme siç kanë bërë Kosova dhe Mali i Zi). A do të ishte e realizueshme dhe cilat do të ishin avantazhet dhe dizavantazhet?
Duke gjykuar prirjen e vendeve “më të varfra” anëtare të BE-së, Rumani e të tjerë për kalimin në euro, sipas informacioneve të fundit, si dhe Kosova e Mali i Zi, që janë të varfra gjithashtu, por jo anëtarë të BE ende, gjykoj që edhe Shqipëria do të ishte mirë të përshtaste euron si monedhë, ku me gjithë kostot afatshkurtra që mund të ketë, në perspektivë duke konsideruar të ardhmen europiane të padiskutueshme, do të ishte një lëvizje e mirë.
Natyrisht bazuar në kërkimet e studimet përkatëse paraprake për këtë lëvizje. Gjykoj qe edhe pa euron “monedhë kombëtare” në Shqipëri, në dallim nga vendet e tjera anëtare apo jo anëtare të BE-së, Kroacia etj., në rajon, në vendin tonë, euro përdoret, si për çmimet në treg “në xhamat e dyqaneve” por edhe, pagesat mund të bëhen në euro, në këto kushte edhe për këtë nuk do të ishte keq që euro të përshtatej si monedhë kombëtare. Natyrisht, ky është vetëm një opinion, apo hipotezë!
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.