Në gjashtë muajt e parë të vitit u regjistruan rreth 39% më pak biznese të reja krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Zhvillimi i zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare dha efekte që do të vazhdojnë të ndihen edhe për pjesën tjetër të vitit. Parashikohet që ritmi i rikuperimit të mos jetë i lartë, pasi biznesi është duke qëndruar në pozicion “pritës”, për atë çka do të sjellë qeveria e re. Drejtori i përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, Tomi Kola, thotë se efekti që kanë dhënë zgjedhjet te biznesi në regjistrimet fillestare, por edhe në shërbimet e tjera është i dukshëm dhe këtë e tregon edhe paraqitja grafike.
Vihet re se janë rreth 39% më pak regjistrime fillestare, një shifër tepër e lartë kjo, por që për z. Kola nuk ka të bëjë shumë me klimën në të cilën po “noton” biznesi shqiptar.
“Këto shifra tregojnë në tërësinë e tyre besimin e investitorit. Ndryshimet politike mund të sjellin ndryshime ligjesh, procedurash, vendimesh, urdhra ministrash qoftë nga ekonomia, financa, bujqësia, etj., dhe që mund të ndikojnë direkt apo indirekt te biznesi. Mund të vijnë urdhra apo nisma nga qeveria, që prish imazhin e atij investitori që ka ndër mend të bëjë një investim. E kjo mund të sjellë ndryshime në planet e tij të investimit, ndoshta për ta orientuar në një fushë krejt tjetër, pra automatikisht ai lë në ‘pritje’ vetveten për të parë se çfarë do t’i sjellin këto ndryshime”, thotë drejtori i përgjithshëm i QKR-së. Besimi i investitorit, thotë ai, ndikon drejtpërdrejt në kuotat në bursë, por në rastin e Shqipërisë (kur mungon bursa) ndikon drejtpërdrejt në hapjen ose jo të një biznesi tjetër. “Çështja e besimit nuk shtrohet nëse investitori ka apo jo te qeveria e re, por tek ajo se çfarë do të bëjë për aspekte të ndryshme të fushës ku biznesmeni synon të hapë aktivitetin. Me pak fjalë nuk shtrohet çështja nëse besimi është negativ apo pozitiv, por ka të bëjë me atë që biznesi pret nga qeveria e re, nëse ajo do të jetë në të njëjtën linjë me pritshmërinë e tij. Nëse këto dy linja përputhen, atëherë biznesi do të jetë pozitiv dhe do ta hapë aktivitetin, por nëse jo, atëherë ai mund të ndryshojë natyrën ose ta shtyjë investimin e tij për një kohë të mëvonshme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.