Norma e papuësisë në vend, në bazë të anketimeve është 14.5%, gati dy pikë përqindje më e lartë se shkalla zyrtare e papunësisë…
INSTAT ka publikuar sot rezultatet kryesore nga Anketa Tremujore e Forcave të Punës 2012-2013 (ATFP).
Gjatë tremujorit të parë 2013 në Shqipëri 63.2 përqind e popullsisë në moshë pune ishte aktive në tregun e punës, pra e punësuar ose në kërkim aktiv të një pune.
Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për femrat ishte 55.3 përqind ndërsa për meshkujt 71.8 përqind. Krahasur me tremujorin e katërt 2012, pjesëmarrja e femrave në tregun e punës është rritur me afro 1 përqind ndërsa pjesëmarrja e meshkujve është ulur me 1.2 përqind
Sipas INSTAT, Në tremujorin e parë 2013 shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç ishte 41.2 përqind ndërsa për popullsinë 30-64 vjeç ky tregues ishte 75.3 përqind.
Për popullsinë në moshë pune (15-64 vjeç) vihet re një rënie në shkallën e punësimit nga 58.8 përqind në tremujorin e parë 2012 në 54 përqind në tremujorin e parë 2013 (shih Tabelën 2). Kjo rënie erdhi kryesisht si rezultat i rënies në sektorin e ndërtimit. Shkalla e punësimit për meshkujt është më e lartë sesa për femrat duke shënuar kështu një diferencë mesatare prej 12 përqind.
Për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç gjatë tremujorit të parë 2013 shkalla e punësimit ishte 31 përqind ndërsa për popullsinë 30-64 vjeç ky tregues ishte 66.8 përqind.
Papunësia arrin 14.5%, tendencë në rritje
Sipas vlerësimeve të marra nga ATFP, gjatë tremujorit të parë 2013 shkalla e papunësisë për popullsinë 15-64 vjeç në Shqipëri ishte 14.5 përqind (shih Tabelën 4). Shkalla e papunësisë afatgjatë ishte 11 përqind.
Krahasur me tremujorin e parë 2012 shkalla e papunësisë është rritur me 1.1 përqind. Shkalla e papunësisë vlerësohet të jetë më e lartë për meshkujt sesa për femrat, duke reflektuar një nivel më të lartë të kërkimit të punës nga ana e meshkujve dhe një nivel më të lartë inaktiviteti në lidhje me tregun e punës nga ana e femrave. Për meshkujt shkalla e papunësisë ishte 15.8 përqind dhe për femrat 12.9 përqind.
Sipas INSTAT, Anketa Tremujore e Forcave të Punës (ATFP) është një anketë që kryhet pranë familjeve. Kalimi nga kryerja e anketës me periodicitet vjetor në anketë të vazhdueshme u bë me qëllim që të mundësohet marrja e vlerësimeve tremujore të treguesve kryesorë për tregun e punës. Ky informacion i përditësuar periodikisht çdo tremujor ofron mundësinë e analizimit të dinamikës së tregut të punës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.