Në tremujorin e parë të këtij viti, primet e shkruara bruto të sigurimit të Jetës u ulën me rreth 5%, duke arritur në 256 milionë lekë. Kriza financiare vlerësohet të jetë shkak kryesor për rënien e sigurimit në këtë segment që prej kohësh njihte rritje edhe pse në shifra jo të larta. Nga të dhënat e publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare bie në sy rënia e primeve për grupin “Jetë debitori” (19.2%) dhe “Jeta dhe shëndeti në udhëtim” (32.2%). Drejtuesit e shoqërive të sigurimit që operojnë në këtë segment thonë se nuk kishte se si të mos reflektohej në ecurinë e ekonomisë së vendit. “Tregu i sigurimeve, thonë ata, nuk mund të vlerësohet i veçuar nga situata ekonomike që po kalon vendi dhe që reflekton pasojat e një krize të gjatë financiare. Kërkesa për kredi është ulur dhe kjo ka reflektuar uljen e primeve të sigurimit për grupin ‘Jetë debitori’. Tkurrje kanë pësuar edhe investimet e huaja që ndikojnë jo pak te sigurimet”, thonë ata. Rënien e primeve të shkruara bruto për grupin “Jeta dhe shëndeti në udhëtim” e lidhin me rënien e udhëtimeve jashtë. Për ta, efekti i liberalizmit të vizave me vendet e BE-së do të duhet të shihet më tepër në terma afatgjatë.
Rritja e produkteve të sigurimit të “Jetës”, që nuk janë të detyrueshme, si për shembull “Jetë Debitori” do të zbuste sado pak efektet e kësaj krize, si dhe do të bënte që varësia e shoqërive të sigurimit të “Jetës” nga produktet “gjysmë të detyrueshme” të ishte gjithnjë e më e vogël.
Sipas drejtuesve të shoqërive të sigurimit, i rëndësishëm është raport çmim/rregullim. “Pak vlerë ka çmimi i shitjes, thonë ata, i rëndësishëm është rregullimi ligjor, që nënkupton mbajtjen e rezervës që kërkohet sipas ligjit”. Çmimet tërheqëse, që reflektojnë raportet e duhura dëme/prime do të rrisnin pa dyshim numrin e të siguruarve dhe besimin ndaj kompanive të sigurimit, për pasojë edhe rritjen e tregut në këtë sektor.
Nga të dhënat e raportit të 3-mujorit vihet re se, pavarësisht uljes së çmimit të primit, sigurimi i “Jetës” ka shënuar rritje ndaj totalit të tregut, duke përbërë rreth 13.6% nga rreth 12%. Referuar të dhënave bie në sy fakti se edhe numri i kontratave është në rënie me rreth 34%, ndërsa dëmet u rritën me rreth 254%.
Lëvizje ka pasur edhe sa i përket tregut që ndajnë kompanitë që operojnë në këtë segmentin sigurimesh. Për sa i përket primeve të shkruara bruto, vetëm INSIG rezulton me vlerë pozitive, me rritje me rreth 20.6%. E njëjtë me këtë vlerë
( 20.6%) është rënia që ka pësuar Sigal Life Uniqa Group Austria. Kompania Sicred, shënoi rënie të primeve të shkruara bruto me rreth 2.2%. Sa i përket përqindjes ndaj totalit, “Sigal Life Uniqa Group Austria” ka humbur ndjeshëm terren, duke zënë 38.7% nga 46.4% që zinte për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
INSIG ka shënuar rritje të prezencës në treg, duke zënë rreth 32.6% nga 25.7% që ishte një vit më parë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.