Të dhënat e fundit të Eurostat, të përditësuara në dhjetor 2015, treguan se të ardhurat për frymë të Shqipërisë në 2014-n ishin sa 30% e mesatares së Bashkimit Europian, një pikë përqindje më lart se në vitin 2013, por në të njëjtin nivel me 2012-n. Ndërsa Konsumi Individual (tregues i mirëqenies materiale të familjarëve), sipas Eurostat, është me 37% të mesatares së BE-së, duke qenë të fundit në Europë. Një raport i pak kohëve më parë i BMI Research, një kompani e grupit të njohur ndërkombëtar të renditjes, Fitch Rating, vinte në dukje se procesi i konvergjencës po e humb ritmin dhe Shqipëria parashikohet që edhe për 10 vjet do të mbetet ndër më të varfrat në Europë.
Dhe për sa kohë që ka hapësira për të lëvizur në tregje të reja të punës jashtë vendit dhe për sa kohë shpejtësia e rritjes së Shqipërisë do të jetë kaq e ulët, emigracioni do të jetë një proces që do të zgjasë. Se shqiptarët e dinë që mund të ecin më shpejt se Shqipëria, ndryshe nga sa i ka premtuar politika, ndaj ai e braktis atë.
Dikur, ky nuk ishte një fenomen që mund të të shqetësonte, përveç aspektit emocional, pasi remitancat u bënë një e ardhur e rëndësishme që ndikonte në mirëqenien e familjeve, duke zbutur varfërinë dhe duke u kthyer në një burim të rëndësishëm të rritjes ekonomike. Por emigracioni i 20 viteve më parë ndryshon nga ky i viteve të fundit.
Së pari, edhe pse sepse numri i emigrantëve mund të jetë më i vogël se 20 vjet më parë, sot ai krijon kosto, pasi ata do t’i mungojnë tregut vendas të punës dhe nuk mund të merret mbrapsht investimi i kryer për ta.
Së dyti, është natyra e krahut të punës. Biznesi thotë se po ikin burimet më të kualifikuara njerëzore, aq sa është ndodhur në situatë falimentimi vetëm për shkak të emigrimit të punëtorëve të kualifikuar. (lexo në brendësi)
Së treti, mosha mesatare e emigrantëve është mbi 30 vjeç, çka do të thotë që i përkasin një gjenerate që kanë krijuar të ardhura, kanë një pasuri, qoftë edhe modeste.
Së katërti, duke iu referuar ciklit biologjik, ky brez emigrantësh përfaqësohet nga familje të reja, të krijuara gjatë këtyre viteve, mes valës së parë dhe kësaj vale të dytë të emigrimit, pra kanë disa detyrime që dikur nuk i kanë pasur. Të dhënat paraprake tregojnë se një nga arsyet e emigrimit është shkollimi i fëmijëve.
Kjo tipologji e emigrantit të sotëm shqiptar, megjithëse ende e plotë, pasi asnjë nga agjencitë shtetërore përgjegjëse ende nuk e kanë bërë një analizë (revista “Monitor” i ka marrë përmes intervistave të drejtpërdrejta me biznese dhe ekspertëve të pavarur) tregon se janë disa rrethana të tjera, të reja, që kanë provokuar emigrimin.
Së pari, paaftësia për të kryer reforma që do të rrisnin ritmin e ekonomisë. Sot treguesit e punësimit dhe rritjes së të ardhurave individuale janë statistikisht më të ulët se rritja ekonomike.
Së dyti, dështimi për të krijuar një sistem arsimor të qëndrueshëm, i cili jep kthim të mirë të investimit nga tregu i punës (paga).
Së treti, zhvendosja e taksës drejt punës, profesionit, investimit human dhe përgjithësisht ndaj shtresave të mesme.
Së katërti, motivi politik. Në pamundësi për të realizuar pritshmëritë e shqiptarëve, qeverisja e fundit po u shet edhe si suksesin të saj punësimin e shqiptarëve jashtë vendit. Kujtojmë kur qeveria u tregua entuziaste dhe se reklamoi si sukses të saj marrëveshjen që u gjente punë 200 infermierëve të kualifikuar në Gjermani, por që në fakt ia hiqte këtë shërbim qytetarit shqiptar!!!
Të gjitha në perceptimin e qytetarëve shqiptarë kanë krijuar pasiguri, e cila është një shtysë “e mirë” për të ikur.
Siç duken, gjasat janë që shumë prej të larguarve do të kthehen me forcë nga vendet pritëse, por ky mbetet sërish një kontingjent për të ikur sapo një tjetër rast të shfaqet. Ndaj biznesi me të drejtë jep alarmin se emigrimi është kthyer në kosto, e cila mund të fusë në krizë ciklike të gjithë ekonominë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.